Trupi im po vdes-
Rrënojë metafizike e një përralle zgjimi.
Për shpirtin është poshtërsi të flasësh.
Njeri i veprave të mëdha nuk jam,
Uroj, kurrëkujt në hak të mos i kem hyrë.
E nëse ndër muzgje kitarën e paskam akorduar keq,
Ferri më takon si prikë.
Pakogjë do më mbetet në dakikën e mbrame:
Dashuria e një gruaje që është shumë gra,
Një Tungjatjeta e një muratori gollobordas,
Hukama e drerit gjatë një ëndrre të parë përmbys,
e ndoshta aroma e një gjelle
që nuk e provova kurrë.
Trupi im po vdes
Dhe kjo as nuk ngre as nuk ul gjë
Në ekonominë e universit.
Iluzioni i një bote të përtejme nuk më ngushëllon.
Është e qartë, nuk bëra sa duhet në gjallje.
E kështu humbin edhe privilegjet e keqardhjes
Apo të lexuarit të Zoodiakut në mbrëmje.
Makutëria e kohës më dikton të kryej diçka të tmerrshme,
domethënëse, e gjithaq sublime
Para se të jetë tepër vonë:
Mbajtja e një ligjërate për fizikën kuantike një Delfini, për shembull,
Ose ngrënia e një akullore galiç,
Veç çmenduri që shelbojmë çmenduri,
Apo poezi ndarjesh,
Medet, jo më.
ObserverKult
Lexo edhe: