Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, sot, është mbajtur konferenca në të cilën artisti Sislej Xhafa njoftoi se kësaj galerie i dhuron veprën “Pavijoni Klandestin, 1997”, që është një ndër veprat e tij më të rëndësishme.
Sislej Xhafa, është një nga artistët bashkëkohor më të njohur — ai përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias, si dhe prezantoi vitin e kaluar njërën prej ekspozitave më të përfolura.
E, së fundmi ai vendosi këtë vepër t’ia dhurojë Galerisë Kombëtare të Kosovës për ta pasuruar koleksionin e saj që përmban përmbi 900 vepra artistike.
Arta Bunjaku—Agani, drejtoresha e Galerisë Kombëtare, tha në hapje të kësaj konference se ndihet e lumtur për këtë prurje, shkruan KultPlus.
Ajo theksoi bashkëpunimin e mirë që ka Galeria me artistin Xhafa. Tutje, Bunjaku—Agani foli para gazetarëve për veprat që ka në koleksion Galeria.
“Artisti Xhafa ka vendosur që njërën nga veprat më të rëndësishme, e sipas kritikëve të artit e cilësuar si më e rëndësishmja e tij, t’ia gjej shtëpinë në Galerinë Kombëtare”, tha ajo.
“Unë kam bashkëpunuar me Sislejn në Galeri dhe në ekspozitën në vitin 2018, mandej në përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e 57-të Venedik, ky bashkëpunim ka qenë kthesë e madhe në karrierën time” potencoi Agani—Bunjaku.
Artisti Sislej Xhafa, gjithashtu u shpreh i lumtur që arriti ta pasurojë fondin e Galerisë së Arteve. Ai foli për përvojën e tij si artist, që nga studimet në Firencë, deri te përfaqësimi i Kosovës në Bienale.
Duke folur për ekspozitën e vitit të kaluar, Xhafa, tha se pret që situata të ndryshojë dhe të përmirësohen kushtet e artistëve.
“Këtu jam rritur, këtu kam luajtur si fëmijë dhe me kënaqësi kontribuoj për një institucion si Galeria Kombëtare që më ka përkrahur çdoherë”.
I pyetur për ekspozitën e vitit të kaluar, Xhafa tha se i mori me sportivitet kritikat për ekspozitën.
“Arti është ndjenjë. Natyrisht, mund të pëlqehet ose jo por në thelb, janë ndjenjat që artisti i shpreh. Arti krijon mbresa të paharruara, unë uroj që gradualisht situata e artistëve të përmirësohet, sepse rruga e artsitit është e gjatë dhe shpeshherë e varfër” potencoi ai duke përfunduar, “uroj të vijnë njerëz që do t’ju shërbejnë artistëve dhe t’i përkrahin ata dhe institucionet artistike që të kenë hapësirat dinjitoze për t’i shfaqur krijimet e tyre”.