Astrit Çerma: Takimi me Sul Pitarkën, me mua ishte edhe Timo Flloko…

Astrit Çerma

“Me Sul Pitarkën”, fragment nga Astrit Çerma

Kur jetuam një vit në Los-Anxhelos, më fton Timo Flloko të shkojmë dhe të takojmë Sulën, tek i biri.

Unë kisha marr vesh se Sul Pitarka ishte së bashku me gruan tek djali i tij i vogël në Nju-Jork. Por këtu mora vesh se, pak paska ndejt atje.

Djalin e madh, mbasi kishte punuar disa vjet tek qendra qendrore sizmike në Japoni, e kishin kërkuar këtu në Kaliforni. Si një nga specialistët më mirë të studimeve dhe parashikimeve të tërmeteve.

Tek ai, nja një orë e ca larg nesh, kishte nja tre muaj që jetonte…

Kur u takuam, si një fëmijë i vogël që gëzohet për një dhuratë të pa pritur, i buzëqeshte i gjithë trupi..

Thërriti gruan, mbesën e vogël, na sorollati nëpër shtëpi duke na treguar se si ishte sistemuar i biri dhe, së fundi..

– Hajdeni, hajdeni, na ftoi,- t’ju tregoi edhe strehzën time.. Strehzën ku pi kafen e mëngjesit dhe cigaren e parë pas gjumit..Ja.

Ishte një kënd i sajuar, nga pas shtëpisë, në një cep pas kollonës që mbante strehën e verandës. Me një karrige shpinëgjatë, me një tavolinë të vogël ku mbi të ishte vetëm një tavull duhani dhe një stilolaps. Varur në një vegjë, një gozhup me kokore.

– Çohem në pikë të sabahut, ndaj e bëj vetë kafen e parë.  Vij këtu, vesh gozhupin dhe, o, ho, ho, hooo, ndez një cigare. Rrufis kafen edhe tymos për shtatë palë qefe. Para se të ndez të dytin nxjerr nga xhepi këtë dhe e vë këtu pranë stilolapsit..

Ishte një bllok i vogël dhe i hollë, thuajse me 10 a 12 fletë..

– E kam kalendar. Ka të gatshëm plot, por unë kam frikë se mos ka ndonjë gabim në to, prandaj e kam sajuar vetë..

I bëri zë gruas të na bëjë kafen dhe mbasi të sillte aty 2 karrike të tjera. Të na begeniste edhe “me nga një të vockël” e pak “mezeçkë”…

– Sebepi juaj ta kthej edhe unë një gotë se më “thau” fare kjo me të birin. Jo po alkooli të bën keq, jo po.. lesh hamami..

Me këmbënguljen e vazhdueshme të djemve që të vinin e të jetonin me ta, vendosën burrë e grua ta provonin një herë për një vit. Ndaj, para se të niseshin shtëpinë e lëshuan me qera deri më 16 gusht…

– Ja, çfletoi kalendrin e sajuar, – Çdo mëngjes, ditën që kaloj e rrethoj me një rreth dhe i vë një kryq. E fshij..

Mezi pres të fshij atë datën 15 gusht se të 16-tin, he,  i kemi prerë biletat, e kemi rrugë. Jo..Nuk po e shtyjmë dot këtu… Joo… Fëmijët janë fëmijë, po, ata kanë jetën tyre, kanë vrullin e tyre, por… ehh…

Më merr malli për të gjitha, mor po edhe për atë copë qiell që shihja nga dritaria kur zgjohesha në mëngjes…Për të gjitha… Eh… Ja gëzuar e ju lumshin këmbët që më erdhët..

Trokitëm gotat. Gotën e tij e ktheu pothuajse në fund. Na shkeli syrin dhe pasi shikoi andej nga mund të vinte e shoqia e mbushi prapë si për fillim.

– Ehh…Gënjej veten se ajo ma di aq mirë “gratacionin” e pirjes sa s’ka marifet që ta qetësoj. Pasi të ikni ju, he, he: avazi.

Po, s’ka faj, jo… Të dy tërë ditën mbetemi si qyqar. Mundohet djali, bëhet copë nusja, po, ë, hë. Të dy vetëm, bëjmë ç’bëjmë e shpikim sebepe për t’u grindur e shamatuar. Po na myket goja për një çikë muhabet me të tjerët…

Djali dhe nusja kur kthehen pas orës 6, të lodhur, megjithse përpiqen po, eh… S’kanë nge të shplodhen e jo më të hargalisin muhabetin kot së koti me ne.

Vijnë shokët e djalit e shoqet e nuses, po ku ja shkrepim amerikançe ne. Edhe me mbesën, si guak mbetemi, se ajo as shqip e as inglisht nuk di…

Flet vetëm japonisht se atje në Japoni u bë kaq. E, po, në këtë moshë të fillojmë joponçen ne, vetëm të lajthisim nga ment.

Na zgjati paqetën. Mori edhe Timua një cigare.

– E ke nisur edhe ti o Timo?… e pyeti…

– Jo dha Timua, e tymos kot, sa për të thënë…

– Unë nuk rri dot as dhe një orë pa u mbushur me frymë me këtë. E kam si ilaç për të gjitha, E dini: Kur isha i shtruar në ’93-shin për operimin e këtij syut në një nga spitalet më të mira të Moskës.

Pasi më bën analizat, siç ishte rregulli. Për të dy sytë, më vjen doktori, shefi i pavionit, më pyet për syun që e kisha të shëndosh:

“Dalluam një operacion të vjetër në të. Kur dhe ku e keni kryer?”

“O,hu, i thashë, këtu e 10 vjetë më parë në Tiranë.”

“Ashtu… Bravo. Paskeni mjek të mrekullueshëm. Këtë lloj operacioni tek ne e kryejnë vetëm mjek të veçantë”…

Që nga kjo bisedë ne u bëmë “shokë të ngushtë”. Çdo mëngjes, por edhe sa herë gjente kohë vinte e bisedonim të dy…

Atë ditë që do të dilja nga spitali, më solli dhuratë një vëllim nga kritiku i madh i artit skenik rus Bjelinski. Ma dha, dhe…

“Me që, në çdo bisedë që kemi bërë bashkë, më tha,- veçanërisht për dy gjëra, gruan dhe duhanin. Vazhdimisht ke folur me pasion e dashuri, at’herë më thuaj të drejtën: – Kë do më shumë: gruan apo duhanin?!”

“Duhanin, ju përgjegja flakë për flakë.”

“Duhanin!!”..

“ Po duhanin… Gruaja nuk ka orë e minutë, të mos më thotë:- Lëre këtë farmak… Kurse duhani asnjëher nuk më ka thënë:- Lëre atë shtrigë plakë…

(Nga cikli në librin “Njerës të rrugë sime..”)

ObserverKult


Lexo edhe:

ASTRIT ÇERMA REVOLTOHET ME XHEVAHIR ZENELIN: DERI KËTU KEMI ARRITUR? DHE PASTAJ ANKOHEMI PËR “BIG BROTHER” E “PËRPUTHEN”

Aktori i njohur Astrit Çerma, që prej vitesh jeton në SHBA, është revoltuar me një video të aktorit tjetër Xhevahir Zeneli.

Ky i fundit shfaqet duke treguar një barcoletë me një djalë shqiptar, që martohet me një vajzë serbe.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult