Aurela Gaçe: Kam kuptuar se trofeu i vërtetë është pikërisht duartrokitja e publikut!

aurela gaçe

Aurela Gaçe është një nga këngëtaret ikonë të muzikës shqiptare. Potenca vokale, timbri, repertoari, performanca, stili, e bëjnë artiste të kompletuar dhe aq të dashur për publikun.

Intervistoi: Lindita Canolli-Fejzullahi/ObserverKult

Keni bërë një rrugëtim të gjatë në muzikë, mirëpo sigurisht thellë në kujtime keni atë momentin, hapin e parë, prej ku ka nisur e tëra?

Aurela Gaçe: Ka nisur shumë, shumë herët në fëmijëri. Familjarët vunë re që kapja shpejt këngët që dëgjoja, i këndoja, i imitoja. Isha 4 vjeç e gjysëm kur më paraqitën në Shtëpinë e Pionierit ( ashtu quhej). Aty më dëgjoi Reshat Osmani (ai ishte një nga figurat kryesore të muzikës qytetare vlonjate, autor, kompozitor, këngëtar) dhe ndërkohë merrej me festivalet e fëmijëve, me përgatitjen e fëmijëve. Ai më dëgjoi e vendosi që unë të këndoja në festivalin e fëmijëve. Në atë moshë, besoi tek unë, dhe shpresoj t’ia kem shpërblyer në vite atë besim që pati. Nga klasa e 8-të, deri në moshën 14 vjeçare kam qenë pjesëmarrëse çdo vit në festivalet e fëmijëve. Le të themi, u rrita në skenë.

Si vendosët të realizonit këngët e para. A kishit hezitim? Si u pritët?

Aurela Gaçe: Kur unë kam nisur të këndoj në televizon si adoleshente, ka qenë vetëm ‘Festivali i Madh’, nuk ka pasur singles e video siç janë sot. Unë u paraqita në vitin 1993 ne Tiranë, mezi prisja të pranohesha në Festival. Nuk ishte kollaj pasi që kishte komision.

Kënga e parë ishte “Pegaso”, aty rashë në sy dhe kjo bëri që kompozitorëț të kishin besim se mund t’i paraqisja mirë këngët e tyre.  Krijimet e tyre në radhë patën suksesin e vetë, si kënga ‘Nata’, ‘Me jetën dashuruar’, Fati ynë shpresë e marrëzi’, ‘E pafajshme jam’, ‘S’jam tribu’, ‘Jetoj’. Këto ishin këngët e para. Pastaj lindën albumet e para, dy klipet e para në vitin 2000. Sa për suksesin që ato këngë patën, besoj e tregon fakti që ato këngë unë i këndoj akoma me publikun që më ndjek.

Përveç muzikës ju qysh herët e keni dëshmuar se keni prirje edhe për aktrim, madje edhe keni diplomuar për Dramë. Sa jeni marrë me këtë profesion, derisa Aurela njihet si këngëtare?

Aurela Gaçe: Po, jam diplomuar si aktore. Nuk ishte qëllimi im të bëhesha aktore. Unë studiova për aktrim pasi që do të më ndihmonte shumë në çdo paraqitjet skenike. Prirjet për aktrim lindin me njeriun, sigurisht. Ti e zhvillon pastaj atë që ke dhuratë.
Kam pasur oferta të ndryshme, edhe për një film edhe për teatër, unë kam qëndruar e tërhequr pasi binte ndesh me gjithë çka po mundohesha të ndërtoja si këngëtare. Kërkon kohë e përkushtim, çdo gjë.

Unë gjithë energjinë time ( duke qenë edhe e vetme) e kisha përqëndruar në realizimin e ëndrrës time, për t’u bërë këngëtare. Por, mos harroni, në çdo paraqitje timen, në skenë, në klipe, në festivale, në LIVE-et e mia që zgjasin rreth 2 orë e gjysëm secila, unë jo vetëm këndoj. Aktrimi është aty, në çdo hap me këngën.

Mbase tani që e realizova veten në ato që ëndërroja, mbase tani mund të bëj rol në teatër. Por, kam ëndrra të tjera akoma pa realizuar, sigurisht ne lidhje me skenën.

Zhanret në të cilat këndoni janë të shumta. Madje ato variojnë nga pop, folk e deri te roku. Çka këndoni më për shpirti?

Aurela Gaçe: Të jeni të bindur se këndoj me shpirt çdo rrymë. Fakti që e kam marrë guximin ta bëjë, është pikërisht se e dua vetë.

Folkun e kam kënduar menjëherë sapo jam paraqitur edhe në Festivale me muzikën pop. Atëherë nuk ishte “trend” të këndoje traditën. Isha vetëm 22 -23 vjeçe kur u paraqita për herë të parë me këngë të popullit në skenë.  Kanë qenë bashkëudhëtare me mua të gjitha rrymat. I dua, i bëj. Ka shumë që mbase e kanë gjykuar këtë vendim timin, duke thënë se artisti duhet të ketë një rrymë.  Ndërsa unë besoj se artisti duhet të jetë i lirë të bëjë ato që i do shpirti. Edhe unë e kam bërë. Kaq!
Tani që jam e rritur, e kuptoj që folku ynë, është fytyra jonë dhe ne kemi detyrë ta përcjellim në breza. Çdo popull ka traditat e veta. Sigurisht ne dëgjojmë çdo rrymë botërore, por nuk duhet kurrë të harrojmë se pa identitet, jemi asgjë!

Ka shumë vite që folkun e ndërthur në shumë këngë moderne. E bëj qëllimisht. Nëse fëmijëve u japim të dëgjojnë tingjujt e muzikës tonë tradicionale, ne i bëjmë të mësohen, të ushqehen me ata tinguj. Ashtu siç ne i mësuam, kemi detyrë t’ua përcjellim.

Aurela dhe Festivalet! Cili është raporti juaj me to?   

Aurela Gaçe: Festivalet kanë qenë arenat e vetme me të cilat ne kishim mundësi të dilnim në pah. Mua më sherbeu shumë ajo skenë për të fituar një publik që sot akoma më ndjekin. Sigurisht punova shumë më pas për t’i mbajtur e për të fituar edhe publik të ri. Te gjithë trofetë u morën në festivale, vit pas viti.

Në fillim ti hyn për të treguar aftësitë e tua, pastaj nëse pëlqehesh, edhe nga publiku, edhe nga juritë, vijnë edhe çmimet, trofetë. Por, trofetë nuk janë ato që një artist duhet të ndjekë. Mbasi ti merr një trofe, jeta vazhdon. Ti nesër prapë duhet të punosh shumë që të mbash gjallë dashurinë e publikut.

Cila është ndjesia kur këngët e juaja përcillen nga publiku? Si ndikojnë bashkëveprimi dhe duartrokitjet e publikut?

Aurela Gaçe: Oh, ndjesia më e bukur. Kam kuptuar se trofeu i vërtetë, është pikërisht duartrokitja e publikut. Kur ata këndojnë me mua, është çmimi më i madh që mund të marrësh në skenë.

Keni kaluar tre dekada në skenë, me këngën dhe vazhdojmë të shohim po atë energji të juajën si në këndim, ashtu edhe në performim. Cili është sekreti?

Aurela Gaçe: S’ka asnjë sekret përveçse dashurisë për këtë që bëj. Nuk u bëra këngëtare se doja famë ose të ardhura. Ndoqa ëndrrën time qysh fëmijë. Fama erdhi pasi punova shumë. Të ardhurat vijnë pasi ti këtë e kthen në profesion. Si çdokush që shkon në shkollë për mjekësi, gjyqtar, qoftë edhe ata që mësojnë të ndërtojnë shtëpi, të pjekin bukë. Është profesion. Por i bazuar 100 përqind mbi pasionin.

Pasioni është e vetmja përgjigje për mua. Mund të zgjidhja të dilja ‘playback’ para publikut, jo me orë të tëra duke ndërtuar shfaqje çdo herë. Por, në momentin që ti e bën si rutinë, fut Usb, e thjeshtë merr pagesën. Atëherë ai nuk është me pasion e dashuri. Pikë! Është si ti thuash partnerit tënd “Të dua” sa për t’i thënë se ashtu duhet.
Ndërkohë nëse ti e do atë që bën, si fëmija yt , si kur do familjen, që nuk shtiresh, nuk bën sikur, atëherë ti e bën njësoj, çdo ditë. Se e ka emrin dashuri.

Shumë këngë të juaja vazhdojnë të jenë hite, si solo ashtu edhe bashkëpunime. Kur jemi te bashkëpunimet, cilin e veçoni dhe pse?

Aurela Gaçe: Bashkëpunime kam disa. Me miken time të zemrës, me të cilën ndaj 30 vite miqësi, Eli Fara, të cilën e çmoj shumë edhe si një artiste unike, si askush tjetër.

Kam bashkëpunim me Aleksandër Gjokën. Jam fansja më e zjarrtë e zërit të tij. Një dhe i vetëm. Kam bashkëpunim me Mc.Kreshën të cilin e çmoj shumë, në çdo drejtim.

Kam bashkëpunim me Genc Prelvukaj. Kam dëgjuar këngët e Etnon (Etno Engjuj) pothuaj çdo ditë. E kisha ëndërr të bashkoja energjinë time me ta. Pas shumë vitesh arrita të bashkëpunoj me Gencin dhe ai përveçse profesionist e talent i padiskutueshëm, më ka lënë mbresa edhe si njeri.

Kam bashkëpunime me Dr.Florin. Jo një, por disa. S’di si ta them. Ai ishte mik i rrallë për mua. Por, edhe një nga artistët që më kuptonte në çdo aspekt. Ai më donte si artist dhe kjo bëri që të më vinte në ndihmë edhe në shumë përzgjedhje materialesh në albumin e 2011. Unë i besoja shumë dhe ndiqja intuitën e tij. Di të them se më mungon si mik e si bashkëautor. Shumë.

Kam bashkëpunim me Stinen, artist që bëri vendin në skenë me një stil komplet ndryshe për kohën kur doli. Kam bashkëpunim me Fifin, dhe i’u afrova në kohën kur ajo ishte në fillim të karrierës. Ashtu e ndjeva, duke parë energjinë e talentin e saj.

Kam bashkëpunim me Young Zherkën me të cilin u ngjtëm edhe në Kënga Magjike. Më pëlqejnë rrymat që janë ndryshe e përplasen me njëra tjetrën. Prandaj dhe kërkoj diçka që bën ndryshimin.

Ah. Duhet të sqaroj diçka. S’kam bërë asnjë bashkëpunim me dikë që “duhet se ky ose ajo sjell koncerte” kurrë. I kam bërë se ashtu e kam ndjerë. Bashkëpunim ishte edhe me Marselin e vogël, tek kënga Origjinale. Ai ishte një bashkëpunim që nuk e dinim se si do të pritej. Mund të ishte edhe e kundërta e asaj që ndodhi. Ai ishte 15 vjeç, askush se dinte se si do të pritej ai bashkëpunim. Por, ja që goditi.

Përsa u përket autorëve,  kam shumë, shumë bashkëautorë. Lista është shumë, shumë e gjatë. Më pëlqen të kem energji ndryshe, të reja, të vjetra, s’kam asnjë kompleks nëse është autor i njohur ose jo. Më pëlqen, e bëj. Bashkëpunimi më i bukur për mua, është ai me vajzat e mia. Besoj edhe arsyen e dini, kështu që s’ka nevojë të shpjegoj më gjatë .

Bazuar në videoklipet që kemi parë, ju përveç me këngëtarët që kanë karrierë disavjeçare i promovoni edhe këngëtarët e rinj. A është parimi juaj që t’i vini në pah talente të reja?

Aurela Gaçe: Jo,nuk besoj qe është parim, por është ndjesi. Unë eci me ndjesinë. E vendos veten në pozitën e një të riu. Kujtoj veten si isha në fillim, kur mezi prisja të më dëgjonin, të më zbulonin. Prandaj edhe nuk kam kompleks a është i ri ose i vjetër.

A vazhdoni të keni një model të një këngëtareje qoftë shqiptare, qoftë e huaj që vazhdoni ta adhuroni?

Aurela Gaçe: Po secili nga ne ka figurat e veta që pëlqen, shijon, që i dëgjon, ku gjen edhe veten aty. Kam disa emra. Sigurisht Vaçe Zela e Nexhmije Pagarusha, besoj janë model për çdo artist.

Si adoleshente doja shumë t’i ngjasoja Irma Libohovës. Më tërhiqte natyra e saj e shpenguar, vokali që mua më dukej se s’ishte limit.

Nga bota sigurisht kam gjithë brezin e artisteve Rock, Pop. Janë shumë. Tina Turner, Whitney Houston, Michael Jackson, Fred Mercury, shumë grupe legjendare Rock, të cilët i dëgjoj po njësoj edhe sot.
Por artistë që dëgjoj shumë janë edhe ata të traditës. Dëgjoj shumë polifoninë e Labërisë, zonën nga vij. E dua shumë. Dëgjoj artistë nga veriu, Shqipëria e Mesme, Kosova. Dëgjoj edhe rapsodë, më mahnisin.

Para disa vitesh keni pasur një problem shëndetësor, nëse mund ta them kështu, me zërin por që fatmirësisht e tejkaluat. Si e kujton atë moment dhe a keni pasur frikë se ndoshta do duhej të përshëndeteni me këngën…?

Aurela Gaçe: Probleme me kordat patjetër kanë të gjithë artistët që performojnë live. Të gjjthë. Disa e thonë, disa nuk e tregojnë.  Unë kam folur për këtë gjë, pasi më duket normale që ndodh. Pra, ke problem me diçka që e përdor. Ashtu si sportistët. Ata dëmtohen në gjymtyrët e tyre. Marrin kohë pushimi. Ka nga ata që rikuperohen. Ka nga ata që jo. Edhe kordat janë mjeti kryesor me të cilin ne punojmë. 

Atëherë kur ndodhi për herë të parë, mësova se si ta përdor, si ta ruaj dhuratën e Zotit. Duhet kujdes. Mora mësime për 3 vjet, çdo javë. Mësime private në New York, me një nga profesorët më të njohur atje. Ai më mësoi si të këndoj e të lodhem më pak. Janë teknika që duhet përdorur. Sigurisht, u tremba aq shumë sa mendova se nuk do të këndoja dot më. Por, ja që jam këtu, duke performuar live çdo javë.

A jeni lodhur ndonjëherë nga ajo rutina e një artisti, që është gjithmonë dinamike. Pra angazhime në studio, koncerte, festivale, nga dinamika që kërkon. A të ka ndodhur ndonjë moment kur keni thënë ‘boll më’ jam lodhur?

Aurela Gaçe: Jo. Unë bëj atë që dua. Prandaj nuk lodhem.

30-vjetorin e karrierës suaj artistike pak muaj më parë e festuat me dy albume të titulluara “Unike” dhe “Taban” . Prej tyre 20 këngë janë të zhanreve të ndryshme dhe 5 këngë me taban si, “Çupa nga Vlora”, “Lento, lento”, “Në të zënça”, etj. Po ashtu keni thënë se do të jenë 18 videoklipe derisa risia kësaj here ishte se kishit një këngë edhe me vajzat. Përgëzime. Si u pritën albumet, prej nga ideja e bashkëpunimit me vajzat dhe pse emrat Unike dhe Taban?

Aurela Gaçe: E kam thënë në shumë intervista në kohën e promovimit të albumeve. Çdo gjë erdhi si pasojë e pandemisë. Punova çdo ditë, çdo ditë. Muzika ishte shpëtim për shpirtin tim. Duke punuar, lindën edhe shumë materiale (tekste).

Kam arritur në një pikë që bëj muzikë për zemrën time. E bëj se kështu e mendoj. E dua një rrymë, e bëj. Ajo që lëmë mbas, është fytyra jonë. Kështu e besoj.

Janë 20 këngë, nga të cilat 18 do të të jenë me klipe. Ndërkohë deri tani janë publikuar 16.

Bashkëpunimi me vajzat erdhi natyrshëm. Duke qenë se shkoja çdo ditë në studio e punoja, vajza e madhe tha, pse nuk bëjmë një këngë bashkë?

Është pëlqyer shumë nga fëmijët. Tani fëmijët kur më shohin në rrugë, me pyesin ku i ke vajzat se duam t’i takojmë (qesh). Është ndjesi shumë e bukur.

A do të thotë se edhe vajzat e morën rrugën që po ndjek nëna?

Aurela Gaçe: Jo jo, aspak. Fëmijët do t’i zgjedhin vetë ato çfarë do të duan. Ato të dyja kanë vesh muzikor, por që të bëhesh në art nuk mjafton vetëm kaq. Duhet ta duash shumë, që të mos dorëzohesh. Këtë gjë, nuk ua jep dot as mami dhe as babi.

Kthehemi sërish te bashkëpunimet. Dua ta përmend bashkëpunimin me të ndjerin Dr.Flori bashkë me Stinen, me titullin “SFL” , Stine, Flori, Lela…

Aurela Gaçe: Po ishte koha kur punova për albumin “Unike”. Me Stinën po punonim me këngën tonë, në fillim ishte diçka ndryshe nga ajo që dëgjuat. Stine, zbuloi se kishte një demo të shkurtër të Dr.Florit edhe më thotë,’’Wow shiko çfarë gjeta në arkivat e mija”. Menjëherë, morëm lejen e familjes për ta përdorur zërin e tij, dhe aty ndryshuam edhe konceptin e këngës. Isha shumë e lumtur për këtë gjë.

A keni pasur ndërmend ndonjë projekt ta realizoni me të ndjerin Dr.Florin, pra që ju ka mbetur peng?

Aurela Gaçe: Ne bashkë nisëm një demo, disa muaj para se ai të ndërronte jetë . E kishim lënë përgjysmë me mendimin se do ta përfundonim gjatë verës së atij viti. E çova deri në fund. Është kënga ‘Baba në skenë’. Ai e thërriste veten ashtu në një nga këngët e tij, prandaj edhe une e titullova ashtu, edhe në linjat e mia i këndoj atij, ‘Je baba në k’të skenë ‘, ku ai përgjigjet :Ajo Lela Lela, labja bela -bela”

Ai, në një nga bisedat tona të gjata më pati thënë diçka që unë nuk e harroj. Ne të dy, kemi për detyrë të fusim muzikën shqiptare në klube. Po flasim për 10 vite përpara, atëherë ma pati thënë këtë. Pra, ai e kishte fjalën jo thjeshtë për rrymat e ndryshme që këndohen ne shqip, regaton, afrobeat etj etj. Kishte qëllimin që këto rryma të kishin brenda frymën e muzikës tonë tradicionale. Këtë gjë ai filloi ta bënte me këngët ‘Hou çike’, ‘Do të vij të dielën’ ‘Ku ka si Tirona’, e të tjera.

Edhe tek kënga ‘Canake’ ai thotë pikërisht, “Ikën gottt një nga një u kapa pak me DJ’’, i thashë , po pse o rob i Zotit këngën Shqipe se ve?” Ça na ke? ( çfarë na ke ne?)

Mos harroni diçka. Në kohën që ai i krijonte këto, e kishte dhimbje këtë fakt. Klubet atëherë preferonin muzikë të huaj.  Madje pronarët e klubeve u thoshin DJ-ve në atë kohë, mos vendosni shqip ( se kishin hall të dukeshin modernë). Ëndërronin Ibizën.

Shumë vite më parë ju keni mbajtur dy koncerte madhështore, por a është në planin e juaj të afërt ndonjë koncert ku ata që e duan muzikën do të kenë mundësi LIVE të dëgjojnë këngët e juaja.

Aurela Gaçe: Unë çdo fundjavë e kam koncert . Për të gjithë ata që më duan. Koncepti im prej 11 vitesh LIVE në Tiranë, është pikërisht koncert. Jo thjesht, hajde dalim këndojmë. Ndërkohë shumë koncerte LIVE për gjithë njerëzit, kanë qenë në sheshe në shumë qytete. Pra, kjo është jeta ime. Jam gjithmone LIVE për publikun. Ndërsa për një koncert në Pallat të Koncerteve, mbase më vonë, pasi kjo kërkon shumë investim mbi teknologjinë, balet, njerëz të angazhuar. Kjo kërkon shumë investim në të ardhura.

Jeni unike si në dukje, paraqitje dhe në zë. Na tregoni pak sot këngëtarët a po i kushtojnë rëndësi më shumë dukjes (pamjes, veshjeve) më shumë apo vokalit?

Aurela Gaçe: Hmmm se di. Mbase kjo periudhë që po kalojmë, ka shumë presion mbi artistët e rinj.  Edhe unë kam pasur shumë presion qysh në fillimet e mija. Më kërkonin të ndryshoja, sjelljen, look-un( e kërkonin brenda rregullave që ata mendonin) e të tjera… Unë i qëndrova besnike ndjesive të mia. Nuk u tremba nga kërkesa për “perfeksion” . Nëse do ta bëja, nuk do të njihja më veten time sot.

Sigurisht jo të gjithë të pëlqejnë. Jo të gjithë do të të duan për atë që je. Nëse ata do të të duan se ti bëhesh “perfekt” besoj se ata nuk duan shpirtin tënd, por të jashtmen tënde. Varet çfarë do ti si artist të lësh mbas. Po u mundove t’u pëlqesh të gjithëve, besoj humb pak nga vetja.

Si ndjehet një artiste në kohë komercializmi. Si arrini ta mbani ekuilibrin në një treg të tillë?

Aurela Gaçe: Duke i ndenjur besnike vetes. Unë kam një të mirë. Shijoj shumë rryma. Edhe dëgjoj shumë rryma të reja. I dua, i kërcej, i shijoj. Besoj këtu lindin këngët e reja me frymë fresh.

A jemi të mbaruar, apo ende ka shpresë se kënga e mirëfilltë mund të depërtoj, shpërthej e dominoj në treg?

Aurela Gaçe: Se di. Në albumin tim, ka këngë që tingëllojnë jashtë realietit të sotëm (qesh). Këto këngë nuk dëgjohen, nuk depërtojnë me aq kollaj sa ritmet rinore. Unë për vete e bëj detyrën ndaj pasionit tim. Nëse shumë artistë do ta bënin, mbase do të kishte mundësi publiku të zgjidhte vetë./ ObserverKult


hajredin pasha kendraur nga aurela gace

Lexo edhe:

AURELA GAÇE “THUMBON” REPERËT: BËJNË BLAH-BLAH PËR ATA QË U KANË DALË THINJAT NË SKENË…

Aurela Gaçe shpesh në rrjetet sociale ka kritikuar blerjen e klikimeve nga këngëtarët.

Së fundi, Gaçe përmes një postimi ka thumbuar reperët duke krahasuar klikimet e tyre me ato të Eminem, Snoop Dogg dhe Dr Dre, në këngën e tyre më të re, “Back in the game”.

Artistja shkruan se, legjendat e hip hop-it bashkë në 5 ditë kanë mbledhur 7 milionë shikime në “YouTube”, ndërsa nëse kjo ndodh me artistët në Shqipëri do t’u thuhet se u ka rënë fama.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult