Bajram Mjeku: Ëndrrat e mërguara

shiu poetry by bajram mjeku observerkult donika dabishevci e gjithkohshmja andërr

Prandaj ika një mëngjes të hirtë
heshtur, pa më parë askush
këtu as luleve nuk ua ndjeja erën
edhe dashuria ishte veç një pusht.

Prandaj këtu as ëndrra nuk shihja
si të shihja kur truri ishte ndalë?
Ishin ndalur ëndrrat moti në kufi
mbas meje nuk deshën për të ardhë.

Prandaj u ktheva në Polin e Veriut
një nadje nëntori disa vjet më vonë
derisa kërkoja ëndrrat e mërguara
nga zhgjëndrra më zgjoi një këmbanë.

Prandaj dola beftë nga hoteli i braktisur
të pija kafenë e zezë i vetmuar si dikur
në kishën skaj meje një çift i palumtur
pa ëndrra për të ardhmen bënte kuror.

Prandaj Ana Kristinë u shfaq papritur
takat e saj më trandën nga gjumi i rëndë
ende kërkon ëndrrat në Polin e Veriut?!
më pyeti beftë dhe u tret në metropol.

Prandaj mbeta i vetmuar në pistën blu
ëndrrat mërguan papritur mbi aeroport
mbeta i nemitur, i heshtur, ëndërrvrarë,
si gruaja lehonë pas dështimit në abort.

Helsinki, nëntor 2007