Bajram Mjeku: Karantina

Pash më pash sonte i rashë Prishtinës
Sheshe të zbrazëta, s’lëvizte asnjeri
Veç kukullat e reklamave në dyqanet bosh
Më soditnin heshtur e buzëqeshjengrirë.

Këmbët papritur më çuan te Kastrioti
Gjithmonë i heshtur, ngjeshur me shpatë
Kali i tij nuk hingëlloi natën pa hënë
Gjithçka u rikthye pesë shekuj më vonë.

Siluetat u shfaqën në Sheshin Skënderbe
Pranë Teatrit nisi të shfaqej një dramë
Djemtë e Arbnit përgjakeshin me jeniçerë
Murtaja që s’e pashë vërtitej mbi plato.

Shpata e mburoja t’përgjakura kudo
Një nga një i mblodha në një balladë
Nuk ndodhi beteja te Ura e Qabesë
Ndodhi në Prishtinë, në sheshin e zbraztë.

Pastaj një gjamë e ndjeva që larg
Jam Pjetër Bogdani tha zëshëm ai burrë
Një natë sikur kjo me murtajë e makth
Jeniçerët më hodhën midis kasabasë
Copë më bën qentë e Perandorisë së sëmurë.

Këmbët papritur më kthyen te Katedralja
Trembëdhjetë herë këmbanat oshëtinë
Të gjallë e të vdekur nisën të mbajnë vesh
A dëgjoni, dy mijë vjet jemi në karantinë
Dy mijë vjet murtaja frymon midis nesh…

Prishtinë, mars ’20