Erina Çoku: Grimë dashnie

Jam nji grue si asnji grue
si ty t’don porsi nji grue
veç aspak si çdonji grue
per ma sâkt: si kurrnji grue.

Jam nji grue e vocërr krejt
thrrmijë pa dukë m’kyt qytet
nuk t’due mir, as t’due drejt
nuk t’due krejt, nuk t’due krejt.

Un rri pjerrt e folem drejt
pak t’due, s’jam tu rrejt
se kur bâj nji analizë
del se t’due sa nji qelizë.

Oh, bre sa e vogla asht ajo
me matë sâkt si grueja do,
bre sa grima kalue grims
me matë sâkt filln e dâshnis.

Tash ta marrim sâk kadalë
çka nuk due si duhet dashtë
çka nuk matet jo me fjalë
çka dâshniet metet jashtë.

Ty nuk t’due sy, as buzë
ty nuk t’due kry, as lkurë
ty nuk t’due trup, as zâ
ty nuk t’due bash kurrgjâ.

Syt e errt’, ninzat thik’
kryt tân men, pik’ m’pik’
lkurn e xet m’u ngushllue
zân e ultë m’u ledhatue.

Kto s’jan gjâna me lân mend
po i tham sa per kuvend
se un du me t’bâ me dije
se nuk t’du sikur t’ka hije.

Nuk t’due frymn, as t’due shpirt
as zemren tande, as tanden drit
nuk t’due zjarmn, as t’due gacë
as kangën tande, as tanden fjalë.

Se kto s’jan gjâna mendt me lanë
jam t’i than veç sa m’i thanë
e sall me dije ty me t’bâ
se kto gjâna kushdo i ka.

Un ty due me t’kallxue
se t’due ty, e ty nuk t’due
si kurrkush tjetër jo nuk di
si kurrkush tjetër e kurrnjeri.

Pranej veten menoje vetë
se t’perkita lehtë e lehtë
ty kadalë tue t’zdeshë
krejt cullak pa gjâ veshë.

Ah e di, fort je tu drue
me t’zdeshë ty ‘ikshu nji grue
si ty t’don veç sa nji thue
e aspak si çdonji grue.

E di, bre po mos u tut
se kurrgjâ nuk ka me u ngut
zdeshja veç sa ka fillue
a bân tash m’e mbarue?

Qe t’kam hequn ty çdo petk
qe t’kam hequn lkurn leht’
qe t’kam hequn mish e gjak
qe t’kam hequn asht e palc’.

Durve t’mia met’ veç aht
zanafilla e trupit tând
grima hyjnore eterit râ
grima drits si ty t’ka bâ.

Njat gjâ t’vocerr krejt pa dukë
njat grim t’imt tanden t’kurrkujt
njat gjâ krejt-krejt pa rândsi
e due un si kurrnjeri.

Jam nji grue si asnji grue
si nuk don porsi nji grue
si nuk don si çdonji grue
per ma sâkt: si kurrnji grue.