Belfjore Qose: Sikur

belfjore qose

Nga Belfjore Qose

Çastet tona vdesin në cepat e rrugëve
Ku harruam puthjet tona të palindura.
Ti – folje, thoje: eja, shkojmë, ikim, vijmë,
Me të njëjtën shpërfillje siç dëgjoje
Zhurmën që në lokale e quaje muzikë.
Unë – lidhëz: nëse, në qoftë se, megjithëse
Sikur-et ngrihen dhe bëhen dëshirë,
Lutje e thellë, e paharruar, sa dhe e kotë.
Sot, bota është e pavlerë
Prej këtij sikur-i të dikurshëm,
Kur eja-n tënde e shpërfilla duke nxituar
Për orare punësh, vendesh boshe, sepse pa ty,
Pa kujtimet për ty, pa ne-të tona
Të supozuara, të mundshme, të arritshme, të predestinuara.
Tani mbiemrat janë ulur mes njohjes për ty,
S’kam premtime ku të varem për të mbytur veten,
S’kam qëllime që të shijojnë sa mosqëllimësia me ty,
S’kam asnjë Itakë që të presë kthimin tim,
S’e kam pavetëdijen shokuese që bënte gjithçka
Të shijonte si luleshtrudhe të egra pylli.
Trupat e maleve, shtigjet e tyre të errëta,
Lëkura e ujit, drita e saj verbuese,
Nuk kanë pushtet mbi mijëra vetet e mia.
Ka ritëm kujtese çdo fymëmarrje e paplotë,
Mbushur me sikur-e të urryera e të dashura,
Si lotët që lagin zbrazëtitë tona katalizatore.

ObserverKult

Lexo edhe:

BELFJORE QOSE: I BËRË PREJ ËNDRRAVE TË MIA