Besim M. Zymberi: E dashur, ti e di se ku mund të më gjesh…

Edhe sonte, patjetër aty do të jem
Ndaj ti e di se ku mund të më gjesh
Dy gota mënjanë me kohë i kam vënë
Dhe vetëm një qiri do jetë ndërmjet nesh

Po deshe, të lutem, zemrën gur ta bësh
Pa ta shohësh çastin si bëhet përjetësi
U bêftë asgjë vetëm në kujtim t’mos e lësh
Po prekëm skajet më të thella unë dhe ti

Sonte natën më të gjatë do ta doja
Një natë që do të harronte për një mëngjes
Qoftë vetëm që ty të ta provoja
Që deri në pafundësi mund të të pres

Dy gota të thella, përvëluara në mall
Dhe ndërmjet tyre i heshtur një qiri
Që mund ta fikë papritmas një erë e marrë
Po nuk e fikëm midis buzëve unë e ti

E dashur, ti e di se ku mund të më gjesh
Dhe s’ke pse të mungosh edhe ti aty…
Do të jemi, veç hënës së skuqur mes resh
Dy gota, një qiri i heshtur dhe vetëm ne të dy…