Besim Zymberi: Kam mbetur në rrugë. Nuk di kah t’ja mbaj…

besim zymberi

Poezi nga Besim Zymberi

Kam mbetur në rrugë. Nuk di kah t’ja mbaj…
Nuk shoh ndonjë shenjë t’ma bëjë me gisht
Se ku zura në thua, do ta marr vesh pastaj
Kur erërave tinëz do t’u kacavirem në bisht

Ndoshta edhe nuk mund të kem gabuar kund
Dhe rrugët të gjitha shtrihen para meje
Por, ja që derëziu njeri ndonjëherë e humb
Dhe sakaq mbin diku si drithmë rrufeje

Shenjat patjetër duhet të jenë këtu
Si gjurmë në gurë a vetëm si shushërimë
Ndaj shtegu duhet të jetë patjetër afër diku
Ku ka një fërkemë a mbase një psherëtimë

Befas, nata zbret, krejt e zezë futë
Dhe trishtimi im i humbjes shtatin vetëm rrit’
M’u atëherë shoh se kam vënë shputë
Drejt e në kallëpin e bërë nga perënditë

Symbyllur mund të vazhdoj tutje tani
Pa patur frikë nga tretja pa nishan
Dhe saherë të dal në rrugë përsëri
S’ka kush të më shtyje shtegut tim matanë

Edhe mua qielli shtrat më ka dhënë
Dhe fenerin e ndezur nga vetë perënditë
Ndaj, sot nuk di se ç’më zuri ajo gjëmë
Sa skuqem që, m’u si një fëmijë pata frikë…

ObserverKult


Lexo edhe:

BESIM ZYMBERI: DO TË DOJA QË SONTE TË VISH…