Besim Zymberi: “Natën e mirë”! Pse bëhesh sikur s’e dëgjon…

besim zymberi

Poezi nga Besim Zymberi

“Natën e mirë”! Pse bëhesh sikur s’e dëgjon…
Urimin që ta them çdo të lume natë
Ndonëse krejt pa zë, në një orë të vonë
Duke mbyllur dhe sytë me këtë uratë.

Pastaj ëndrrave krejt i shkujdesur bredh
Me buzët në flokët tu, pa droje, pa frikë
Fluturat ngjyra-ngjyra lehtas tek t’i mbledh
Ato, që vetëm ty të zbresin në qerpikë

Që ti s’më përgjigjesh, harroje, s’është gjë
Për mua, s’je qiell që hapesh veç për një dëshirë
Ndaj edhe netëve tutje, do të t’flas, pa zë
“Gjumë të ëmbël paç! Natën e mirë…”

ObserverKult


besim zymeri burg serb poezi

Lexo edhe:

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Besim Zymberi.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

Nuk e di se cili mund të jetë kufiri i fundit i lumturisë…
Përballimi i dhembjeve, triumfi ndaj vështirësive, aftësia për të pranuar sa më qetësisht realitetin-të bukur ose të vrazhdë, emancipimi i vazhdueshëm i botëkuptimit për lirinë, përpjekja e vazhdueshme për të mbetur sa më afër njerëzores, solidarizimi me nevojat e të tjerëve, gatishmëria për sakrificë  në shërbim të një ideje madhore, njerëzore ose atdhedashurie dhe sigurisht, edhe ndonjë britmë gëzimë në situata të veçanta, janë të gjitha që më bëjnë ta njoh lumturinë si formën e përkryer e përjetshmërisë, qoftë edhe të një çasti…

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika ime më e madhe, ndonjëherë mund të jetë-frika nga pamundësia për ta menagjuar vetë frikën!

Besoj deri më tani t’ia kem dalë me sukses.

Ndërsa, frika ime më e madhe, por që nuk ka të bëjë me mua personalisht, është frika nga denatyrimi i njeriut, drejt  së cilës gjendje, druaj se jemi duke ecur krejtësisht të shkujdesur….

Tekstin e plotë e gjeni KËTU