Besnik Camaj: Le t’buçasin muret!

Besnik Camaj është ligjërues i dizajnit grafik në njërin nga Universitetet e Zvicrës. Përveç tjerash Camaj është aktiv edhe në organizimin e kurseve falas për fëmijët shqiptarë atje.

Camaj është autor i disa vëllimeve poetike ndërsa shkruan edhe prozë.

Në vazhdim mund të lexoni një cikël të tij poetik:

NË KËTË BOTË

të marrë
unë jam rrugë
e ti strehë
që veç pikon
e deh

KURRË

nuk u bëmë bashkë
sa i ngushtë ky shteg
për t’u ça
sa e shkurt kjo jetë
për t’u nda

NË DET

u zhyta krejt
mandej
ngrita kryet
si përgjumshëm
hapa sytë
e brita
pak ujë se vdiqa

N’ECJE

çdo ditë
bregut t’lumtë
e shoh
nji njeri t’urtë
me një libër të pashkruem
e të harruem nën sqetull
dhe një tjetër n’dorë
kohë-pas-kohe
e shfleton nga pak
flladit djersët
merr frymë
e ftyra i del
n’shesh
tue ça

SI

shi sigjim
kacavaresha
ujvarës së qiellit
atë ag
ajo
ofshau butshëm
për të dytën herë
doli në terrasë
vnoi mbathjet mbi tel
e cigaren mbi buzë
dhe më thau tanë jetën
e lume

N’ATË ÇAST

kur të mbërrish
kam me e shkërmoq pritjen
n’hap-a-krah
kam me t’kyç
n’thelb t’zemrës teme
veç me ta ndigju
të shtermen e zanit
korridoreve t’andrrave
le t’shqyhen tingujt
le t’buçasin muret
O sa butë kam me t’prek
n’vagëllimën tande
kam me t’peshu
e kam me t’ngritë
n’majën e qiellit tem
veç me ta tregu atë botë
t’mbusht me frymë
me aromën tande

mandej
shkojmë tanej