Besnik Camaj: Poezia asht frymë

bes camaj

Flasim përhanshëm me poetin Besnik Camaj.

Nga: Xhemazije Rizvani

_____________________________

Përse na duhet poezia?

Poezia asht frymë që e marrim kur e lexojmë dhe e japim kur e shkruajmë. Na shërben me e marrë veten me t’mirë, me ikë prej së tashmes e me hy në një botë tjetër pak ma të dashtun që ndojherë kalon kufijtë e imagjinatës. Poezia asht edhe kangë, që në vend të notave shpërfaqet me shkronja. Tingujt në vargje e shlirojnë shpirtin prej ndjenjave që e turbullojnë mendjen, hon e don. Ndojherë na mbushin me shpresë se gjithçka rrotullohet rreth të bukurës, të vërtetës dhe së drejtës.

Sa e vështirë është të jesh besnik?

Nuk asht aq lehtë meqë kjo botë asht e marrë, nji lloj rrëmuje me shumë të paprituna e paqartësi që nga krijimi i saj. Por qenësore asht të jesh besnik ndaj vetes dhe kjo i rrëzon rrokotel shkallëve të gjitha besnikëritë tjera. Shembulli më i denjë i besnikëve mendoj se janë qentë!

Kujt do t’i ngritnit një monument?

Monumentet kanë ngjyrime heroizmash, bamirësish, arritjesh ose tjetër. Veçse mbi shumë prej tyne ndalen me pushu pëllumbat. Disave iu kalon koha, sikurse Don Kishotit. Përkundër kësaj, në mendjen time përmendore të veçantë i kam ngrit vetëm gruas. E kam punu me ngjyra t’ambla e me plot shije si filigran të shtrenjtë, tu e këndu me za dashnie.

Pa vetminë kush është Bes Camaj?

Asht ajo pjesa tjetër që i kthehet detyrave dhe kënaqësive të jetës, që n’ishull nuk ik, që nuk shkruan e as nuk sheh andrra të purpurta. Por zgjohet heret, shkon me u ble bukë fëmijëve e mandej kthehet me pregatitë kafet e mëngjesit. Gjithashtu kujdeset në vazhdimësi për kopshtin, mbushun miq të zgjedhun, që i bie se nuk takohet me qetësinë e vet, me paqën.

A jeni penduar për diçka?

Nuk i besoj fort pendimit, meqë i kthehem gabimeve. Në heshtje keqardhem për kte, gjithnji tu e pyet veten pse nuk kam ba ma shumë dhe ma mirë. Shembull konkret asht kjo intervistë. Përshtypem se po mënjanoj nji copë kohe të mirë për me tregu që di diçka, megjithkëtë më mundi shpresa se ndokush mund të nxjerr ndojgjë nga këto përgjigje.

Çfarë prestigji meriton poeti?

Poeti asht pararojë e njerëzimit. Fjala ”prestigj” nuk asht e qëndrueshme, më duket e huaj. Por me aq sa kuptohet, mendoj që poetit nuk i hyn fort në punë, se mandej i ipet vetëkënaqësisë dhe sa çel e mshel sytë u hyp skijave e del n’sërnishtë, djerrinave.

Si e zbut zhgënjimin?

Për mos me thanë hiç, zhgënjehem tepër rrallë sepse i kuptoj shumë mirë njerëzit dhe di me falë. Mund të ndodh me dike që e dua, por menjiherë i kthehem mendimit se asgja nuk asht e sosun e as e përsosun. Dhe zbutjen e filloj me nji gotë vene t’kuqe me erëza, pak çokollatë të zezë, disa thelbij arre, dy-tre shikime n’largësi, nji mori serenatash korçare në sfond dhe nji vallëzim krejt vetëm mbi nji dysheme të rrumbullakët të vizatume pa kompas.

Turp të heshtësh, apo të flasësh?

Me heshtë ose me folë asht ekuacion jete. Po po, kjo simëdyshje shekspiriane ka të baj me nji ekuacion të zhdrejtë ku turpi nuk përjashtohet n’asnjanën anë. Sepse ndodh që tanë jetën mbetemi peng të disa heshtjeve, ose të disa gjanave që i kemi thanë pa mendu mirë. E kjo na lë pa shpengim, dhe kështu i kthejmë shpinën njani-tjetrit e zhytemi në gjumë derisa të na mban shtrati, në vend që të përballemi me të vërtetën dhe ta mbrojmë të drejtën orë e çast.

Pa cilin autor nuk mund të ketë lersi shqipe?

Fillimisht, pa De Radën besoj unë. Oh, s’mundem pa e përmend edhe Pashkun, Kutelin dhe Kadarenë në prozë. Mandej, pa grushtin e fortë të Migjenit, pa tingujt e Camajt, zjarrin e Poradecit dhe rrëket e Shkrelit në poezi. Këta autorë shqiptarë sollën plotfuqinë e shkrimit krahas letërsisë së përgjithshme. Shpërthyen kufinjtë e lagjes dhe të qytetit e dolën faqebardhë në letërsinë botnore.

Cili libër ju duket i patjetërsueshëm për lexim?

”Njeriu me vete e me të tjerë”, ndoshta sepse saherë lexoj ato vargje gjej miriada melodish që më mbajnë ndezun gjatë tanë rrugëtimit mbrenda tyne. Shpesh librin ua jap edhe të tjerëve për ta lexu më vete.

Ç’ju ngjallin turmat?

Turmat e para i kam pa në vegjëli, në pazar dhe kurrë si kam pasë në qejf. U shtyjshin shumë e ua merrte ana tanaherë. Megjithkëtë, nuk mund të jap përgjigje të saktë se nuk jam njohës i tyne, po pak a shumë i shoh si mendje në kërkim apo anasjelltas, që tundohen nga ernat e çastit, pa e ditë mirë nga vijnë dhe ku kanë me mbaru. Prandej janë të frikshme!

Si cili personazh ju duket vetja?

Nuk e kam idenë! Kurrë se kam mendu këtë. Më ngjan në ato pyetjet që vijnë nga ndoj sipërfaqe e zhytun në dimensione simptomatike të tjetërsimit. Me u duk si dikush tjetër, mos me e jetu jetën tande, larg koftë!

Cilët njerëz të frymëzojnë?

Nji fëmi që ndërton nji kështjellë rane, krejt për qef t’vetin pa u brengosë që në fund ka me ia rrëzu era, ose valët e detit, ose nji kambë frymori, a dy t’shkreta. Më frymëzon edhe nji tjetër fëmi kur m’kqyrë n’dritë t’synit pa i lëvizë qerpikët, tue m’thanë pa fjalë se kurrkush nuk po e kupton. Besa edhe nji tjetër që hiq pa m’kqyrë kërkon me i ndihmu në labirintin që asht tu e ndërtu. Më frymëzon edhe nji grua që i përngjan sado pak të Shenjtës Nanë Terezë, ose nji burrë fisnik që rrallë gjendet në këto kohë.

E shkuara për çka të ngjall nostalgji?

Për nji taz tamël t’nxehtë nga nana, ose për një përshesh me kos pregatitun me bukë kollomoqe nga gjyshja. Kujtoj që janë ndjesitë dhe gjanat ma t’bukura që s’mund të përsëriten ma, përveçse në nji masë kur i kujtojmë dhe i shkruajmë. Ndaj dhe dashnia për letërsinë sepse na i kthen përjetimet e mira, na e mëdysh pak realitetin, na e ban ma të jetueshëm, ma t’kandshëm, ma të shkronjshëm e ma të hirshëm.

Ç’do të thotë guxim për ty?

Guximi për mu asht vullnet me e ndryshu status quo-në, me dalë n’dritë. Asht shteg për nji vazhdim ma të mirë tue i kapërcy vështirësitë. Po të teprohet, mund të jetë edhe i damshëm, si krypa në prush kur t’i pikat sytë. Veç kur krah e ka të drejtën, atëherë kalon edhe nëpër birë t’gjylpanës dhe mbërrin me e tjetërsu realitetin e padashtun. Padyshim, po u shiku në thelb, guximi asht dashni dhe unë e çmoj fort kur asht i qetë dhe papërgjasim.

Cili qytet të fut në një përrallë?

Më duket se asht i njëjti sepse ndihem krejt njisoj, por janë dy: Shkodra dhe Parisi. Asht ajo ndjesia e hollë që nuk harrohet kurrë që nga vizita e parë kur je ndi pjesë e ati qyteti, thuajse ke jetu n’atë vend përpara se me ardhë këtej. Të shpërfaqet ashtu sepse ndihesh flutur, dhe fluturimthi ta kthejnë buzëqeshjen edhe lulet, edhe gurët, edhe njerëzit, edhe retë. Disi ngjan me imazhet numerike vektoriale, të cilat edhe kur i sheh nga largësia edhe kur të shkosh në thellësi të detajeve, cilësia mbetet e njëjtë. Asht kogja magjike kjo!

Përse shkruan?

Sepse kur shkruaj ndihem fort mirë, e kam shpirtin e qetë e të shlirë. Janë ndjenjat ato që presin me dalë prej gacave t’oxhakut tem e me u flladitë n’ajri. Asht ai zjarri i tepërt shpirtnor që kajherë më djeg tue u tëhollu në gjuhë flakësh, dhe kalimthi merr formë shkronjash t’vargëzueme. Matanej, vargjet i nis rrugëve jashtë vetes, që të ngrohen edhe të tjerët. Shkurt e thanun, shkruaj se nuk mundem pa shkru. Asht krejt njisoj sikur nji kangë dalldie që e ke në mendje tanë kohën dhe s’mundesh pa e këndu kudo që je, madje edhe kur çon dashni në nji gëmushë.

Proza, ose poezia?

Proza për mua asht nji rrugë e mërtisun me borë ku ecet me kujdes, ndërsa poezi janë gjurmët që mbesin dhe bijnë në sytë e thellë, atë synin e mendjes siç thoshte Gjergj Fishta. Mbas rrudhëtimeve me shkronja t’gjalla, si në prozë ashtu në poezi, ka gjana që më dehin jashtë mase. Në ato çaste më këndellet shpirti dhe mbushem frymë për me shku ma larg. Prandej të dyja i dua. Me thanë kah del shpirti, proza më flen ndërsa poezia më flet!

Kush është Bes Camaj?

Nji krijesë e çuditshme që përpiqet me shpirt me u ba njeri. Për pasojë nuk ban krejt çka don. Asht i bekuem nga qielli e nga dheu, nga familja, gruaja e fëmijët dhe nga miqtë. E don shumë Artin, Ujin e Burimit, qetësinë e Shpirtit, Diellin e mëngjesit, përndritjen e Natyrës, thelbin e Arrës, stinën e Shegës, Tingujt që shkëpusin telat e Violinës, erëkandjen e Luleve, zanin e çjerrë të Kitarës, freskinë e Rrugëve të dehuna, bardhësinë e Territ të mbrendshëm, gacat në thellësinë e Syve, Librat që ta shtrëngojnë Gishtin e vogël, e pafund kësolloj marrëzish të bukura.

Në çfarë gjuhe ëndërron?

Çmendarake më duken andrrat, dritshkronja lëvizëse që janë terratisë nga nji skenarist i panjoftun që flen në nënvetëdijen tonë. Më ndodh me pa andrra dhe me i harru para se me u çu n’kambë. E kam zbulu vonë që sapo të më del gjumi asht mirë me e shkru andrrën diku. Shumë herë kam pasë përshtypjen se folsha shqip në to. Megjithatë, mendoj se andrrat kanë nji gjuhë latente, krejtësisht të veçantë, që buron nga ndjenjat dhe derivon vazhdimisht, varësisht prej subjektit të andrrës.

ObserverKult

Lexo edhe:

BESNIK CAMAJ: KUR

BESNIK CAMAJ: LE T’BUÇASIN MURET!

POEZI NGA BESNIK CAMAJ: TASH MUND TË FLASIM GJITHÇKA