Bilal Xhaferri: E nisëm njohjen tonë me një ndarje

“Dhe jeta kështu do më ikë një ditë
 si këto brigje të Azovit”.

                            Majakovski

Muzgu i mbrëmjes
erë e detit me shi.
Ti më shfaqesh në mëndje
si atëherë:
Me dorën e ngritur gjerë tek tëmthat,
nën dritat e dobta
pranë shinave të lagura.
Si rrëke brilandash të thyera
vezullonin e dridheshin në mbrëmje
kullimet e shiut të pullazeve.
Si krah të shtrirë në largësi
zgjateshin binarët e shinave
dhe ndiqnin trenin në errësirë:
Udhë të mbarë, lamtumirë!

Qe mbrëmje dimri atëher,
e fundit mbrëmje e vitit që ikte
e para mbrëmje e vitit që vinte.
Kur trenat ndërroheshin në stacion,
kë pritje ti atëher,
kë përcillje?
………………
Të dashurova si një Obllomov
i heshtur
Nuk ndodhi asgjë,
ç’mund të ndodhte?
E nisëm njohjen tonë me një ndarje
dhe mbetëm të ndarë të panjohur.
………………
Të të ndaloj
që të të them
sa të dua.
Si, nuk e ndjen ti këtë?
Unë dashuroj bashk me ty
këtë qytet bregdetar
të bukur.
………………
Dhe shirat detare
kalojnë dhe shkojnë
Unë s’i ndaloj që t’u them sa i dua.
Pranverës,
vjeshtës plot trishtim të magjishëm
nuk u thashë ndonjëherë
se me to kam rën në dashuri.
……………….
KUSHEDI
NDONJË herë në mëndjet tona
të njëjtat mendime u kryqëzuan.
Kushedi
po i njëjti shqetësim
n’a përshkoi lehtas shpirtin
……………
Jetuam kaq pranë,
ëndërruam.
Si në ëndërr iku jeta
pa kuptim.
……………..
E mbeta për ty
ashtu siç isha
një i njohur, i panjohur.
………………..
A e di cili jam?
Biri i egër i shkrepave detare,
i rrahur me shtrëngat në Veri.
Jam si një ujk i uritur
që hunguron me urrejtje
të rreptën këngë të pyllit.
Kalova pranë vitrinave,
pranë librave,
pranë teje.
Kalova pranë linjave
muzeve.
U enda porsi një ujk
dhe mbeta i pazbutur
ujk për jetë,
s’u mësova
si duhet
të leh me qent.
………
Në qiell vezullojnë mozaikët e yjeve
në këmbët tona
janë mbuluar në thellësi
zembakët e nëndheshëm antikë
janë mbuluar atje
të tjera pasjone,
mendime.
……………………..
Po ruan tërmete në gji.
……………..
Çomanga mizore e kohës
ia rrëzoi herojt nga pjedestali,
ia rrëzoi perëndit e përjetshme.
Tani qëndrojnë në muze
të nxjerrë nga thellësit e kohrave
një Apollon…
një gjysëm…
një luftëtar Ilir,
pa shtizë, pa mburojë.
Një kafkë e gjymtuar poeti.
Një këmbë….
qëndrojnë
ndanë rrugës
një ciceron pa gojë.
……………………..
Treni rreh rrugën e largët
si krah të shtrirë në hapësirë
zgjaten binarët e shinave,
Drejt një qyteti të panjohur
të mbuluar nga mozaikët e yjeve.

Në shtëpinë tënde në periferi
shtrihet mbi lum ura me parmak të drunjtë.
Matan shtrihen livadhet mbushur me lule
                                                    ngjyrë fildish
që zbardhëllejnë e llumburisin në muzg
si stërkala valësh të përhapura me grusht.
Ti ke mbetur në kujtimet e mia
e shkrirë së bashku me atë bukuri transparente
e ndriçuar nga shkëlqime të florimta
që digjeshin në mbrëmjen ngjyrë shege.

Kur do kthehem vallë përsëri atje?
Pranë maleve të bakërt,
pranë kodrave me lizavare të kaltërt?

Tani kanë rënë të gjitha lulet e shegëve
dhe kokrrat janë vjelur
edhe gjethet kanë rënë.
Vetëm ti lulëzon në pejsazhin e trishtë
vetëm ti e ruan pranverën në gjirin tënd.

                                               10 Gusht 1969

Shënim:
Disa ditë më vonë Bilali është arratisur.
Poemës i mungojnë vargje dhe strofa.

*Titulli i origjinalit: “Mjegulla”

ObserverKult


LEXO EDHE:

BILAL XHAFERRI: S’DO TA HARROJA KURRË MARIEN…