Perëndim’ i purpurt shuhet përmbi dhe.
Larg, ylli i mbrëmjes digjet si fener.
Ndanë rrugës hapen shtigje me marrë,
në rrugë kalon reparti im xhenier.
Dredhon në të përpjetën, buzë lumit,
kjo rrugë e largët, rrugë e humbur mali.
maretë me vath të kuq, si gurë rubini,
në ëndrra i përkund puhi e zallit.
Përkund puhiza me mare
dhe pluhurin e rrugës hedh mbi ne.
Dhe ëndrra rinie era zgjon,
dhe djersa sipër ëndrrave kullon.
Çdo bulëz djerse më duket si një yll
në qiellin e kulluar pa kufi
dhe qielli i lart më duket si pasqyrë,
ku shoh fytyrën tënde Shqipëri.