***
Të jem i sinqertë jo vetëm me ju por edhe me vetën time ka vite, muaj javë e po bëhen shumë ditë që e vrasë mendjen se si dhe ku u zhdukë një dukuri shumë e shpeshtë që e gjeje kudo nëpër qytetet, fshatrat, rrugët, rrugicat, lagjet dhe mehallat e atdheut tonë. Atë botë e thërrisnim dhania e dorës apo dorëdhënja. Ky ishte një gjest fort i përhapur, mund t’ja jepje dorën gjithkujt që e njeh, por s’ishte domosdoshmërisht e nevojshme njohja. Kjo e shoqëruar jo vetëm me shtërngimin e dorës së atij që e zgjate i pari , por edhe të atij që i përgjigjej në të njëtën formë me dorën e tij. Ku rit i lashtë tradicional në qoftë se mund ta quajmë rit quhej “shtërngim duarsh”. Rreth tij ka lëgjenda ndër shumë popuj por tek i yni është përmbajtësor, i qënësishëm, një dok, zakon apo shejntëri që na shquan ndër kombe.
Kur ja jep dorën dikujt i ke dhanë besën, kur i ke dhanë besën ja ke besue jetën. Kur ja ke shtërngue dorën dikujt ja ke falë gjakun, i ke dhënë mbështetje, siguri, i ke shprehur mirënjohje, besim. Gjithçka i ke dhënë dhe të ka dhënë ai shtërngim duarsh. Dhënja e dorës ka qënë aq popullore sa e ka përdore edhe i madhi edhe i vogli, edhe i pasuni edhe i varfri, pa dallim as në fe, as në pozitë. Sigurisht njerëz të ndryshëm e kanë përdorë shterngimin e duarve për interesa të ndryshme dhe zatën që kur u shfaq interesi në dhënjën e dorës nisi edhe një farë rrallimi i përdorimit të këtij gjesti masiv. Dorëdhënja si veprim shoqërohej si ndër meshkuj edhe ndër femra me gjeste shtesë, që herë mund ti quash përqafime, herë përqafje, herë shtërngime, ndonjëherë puthje të lehta në faqë. Kur ishin puthje ndodhte që ishte një me të rrallë, por shumicën e herëve dy, katër, gjashtë, por edhe tetë. Kohëve të fundit tek burrat filluan të reduktohen puthjet edhe kur ata ishin brenda fisit. Nisi të shfaqej një traditë e vjetër e prekjes së qosheve të kresë një, dy ose tri herë. Edhe te femrat u vu re një lloj rrallimi me njëra tjetrën, por nisi të shpeshtohej kur takonin shokët, miqtë apo të dashurit. Puthjet në buzë çështë e verteta për shumicën e brezit tonë i përkasin një intimiteti që s’na ka ra të ambjentohemi shumë me to. Ato, puthjet në buzë i kishim ndeshur rrallë nëpër filma, i provonim tek- tuk pas një muri, poshtë një pishe, në mbrëmje vonë në ndonjë shkallë pallati, tek ndonjë stol i vetmuar nëpër parqe dhe më shpesh tek Liqeni Artificialë.
Viteve të fundit edhe ne shqipot filluam të bëheshim më perëndimor se perendimorët siç e kemi zakon, që e kapim me shpejtësi kohën e humbur. Nisëm dhe i thjeshtuan në ekstrem dorëdhënjet me përulje dhe respekt. Përqafimet dhe puthjet i zëvëndësuam me shprehje perëndimore “cioa amore” “by my friend” “I love you” “Bissu” “Kiss you” etj. Puthjet me dorë në distancë nisën të zënë vendin e atyre që i ngjisnin buzët nëpër faqe apo buzë. Duke avancuar në teknologji ja dolëm që përmes telefonave t\i kryenim dhe mbaronim shumë punë që njëherë e një kohë bëheshin nëpër stola parqesh, nëpër shtëpi shokësh, apo nëpër qoshe rrugësh.
***
Po puthja, ajo e ëmbla, hyjnorja, ëndrra e çdo adoleshenti, ku dreqin shkoj, në cilin pyll humbi, në cilin lum u mbyt, në cilin planet u tret. Patëm filluar të kishim mallë të shihnim të rinjë që puthen në buzë, thua se buzët janë mallkim, thua se buzët janë shënjat e djallit në tokë dhe jo shenjat e zjarrit të dashurisë.
Po mirë puthja në buzë që po na dukej si filmat bardh e zi, por kish nisë të na merrte malli edhe për shtërngime duarsh, rrahje shpatullash apo ta shihnin njëri tjetrin drejtë e në dritë të syrit pa na u rrudhë qerpiku.
Por që do të vinte një ditë që s’do të mund të shihnim më njerëz që do ja japin dorën njëri- tjetrit, që i largohen takimit me sy, që e shmangin drejtimin e ecjes më njerëzit e afërt, me njerëzit që ndajnë vlerat dhe ndjenjat besoj te vetja ime por edhe tek ju askush se kish menduar. Veç ndonjë mendje djallëzore duhet ta ketë menduar dhe parashikuar këtë ndjesi shtrigane.
***
Kam të paktën tridhjetë apo më shumë ditë që s’ja shtërngoj dorën askujt. As babës s’ja kam dhanë dorën, as nanën së kam marrë në gjoks. Shokët dhe miqtë me të cilët mbush jetën time ka kcye muaj e si kam takuar, ata që i kam parë rastësisht si kam prek me dorë thjeshtë jemi përshëndetur si ushtari me komandantin, apo si rrugëtari me rrugëtarin. Vajzat e bukura të mbuluara jo me shami por me maska shkojnë rrugëve si vagona treni, pa vemendjen e askujt, djemtë si lokomotiva që si panë kurrë vagonat që tërhoqën. Të moshuarit e kanë të ndaluar të dalin nëpër rrugë kështu që nuk i sheh më askush. Rrugët dhe të moshuarit i ka marrë malli për njëri tjetrin. Unë dalë rrugëve dhe flas me qentë dhe macet e shkujdesura që janë krejtësisht të habitura me lirinë e tyre.
***
Në gjithë këtë panoramë të mënxyrtë pa shtërngime duarsh, pa puthje, pa dashuri dje u befasova. Isha pikërisht aty ku mbaron Parku Rinia, në kryqëzimin e Bulevardit “Gjergj Fishta” me Rrugën “Ibrahim Rugova” bash në qoshen e urës që kalon mbi Lanë dhe të çon në Bllok. Dy gra të bukura të moshës së mesme u takuan gjithë përzemërsi. Në fillim i tokën shuplakat e duarve me njëra tjetrën siç bajnë vajzat e vogla, pastaj i ndeshen gjokset e tyre të bëshme sikur po trokisnin gotat e verës në një gosti. U ndala dhe po e ndiqja takimin e tyre me kërshëri, pse jo edhe me një lloj nostalgjie. U përqafën ngeshëm sa majtas, sa djathtas. Kur tërhiqeshin nga gjoksi i njëra tjetrës shiheshin ngeshëm sy ndër sy. Pasi e bënë këtë rit tri a katër herë, ja dhanë të puthurave në qafat e njëra tjetrës, e më pas në bulëzat e veshëve, pas pak ja ngjeshën buzët njëra tjetrës dhe duart e tyre u kapërthyen në bythët e shoqja shoqes. Kokat e tyre njëra e bardhë dhe tjetra e kuqerremtë u ngjitën dhe tashmë dukej vetëm një trup i shkrirë në ngjyra dashurie që unë s’po dija ti jap emër.
***
Duke ecur çarkaqejf buzë lumit që bie erë të keqe gjithmonë i vura emër virusit të tmerrshëm që na e ka ndaluar t’ja japim dorën një miku, të përqafojmë babën apo ta puthim në faqe nanën, t’ja puthim buzët që i digjen një të dashure apo t’i themi një njëriu që të dua.
Tiranë me 15 Prill 2020
ObserverKult