Unë e pashë
Po, po e pashë vajzën
Që ja shkruaja dikur emrin
Me gurë lumi të lëmuar si vezë pëllumbash të egër
Në rudinën ku ajo kulloste delet e saj të pakta në numër.
Po, po mu kujtua
Unë e gdhendja emrin e saj
Mbi barin e njomur që e kish kap lagështa
Mbrëmjeve vonë kur dielli kish pushuar me kohë pas kreshtave.
Po, po e mbaj mend kur
Ajo çohej më herët se gjithë njerëzia
Hala pa dalë drita mirë e i turrej teposhtë rudinës
Dhe gurët e bardhë si vezë pëllumbash të egër i rreknente drejt lumit.
Po, po e kujtoj mirë
Vetën time fshehur mbas gardhieve
Duke marrë frymë thellë gati me e shkye këmishën e vetme
E ajo duke i gjuajtë gurët- shkronja pamëshirshëm kah hiç-i, kah mos-i .
Po , po s’mund ta harroj
Mbrëmjen pasuese kur unë ju qepa bregut të lumit
Dhe mblodha rishtaz gurë te bardhë si vezë pëllumbash të egër
E në vend të emrit të saj vizatova mbi rudinë një zemër që e shponin dy shigjeta.
E si mund ta harroj atë
Natë vjeshte, kur roje i bëja zemrës së gurit
Shpuar pamëshirshëm prej ushtave me majë të stralltë
Me sytë lidhur për dorezën e shpisë së saj, derisa ajo u shfaq
Ashtu imcake, e hajshme, e lehtë, si një re e bardhë
Dhe me gurët që unë kisha vizatuar shigjetat,
Një zemër të vogël vizatoj brenda saj.
Po, po unë e pashë
Vajzën që më ka mësuar të vuajë
Vajzën që më ka mësuar të shkruajë
Vajzën që më ka grisur këmishën e vetme
Ishte ajo, vajza që më mësoj se zemra rreh veç
për dashurinë.
Valbonë, me 5 shtator 2015