Brunilda Basha: Grua, asgjë nuk të mposhtë!


Buqetë gruaje

NË LOTIN E GRUAS RËNDON PESHË MALESH

Në lotin e saj,
rëndon pesha e maleve
që kërrusin shpina hekuri.
Noton një pyll i dendur,
me pisha të egra
Luledele e manushaqe celur
në barin e njomë.
Një Oaz n’krahëror
shpërndan ngrohtësi
sikur reshje yjesh
prej ujvare qiellore.
Shpirti i frymon
copëza shkëndijash,
Diej vezullues
fllade të ëmbël,
stuhi që të perulin.
Të thyejne!
Helmetën e arnon
çdo ditë
me perin e forcës.
Krijon një poezi
me titull: Grua!

SHPIRT I VRARË GRUAJE

Të kripura lotët pikojnë mbi lëkurën
e tretur. Përcëllojnë!
Kafshatat kapërdiheshin nën heshtje,
çdo natë.
Gur që gëlltiteshin, vrisnin n’stomak.
Fjalët gjuheshin
dhunshëm mbi trup.
Shuplaka që kërcisnin zhurmë.
Plagë.
Shpirt i vrarë, i dhunuar,
i pafrymë.
Do të nis të qëndis,
do thur në grep,
në fije mëndafshi.
Do shkruaj çdo shkronjë,
në Një Harresë,
derisa në fund as emri më
të mos mbesë.

TAKË E MBËSHTJELLË ME ËNDRRA

Takë,
e shkurtër,
katrore,
e hollë elegante…
Veshur mbi thembra
të çara shkelin mbi tokën e thatë.
Lëkurë e vrazhdë,
mbështjellur ka shpirtin e vrarë
me ëndrra, pa ëndrra..
Ç’është Ëndrra?!
Takë e lartë, e shkurtër,
mbi to femra të mavijosura.
Trëndafil gonxhe këputur.
Dhunuar!


ASGJË NUK TË MPOSHTË, GRUA

Sa binte terri,
Hapat e pagjumtë
trak-tak…
i dëgjoheshin mbi
dysheme përgjatë
natës.
Kapakët e lodhur
asesi nuk i lejonin
qerpikët t’puthiteshin.
E jetonte dhimbjen dhe
lumturinë brenda të njëjtit
dimension.
Kur lind dielli,
ngrihet,
Hap dritaren e lejon
erën t’i përkëdhelë
fytyrën.
Merr frymë thellë,
dhe
niset drejt një beteje të re…
Grua!
Asgjë nuk e mposht…


GRUAJA KA ZEMËR TË MADHE

Kam lexuar se:
Gruaja e fortë,
rrënjët e shpirtit të tharë
nuk i mbulon me dhe’,
I mbjell në vend tjetër
ku bie dielli
që të çelin sërish…
Kërcen me shiun
edhe në ditët e dimrit
të acartë…
Përqafon buzëqeshjet e
i struk në zemrën e brishtë
për t’ia fal çdokujt që
ka nevojë për
një fije dashuri…
Kur dikush ka dhimbje
vrapon me erën
për me ja qep plagën
e hapur.
Gruaja ka një zemër
të Madhe-thonë.
Fal e jep
edhe kur s’ka mbet
asgjë më!


GRATË E FORTA

Gratë e forta nuk veshin helmeta.
Ato veshin rrobet e qetësisë,
buzëqeshjes së ëmbël.
Heshtja e tyre flet më fuqishëm se fjala.
Gratë e forta nuk kanë nevojë të shkojnë në beteja
me kalorës e shpata.

Çdo mëngjes,
ato nisen drejt rrugës së përkushtimit,
kujdesjes,
dhënie-dashurisë pa kushte,
apo limite.

Gratë e forta,
Nuk presin shpërblime, as medalje.
Ato vec duan të ndjejnë gëzimin në sytë e të dashurve.

FEMËR, VEPËR MAHNITËSE E KRIJUESIT

Femër,
Vepër mahnitëse e Krijuesit.
Vazhdimësi e universit
Bukuri e heshtur
në një fytyrë të brishtë.
Shpërthim ndjenjash
nëpër hapësirat e pafundta.
Oaz shkretëtire.
Puhizë e lehtë pranvere,
që përkëdhel  qetë valët e detit.
Si dhe e çmendur si dallgët e forta.
E turbullt si  një mjegull e dendur.
E sërish e qartë si kristali.
Muze frymëzimi
Drithëruese.
Dorë përkëdhelëse.
Zemër që ngroh botën.
Ajo buzëdridhura,
me buzëqeshje të sinqerta
dhe lot të fshehura.
Ajo
Shoqja,
Motra,
Mikja,
Bashkëshortja,
Nëna,
Që mban gjallë jetën!

ObserverKult