Buqetë me poezi nga Belfjore Qose: Engjëll pasditeje

Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga Belfjore Qose:

ENGJËLL PASDITEJE

Tingujve të zvarritur tretet lodhja e syve,
Pothuajse e puthur prej trishtimit varem
Në gjethet e gjelbra të oborrit të fqinjëve,
Duke tymosur kaltërsinë e fundit të qiellit.

Ti je engjëll pasditeje, pa fytyrë e tipare,
I vjetër sa tërë pasditet që lanë me flori këtë tokë,
I lodhur prej ankesave mbi boshin e qiellit,
Ndërsa ti me një lëvizje krahu përfshin dritën.

Ka grimca vullnetesh mbetur pezull,
Që si lule të sapokëputura vdesin në duart e natës.
Ka tek të gjithë të gjallët një minutë malli
Për gjithçka që jemi e nuk e dimë.

I ulur në skaj të ndërgjegjes, ti rritesh me errësirën,
Pasditet bëhen pirg në sytë e tu të kthjellët,
Si brigjet që me shkumën e tyre përkundin
Dashurinë tënde mes ujit dhe tokës.

Ti kalëron mbi ëndrrat e pasditeve,
Pa zhuritur as cepin e tunikës tënde ngjyrë hëne,
Me durimin e urtisë që nuk njeh veten
E përmbushjen e misionit tënd të dyfishtë.

Tërë kureshtjet fashiten prej llomotitjes,
Trishtimit të derdhur në filxhanin e çajit,
Shenjave që ti lë në cepin e pasdites,
Engjëll i heshtur – trëndafil në vazo.

Ke në flokë gurë iluzionesh që ndrisin,
Si magjepsje magësh në blunë e qiellit,
I gjallë dukesh pothuaj: me plagë si ne,
Sapo bukuria fillon të tretet mes ajrit të natës.

EDHE SA DO TË ZGJASË KOHA JONË MBI TOKË

Dhe një ditë tjetër u vdir… qielli u largua prej nesh,
Dhe një natë tjetër vyshku petalet e saj sipër ëndrrave.
Larg nesh, po, fort larg është melankolia e prekshme
E gështenjave të dimrit.
Tani është vjeshtë e turma e qenve,
E këtyre banorëve ankestarë të kryeqytetit,
Leh e qahet poshtë dritareve.
Dhe po, i thamë vetes, kur do mbarojë kjo ditë…
Kur do mbarojë kjo ditë,
Tek presim autobusin a semaforin,
Tek ekranet na shëmbëllejnë njerëzit e munguar,
Tek pas një dere derdhim tërë përfytyrimet e shpresat.
Kur do mbarojë
Kjo natë, kjo rrugë, ky shtrat i dridhshëm prej anktheve,
Këto fjalime motivuese ku ujqërit na mësojnë lirinë,
Ky sherbet miklimesh që kohën e kurdis mbrapsht;
Kjo ditë,
Ku koha e duhur nuk vjen askurrë,
E ku ta krijosh, duhet t’i ruhesh sakrilegjit të fyerjes
Së një tjetër ritmi, atij që ecën me tempin e kalbjes nën tokë,
E mbi tokë.
Edhe sa kohë, edhe sa,
Do endemi në jerminë e diellit platitës,
Me identitet ikanaku, të humburi pa rrugë;
Edhe sa kohë gruaja do jetë toka dhe brumi
E nuk do mundet të ngjitet në malin e shenjtë
Prej burrave që e përbuzin mitrën e saj si strokfull mëkati?
Sa ditë mbi tokë…
Mijëra prej tyre rrinë ende në radhë që t’u jepen dromca dashurie,
E mijëra të tjera kërkojë, gjejnë, humbin qëllime të qarta,
Si ato që të tjerët kanë për ne.
Mbi tokë…
Këtë vakum që thith si fshesë me korent
Kohën bashkë me planet…
Edhe sa do të zgjasë?
Edhe sa?

DO MËSOHENI TË JETONI KËTU

Do mësoheni të jetoni këtu
Me gojë të shqyera drejt një veshi pa timpan.
Posi, do mësoheni me motin, tokën, dritën
Dhe ujin, ajrin, pluskimin horizontal mbi ditët,
Me sytë që shohin pas ekraneve,
Gypat inxhinierike fshehur pas mureve;
Do mësoheni të arrini masën e një arre,
Gjatësinë e një fije bari, frikën e një lepuri;
Derisa, po të jeni me fat, të thonë për ju:
I shkreti, ishte njeri i mirë.

Me kalimin e kohës gjuha juaj do të fitojë aftësi,
Koka do mësojë të bëjë ekuilibrin mes hspatullave,
Sytë do arrijnë të shohin veç veten,
Dritat do ndizen vetëm në rastet kur doni të shihni fytyra.
Përshtatja juaj do jetë aq e fortë, sa do habiteni me trupin tuaj:
Ai do t’ju udhëheqë në rrugën e duhur, do t’ju mësojë nevojat tuaja,
Si nënshkruhet kur keni uri,
Si ndizen bullçitë në patetikën e etjes,
Si dritat fiken kur keni frikë të shihni veten.
Por, diçka do mbetet stadi juaj primitiv,
Sepse xhanëm njeri jeni, do ju vijë ndonjëherë të këndoni.
Dhe bash atëherë, kur të artikuloni tinguj të panjohur,
Të shëmtuar, të deformuar, si një dritë neoni në dhomën e gjumit,
Të huaj si një libër në tavolinën e zyrës,
Të zbrazët, si duart e kapura gjatë një shetitjeje në park,
Atëherë pra, ju do harroni gjithçka nga faza juaj primitive,
Dhe përshtatja do jetë e përsosur.

BLUE

T’i kam dashur buzëqeshjet
Aq shumë sa as ti vetë nuk arrite t’i duash,
T’i kam nxitur përndritjet
Me forcën e trupit tim në flakë krijimi,

Tani jemi larg gjumit
E kemi humbur atë mes makthesh të shurdhëta,

Duhet të mësojmë si të humbasim rrugën
Për të pare lulet që kemi në sy,

Duhet të mos kthesh kokën
Për të më nxjerrë nga Hadi i kujtesës,

Dënuar me jetë
Koha fryhet dhe del nga shtrati i ditëve,

Janë përsëri ata
Të dashuruarit me dukjen
Që flasin me zë të lartë për dashurinë,

Jemi përsëri ne
Të dashuruarit me gjuhën
Që mbytemi në pamundësi veprimi,

Jam përsëri unë
E dashuruar me leximin
Që deshifroj në trupin tënd trishtimet,

Je përsëri ti
I dashuri im i përjetshëm
Që nuk mund të jesh i tillë

Për grimëkohën tonë tokësore.

I BËRË PREJ ËNDRRAVE TË MIA

Ti je i gjithi i bërë prej ëndrrave të mia
Në këtë ditë të lagësht e të nxehtë,
Shikimet tona kryqëzohen në avujt e tokës.
Ne jemi fëmijë, të ardhur në tokë
Veç me buzagazet e dridhura të drojës,
Ne jemi engjëj, me krahë tingujsh,
Me dëshira të humbura që prej rënies.
Çdo ditë na vidhet nga një buzëqeshje,
Çdo ditë na avullon një kujtim,
Për të kënaqur mjegullën, shiun, retë
Me ëndrrat tona të heshtura,
Si sytë e kalimtarëve në një ditë me shi.

AURAT E NATËS

Ne, me aura të zeza mbi kokë
Krenohemi për boshin dhe pamundësitë.
Nuk kemi fituar as çastin më të mirë
Prej mëkateve të trishta ndaj vetes.
Ti më ftove në acarin e natës pa yje
Për të vetmuar bashkë vetminë.
Jam helmuar gjatë me vetëdije,
Gjatë, prej kohe pa kohë.
E kemi puthur trishtimin mes syve tanë
Që nuk i takuam në dritë të bardhë…
E janë zgjatur hijet e ndërgjegjeve
Për t’u mbytur thellë në lumë,
E janë shtrirë shtrojet e shtrateve
Për të veshur fusha të shkreta shpirti.
E kemi helm në mushkëri,
E kemi pis në rropulli,
Duke pritur dritën prej botëve të tjera.
Na ka mbetur në fyt shpirti i natës
Që do e vjellim profanisht të përbaltur.
Dhe rropatshëm rrokullisen rrëketë
E shiut mbi aurat e zeza të natës…

JAM E NATËS

Jam e natës si qyqet e vetmisë që më këndojnë mbi krye,
Ndaj dëshira infantile për të qenë butësi mbi këtë tokë
Vjen e derdhet në ditë të plota në veprime, e të mangëta në zë.

Trishtueshëm zgjaten rrugët pa krye e ditët pa diej,
Stacione të zbrazëta e rrugë të qullëta mbesin të paafta
Për të pasqyruar krenarinë e enjtur me vetëvrasje të përditshme.

Jam e ferrit si zemra ime në kokë e nëntë muzat në shpirt,
Ndër qela të errëta psalme i thur humbjeve që më thyen,
Me ëmbëlsi të vjedhur e butësi të shqyer mizorisht.

Unë e turma jemi uji dhe vaji që përdhunshëm përzihen
Nën frikën e asgjësëqë bën heroin fëmijë e gratë shtriga,
Derisa jam vetë e ikshmja, që nuk kthen kryet as për jetën.

Jam e natës si fryma e zezë që del prej kraharorit të qytetit,
Si mendja që për t’u hapur lëshohet vrulltas në shkëmbijtë e ferrit,
Si vetmia e një shpirti që nuk njeh qafore për zotër të lumtur.

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Belfjore Qose, ka lindur në Tiranë, më 1985. Ka botuar poezi dhe proza të shkurtra në disa revista letrare, si “Haemus Review”, “Jeta e re”, “Poeteka”, “Fjala”, “Pa fokus” etj. Poezi dhe tregime të saj janë përkthyer dhe botuar në antologji apo revista letrare të ndryshme. Në frëngjisht, në antologjinë “Les femmes (se) racontent”; në rumanisht, në revistën “Haemus”; në anglisht, në revistën “Poetry Bay”; si dhe në gjuhën kineze, në një antologji për poezinë bashkëkohore shqipe. Është pedagoge e letërsisë së huaj në Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës, ku gjithashtu ka kryer studimet e larta, masterin shkencor dhe ka fituar titullin “doktor” me një punim mbi veprën e Kasëm Trebeshinës. Ka botuar disa artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, për autorë si M. Bullgakov, K. Trebeshina, M. Camaj, I. Kadare, A. Kyçyku, A. Haksli, D. Lourens etj.

ObserverKult

Lexo edhe:

BUQETË POETIKE NGA KUJTIM PAÇAKU: KUR DASHURON NJË ROM

BUQETË POETIKE NGA JOZEF RADI: KAJHERË TRISHTIMI KA EMËN T’PËRVEÇËM…

BUQETË POETIKE NGA ADAM ZAGAJEWSKI: EDHE NË VDEKJE DO JETOJMË…