Buqetë me poezi të Leonora Buçincës: Gjithë t’kam pasë diçka…

leonora buçinca

Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura të poetes Leonora Buçinca:

GJITHË T’KAM PASË DIÇKA

Në një nga jetët e mia t’kam pasë babë
ke pas dek’ prej t’plasnes n’zemër
një copë bukë s’e kishe me ma shtrue n’sofër

Në një nga jetët …t’kam pasë v’lla
ke pas dek’ tue shkue n’shkollë
ura me drunj t’kalbtë nuk të mbajti…

Në një nga jetët …t’kam pasë fëmijë
t’kam pasē shok …
ke pas dek’ prej synit t’keq
atë botë lakmia ishte modë klasike

Edhe ket’ jetë ndjej qē diçka t’kam
ke pas dek’ si burrë e u ringjalle në dashnor:
s’ di …
krejt ajo që kujtoj
para vdekjeve të të gjitha jetëve t’mia
âsht një kupë verë e era e trupit tând!

SA HERË

e kam prek kulmin e shpirtit
sa herë kam kërkue falje për ato pak gabime që padashje i bana,

sa herë ua kam zbute ndjenjën e hakmarrjes (ar)miqve të miqve të m’i,

sa herë kam falë krejt ato që i kisha për nevojtaret që kurrë s’desha me ua mësue emrin,

sa herë jam kthye nga malet n’ sh’pi e uritun e në vend të një pjate të ngrohtë kam gjetë veten,

sa herë kam mësue që njerëzit e mirë numërohen n ‘gishta t ‘dorës e për të ligët e panumërueshëm asht e nevojshme me u lutë,

sa herë që ja kam làn nallanet e kuqe n’dorë zemrës së bardhë
me e zmadhu ritmin e tak- takit të saj..
dhe kam fillue me dasht për qef, jo për nevojat e saj,

sa herë jeta m’ka thanë jo e unë kurrë se shava n’nanë, e n’babë, e n’rob, e n’fëmijë…
n’heshtje,
(n)yje lidha litar andrrat e ju ngjita qiellit sa herë desha …
aty, mes do reve ta pakjarta e kam prek kulmin e shpirtit.

BABË

babë
çdo herë që po vijë
me t’sjellë lule t’bardha
nji hije e huej po m’i hâp dyert e varreve
e po m’prin deri aty ku ti pushon

çdo herë që po vijë
me i ndrrue dy llafe me ty
nji hije që nuk po i ka hije
po rri kâmb-kryq n’vend tandin

e shpirti i sâj po i zë frymën shpirtit tand
çdo herë që po vijë
me ta sjellë pak ujë loti,me shue etjen
nji hije bardh e zi po çoroditet para meje
e nga njâni sy po m’dalin lot hareje
e nga tjetri lot trishtimi
e ti etjen po e shuen
herë me gaz e herë me pikëllim

çdo herë që po vijë
me ta hjekë barin e keq që po rritet me shpejtësi
me i pre kaçat aty, afër …
nji hije e errtë po kjân e po bërtet
si me nxjerrë atë nga rrânjët
si me pasē shpirtin n’trup t’kaçës …

ah, bre babë
therrë n’sy m’u ka bâ ajo hije

NJI KOPILE ME EMNIN LIRI-E

hera e parë që e kam përbuzë
gjinin tem, ishte
atë ditë kur i preva flokët e gjata
m’u dukshin si litarë që dojnë me m’ varë
saherë ndëgjoja të thoshte xhaxhain :
“femra ka flokë të gjata e mend të shkurta ”
hera e dytë, ishte
kur msova si luhet loja e “kliçkave”
po luaj thojsha ,si baca
asgja ma shumë ,
tue mendue qysh luhet me kuklla
hera e tretë që përbuza
gjinin tem,ishte
atë ditë që “pshurra n’kamb”
e bindun qe e fitova të drejtën
me jetue n’shpie të babës derisa të vdes
hera e fundit , kjo e pafalshmja
kur ja ngreha kambën pushkës
për lindjen e nji kopile me emnin Lirie
kësaj grue-hore që na robnoi cdo të drejtë.

KAMBKACEL NË FUSHËN E LOJËS

Ushtar’t që dalin prej lufte
dalin me nji kâmb
kâmbën tjetër ua merr’
Toka e Shenj’t.

Ushtar’t që dalin prej lufte
dalin kâmb-kacel në fushën e lojes
pavarësisht asaj çka njerëzit quajnë
fitore … humbje
ata dalin e ecin me buzqeshje t’njelm’t

Ushtar’t që dalin prej lufte
kanë nevoje me u dasht’
me u thirr’
…dhimbjet e plagëve tuaja
janë mish- âshti që bajn’
kambën e tyre të mbetun ….

ObserverKult

Lexo edhe:

LAMTUMIRË MAESTRO! BUQETË POETIKE NGA ADEM GASHI: NJI TJETËR ANDËRR