Buqetë poetike nga Lulëzim Haziri: Njih e dashuro!

lulëzim haziri

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të Lulëzim Hazirit.

MACET E HALEPIT

Macet e Halepit u shurdhuan një nga një
Dhe shurdhohen për çdo ditë rishtaz
Nga shpërthimet që i gjenin strofullave
Tek ëndërronin lëmshat shumëngjyrëshe
Të derdhur mbi qilimin me xhufka

Sa herë që shurdhoheshin
U iknin shpijarët me një bohçe tesha mbi shpinë
U mbetej vetëm shqisa e nuhatjes
Dhe sytë që s’donin të shohin strofullat
Dhe rrugët për tek konservat e hedhura bosh
Të ushtarëve që flisnin gjuhë që s’i kuptonin
Siç nuk i kuptonin gjuhët në konserva
Arabisht, rusisht, anglisht, sërish arabisht…
Halepi, kjo gërmadhë konservash e predhash
Gërmadhë gjuhësh të gjalla e njerëzve të vdekur

Macet e Halepit jo që s’dinë të flasin
Të kërkojnë bukë, të kërkojnë të jenë mace Kosove
Po ato janë shurdhuar
Nuk e dëgjojnë klithjen e tyre
Lëre më t’i dëgjojnë
Të huajt
Që hyjnë e dalin me bujë aty

U mbetet të enden mbi gërmadha si hije
Të ecin hijeve të Halepit të UNESCOs
Shatërvanëve që s’janë shatërvanë
Shesheve që s’janë më sheshe
As rrugët që s’janë më rrugë
As xhamitë s’janë më xhami
Myezinët ikën të shurdhuar
S’e dëgjonin më zërin e tyre
Apo i shurdhoi zhurma
Ajo zhurmë që ua prishi strofullat

Dëgjohen vetëm pëshpërimat, bisedat, këngët e sharjet
Të krejt gjuhëve të botës
Si në Kullën e Babilonisë
Gjuhë që i shurdhuan macet e Halepit

U mbeti vetëm instinkti për të mbijetuar
Dhe për të gjetur ndonjë strofull për një sy gjumë
Kur nata shtrihet e i mbulon si qiell me yje
Qiell që ia prishin rendin ca që duken si yje
E janë satelitë, aeroplanë ushtarakë apo xixëllonja të harruara

Macet e Halepit që mund të duken edhe si fëmijë
Qëllon të gdhihen edhe mbi një shtyllë
Që dikur ishte një muze arkeologjik
Nga ku u shfaqet muzgu i Halepit
Kjo sepie pluhuri e shprese të vdekur
Kjo klithmë që bota s’e dëgjon

Gdhihen të lumtura se dëgjojnë sërish
Të bindura se mjaullimën do t’ua dëgjojnë ushtarët
Hoxhallarët, humanitarët, doktorët e magnatët…

Kjo u zgjat sa një ëndërr e fluturës
Sa një flurudhë granate për tek strofulli i tyre

Macet e Halepit shurdhohen një nga një
Disa nga shpërthimet
Të tjerat nga heshtja…

POETI TERS

blen këmisha të shtrenjta pambuku
për t’shkruar me vrer në karton
pastaj në intervista lëvdohet se shkruan ters
mbi stanjollin e kutive të cigareve
ashtu të lëmuar si lëkurë femre
që rrezja e diellit s’e ka parë me sy
rendit vargje erotike
të martave në Pazar
blen patate mollë gjithfarë zarzavatesh
shkaku i qeseve të përhime
që i palos dhe lëmon me skofi
të vjell motive urbane
duke dëgjuar kitarën e Ray Cooder
vargjet i rendit si notat muzikore
në partiturat e këngëve të Tom Waits
thotë se shkruan për vete
shkruaj thotë për të më dashur
nuk i beson vjershës
pa e parë të botuar
nga vetat në gramatikë
njeh vetëm atë njëjës
ka telashe me drejtshkrimin
ë-jat dhe rr-jat e shtyjnë të hapë fjalorin
pas mesnatës së dehur i vjen një muzë
e lodh e mashtron e shtrin mbi tavolinë
mbi të ejakulon si i famshmi Holms
librat s’ia djegin në turrë
nën embargo s’ia vënë
as i gjen nëpër sirtarët e bibliotekave
rafteve të librarive pluhuri s’i zë
kanë tirazh të vogël s’i gjen lehtë
vetëm redaktorët librat e vet i ribotojnë
librat e tij i gjen si pluhur
shtëpive të dyshimta
të heretikëve anarkistëve kodoshëve
veshjes së tij ekstravagante
i shkon për shtat nihilizmi
ndaj vlerave të gjithmbarshme artistike
kritikëve letrar u flet me cinizëm
gjoja i lëvdon
orëve letrare e zë gjumi nga duartrokitjet
është mizor tiran ndaj vetes kur shkruan
askujt tenton mos t’i përngjajë
sa zor
çrëndomtëson sendet fjalët metaforat
pa ndonjë sistem të vetin strikt
me gjuhën e tij leproze
pështyn në vokabular rustikal
mos i besoni këtij poeti
në lidhjen e shkrimtarëve mos e qasni

ARDHKA MARSI!


Ardhka marsi!
Mugullojnë apo fshihen sythat nën degë
Faji shkurtit sa ka qenë i butë apo i fortë
Si një mësues i ri ardhur në gjysëm vjetor…

Ardhka marsi!
Me drunjtë e sobës nën strehë si dhëmbë të rënë
Me shkarpa e rrënjë gungaçe të ruajtura për mo’ Zot
Me droje se sivjet nuk janë boll…

Ardhka marsi!
Me xixa xixa rrobash leshi në dhomë
Nën dritën e vrimës së koftorit kur i zhveshin
Dy trupa të kuqrremtë që kurmëzohen në lojë…

Ardhka marsi!
Dhe dita zgjat duart diellin ta kap për kindi
Si mysafirin e dashur kur mallin s’e kemi shuar boll
Se netët janë të gjata me fror në bark…

Ardhka marsi!
Me plaka të shpëtuara me krejt çka kanë
Që ngrohin kurmin në prag me shami në krahë
Kujtojnë shkurtin sa shumë u ka zgjat…

Ardhka marsi…

AJO FLE

Ma lëshon dorën për mjedisi
Si lumi që rrjedh kah deti

E lodhur një sy gjumë bën
Me tjetrin ëndërron atë që s’e ka
Një botë të tërë pa anë

Dora m’ka mbetur varur si një degë
Hiri cigares m’pikon n’qilim
Çdo gjë kam ndalur për një çast
S’du që si hi t’m’pikoje kjo magji

Mesazhet e zemrës së fjetur m’i përcjell
Vetëm gurgullima e gjakut të saj
Që rrjedh dejve t’mia

Ajo tashmë flenë
Fjalët i kanë marr trajtën
E një guri të lëmuar
Gur që me rënie të lirë
Humnerës së shpirtit tim
Nuk prek në asgjë

Fjalët i kanë rënë në heshtje
Si një krehër fildishi flokut të gjatë

Do të rri të pushoj edhe pak
Në thellësinë e shpirtit të saj


NJIH E DASHURO

Të duash pa njohtë
Siç duhet një fëmijë i adoptuar
Apo rrufeja drurin fushës harruar
Me rrënjë të thata duke e dëbuar

Të njohësh duke dashtë
Si Zotin me shikimin në vete kur je pa shpresë
Apo fëmija pas vitesh prindin e gjetur në luftë
Me nxitje e frikë mos është tjetërkush

Të duash duke parë
Siç duhet muzgu i zjarrtë mbi detin pa fund
Apo agu i lëshuar kodrës kur je i ngopur gjumë
Me sy si shpirt i dëlirë që s’ngopet me dritë

Njih e duaj

Kur ndjehesh mushkonjë fluturimthi mbi ujë
Anije kozmike pezull hapësirës pa peshë
Apo ujk korisë pas deleve të fshehura në dushk

Të duash duke njohtë

Si Zoti të ngopurin pasurinë që dhuron
Prindi pas lufte fëmijën e gjetur në lloç
Shikimlodhur por qetë dhe ngrohtë

Duaj madje

Kur je mushkonjë e ngirë gjakun që pik mbi ujë
Kur rri pezull pas tmerrit të kaluar kur lë këtë botë
Pa frikë se humb rrugën të kthehesh sërish

Shih me dashuri
Siç sheh dielli në muzg një njeri të qetë në turmë
Si rrezja e parë që në ballë troket pa zhurmë
Me sytë e etur për dritë në dy sy plot muzg…

…pastaj gjithçka mund të jetë dashuri

ERA E SHKRIMIT IA VJEDH QIELLIT ÇARÇAFËT E BARDHË PREJ TELI

Acari i sqimës
Si nje vajzë e fejume
M’i qëndis gjethet e shkrimit me ojna!
Qiellit i është grisur thesi
I resh pambuku i mbledhur fushave të acarit
Mbi pllajat e zhveshura të leximit!
Nata e inspirimit numëron lehje qensh
Që s’gjetën strofull kashte a bujarie
Dhe pareshtur i ndërsehen
Një hëne në dhomën time!
E pamëshirshme era e shkrimit,
Ia vjedh qiellit çarçafët e bardhë prej telit
Dhe ngrin çdo frymë të ngrohtë pëlqimi
Shprish çdo ëndërr maceje lozonjare që nuk fle
Mbi jastëk të ngrohtë lirizmi!
Acari ndjell e shprish vargje të pa jetuara
Vjersha të abortuara!
Orteqet trandin nxitjen për strofa të ngrohta pëlqimi
Për rrugë të pa shkelura me metafora!
Avulli çajnikut më mbulon shpresën e delirit
Dhe çatia më nuk pikon mbi shtegun e hirit
Të ekzibicionizmit!
Mbetet vetëm dëshira që poezia
T’u ngjasojë yjeve të bardhë e të ftohtë
Në xhamin e vogël të mërzisë
Që në mengjesin e dyshimeve me hukamë i shkri!
Arbeini poetik
Ulur këmbëkryq
Fryen mbi re kumtin:
“Do të vij sërish
I akullt
Si inspirim…
Pritëm, pritëm ti!

ObserverKult

Lexo edhe:

BUQETË POETIKE NGA SALAJDIN SALIHU: VDES PAS GJËRAVE TË IMËTA…