DY LETRA PRANVERE ENDE T’GJALLA, nga Erina Çoku
I. I dashtun Ukë,
Ç’ban? Ç’ban ti n’andrrën time?
Me ty jam fjetë e hijeve më ke përndjekë.
A din? Në andërr. (I gjallë ishe, jo i vdekun.)
Gjithçkaje tu ju tutë, por ah, zgjimit çka m’i ba
se me ty, në besë t’andrrës, dhe pak isha ndenjtë.
Mesnata e solli t’dashtun ftyrë tanden
(të gjallë, jo të vdekun) për puthjet e mia
të buta, t’lagështa, t’amla disi
dhe ajo buzëqeshja jote orgazmike
futej syve t’mi si andërr.
Trupi im asht mbushë me kohë e pranverë
(mes andrrës e zgjandrrës)
nji mrekulli e Zotit kisha me thanë,
por koha e hapësira po krijojnë
një mistikë të re dashnie
tanden me mu, timen me ty,
(ty që je i gjallë, jo i vdekun).
Tash unë e di që ti don andrrën me ta ftillu,
por asht postieri i ngutun mbas dere
e pret letrën m’ia dorëzu,
sytë e tij janë zmadhu e zemra fort po i rreh.
I shkreti, ende beson se dashnia
asht e gjallë kësaj bote. Si unë.
Merre këtë letër, gjallë a vdekë.
Gjallë,
Unë
II. E dashtun ti,
Krejt e dashtun,
si gjallë dashninë e andrron
shumë mall për ty po ma nget shpirtin
e po ma mundon trupin.
Nji mall i gjallë mes të gjallëve.
Çka pe n’andërr, a shkëlqeva?
A isha i denjë e ma i miri?
Le t’bajmë kujdes,
se asht tu na dekë postieri emocionesh.
Ai nuk ka faj pse asht ‘i fije romantik, a din?
Dashnia gjallon, si jo
ajo nuk asht hije, Zoti e dashtë,
ajo asht dhe ti, moj andërr.
Gjallë pa vdekë,
Të puth Uka
ObserverKult
Lexo edhe: