Cesare Pavese: Instinkti

Ju ftojmë të lexoni poezinë “Instinkti” të poetit italian Cesare Pavese

Burri i vjetër, i zhgënjyer nga gjithçka,
që nga pragu i shtëpisë nën diellin e ngrohtë
shikon qenin dhe bushtrën duke shfryrë instinktin.

Në gojën pa dhëmbë turren mizat.
Gruaja i ka vdekur prej kohësh. Edhe ajo,
si të gjitha bushtrat, nuk donte t’ia dinte,
por e kishte instinktin. Burri i vjetër nuhaste;
akoma pa i rënë dhëmbët; vinte nata,
shtriheshin në shtrat. Ishte i bukur instinkti.

Ajo që i pëlqen te qeni është liria e madhe.
Nga mëngjesi në mbrëmje endet në rrugë;
dhe pak ha, pak fle, e pak u hip bushtrave:
madje nuk e pret as natën. Arsyeton me nuhatje
dhe erërat që ndien janë të tijat.

Burri i vjetër kujton që njëherë, gjatë ditës,
e ka bërë qençe në një fushë me grurë.
Nuk e kujton më se me cilën bushtër, por kujton diellin e fortë,
djersën dhe dëshirën për të mos u ndalur kurrë.
Ishte si në një shtrat. Nëse do të ktheheshin vitet,
do donte ta bënte gjithmonë në një fushë me grurë.

Në rrugë zbret një grua dhe ndalet për të parë;
kalon prifti dhe kthehet. Në sheshin publik
mund të bëhet gjithçka. Madje edhe gruaja,
që ka drojë të kthehet për burrin, ndalet.
Vetëm një djalë nuk e duron lojën
dhe bën të bjerë shi gurësh. Burri i vjetër zemërohet.

Përktheu Orjela Stafasani

ObserverKult

Lexo edhe:

EZRA POUND: ASAJ DO T’I PËLQENTE QË NDOKUSH TË FLISTE ME TË