“Çfarë ka qenë Tirona?’’ sjell dokumente autentike të Arkivit Osman mbi kryeqytetin shqiptar

Gazetarja Rezarta Delisula përmes hulumtimeve në Arkivin Osman të Stambollit, në librin e saj më të ri “Çfarë ka qenë Tirona?’’, sjell për herë të parë dokumente autentike jo vetëm për Tiranën por edhe për Shqipërinë. Ndër të tjera zbulohet edhe jeta e panjohur e kryeqytetit.

Në një intervistë në emisionin “Rreze Dielli’’ në Report Tv, gazetarja Rezarta Delisula rrëfeu shumëçka për idenë e saj, që të sillte këtë libër tek lexuesit shqiptarë. Edhe pse puna nuk ka qenë aspak e thjeshtë, vullneti dhe dëshira për të sjellë historinë e Tiranës të dokumentuar ishte shumë e madhe:

“Arkivi shqiptar me arkivin e Stambollit kanë bërë një marrëveshje për marrjen e dokumentave Osmane, por këtu është ende situata që nuk janë sistemuar. Unë e fillova këtë punë kërkimore të arkivës duke i nxjerrë nga familjet e vjetra tiranase që të më jepnin dokumentet e tyre për një libër. Pastaj bashkë me kolegen time Kristinën, menduam që këtë punë ta bënim në Turqi. Pa ndihmën e osmanologut Ermal Nurja, unë nuk do kisha nxjerrë gjë në dritë. Duhej patjetër një osmanalog për një katalog të titujve që kishin si referencë Tiranën. Dhe kështu filloi puna” thotë ajo.

Në librin me 452 faqe, ajo sjell dokumenta nga Arkivi Osman që janë jo vetëm unike, por edhe me shumë vlerë për shqiptarët. Ndër të tjera, libri flet edhe për kontributin e popullsisë tironse, në ndërtimin e shumë intitucioneve, si dhe shembullin e tyre në respektimin dhe miqësinë mes feve.

“Ky është një libër i përgjithshëm ku mësohet historia e kryeqytetit dhe të gjithë ne duhet ta dimë historinë e kryeqytetit, ne jetojmë këtu dhe duhet të ndihemi krenarë sepse përmes dokumenteve Tirana del si një qytet zemërgjerë, një qytet me ambicie për të ndërtuar rrugë dhe shkolla dhe ura me fonde të banorëve të Tiranës.

Një qytet që ka dhënë shembull në gjthë Shqipërinë për marrëdhëniet fetare dhe për respektin e miqësinë mes tyre. Të gjitha dokumentet, meqë vijnë në mënyrë të paprekur, ato mund të studiohen fare mirë nga studiuesit dhe historianët. Gjithashtu mund të hapen tema diskutimi ose mund të jetë pikënisje për një studim ose libër tjetër, sepse ato janë unike dhe kanë shumë vlera për historinë shqiptare”, rrëfen ajo për botimin më të ri ‘ Çfarë ka qenë Tirona’.

Në librin “Çfarë ka qenë Tirona?” autorja sjellë edhe dokumente të rëndëishmë për luftën midis pashallarëve shqiptarë, duke bërë që të rihapen edhe çështje të reja si dhe tema diskutimi.

“Ka dokumente të ndryshme sa i përket Shqipërisë. Përshembull lufta e Shkodrës ka dokumente që i përkasin pashallëqeve, luftës mes Ali Pash Tepelenës dhe Bushatllinjve. Thuhet që Ali Pasha është paguar për të vrarë një nga drejtuesit e pashallëkut të Shkodrës Bushatlli.

Domethënë ka dokumente që mund të kapen dhe të rihapen cështje të reja. Kudo që ta hapësh këtë libër, bëhesh kurioze, sepse ka vetëm informacione të panjohura dhe të reja. Çdo dokument ka vlerë unike” tregon Delisula më tej.

Dokumentet dhe informacionet që ka mbledhur gjatë hulumtimit të saj, i kanë lënë shtegu për të punuar për një tjetër libër në të ardhmen:

Unë u mjaftova me 100 dokumente, fakte për Tiranën. Kam pasur kontakte me shumë tiranas që janë interesuar për mbiemra,t sepse unë disponojë një regjistër tjetër popullësie. Ai është i plotë me komunitetin ortodoks të krishterë në përgjithësi dhe të myslimanëve, por momentalisht nuk kam fonde për ta përkthyer dhe për të punuar mbi të.

Ky nuk është botimi i parë i gazetares Delisula, në dhjetor të 2018 ajo botoi ”Tirana Mahnia”,  një guidë historike, etnografike e zakonore e kryeqytetit, për të cilin u vlerësua me çmimin “Mirënjohja e qytetit” akorduar nga bashkia e Tiranës./shqiptarja.com

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

PAMJE TË RRALLA: TIRANA E VITIT 1921