Dritëro Agolli: Jam i pagjumë i madh, jam me vetminë…

ankime kujdes me fjalen poezi nga agolli

S’ia dua asnjeriu pagjumësinë,
e mira nga kjo dreq sëmundje s’del;
Jam i pagjumë e natën kam vetminë,
Jam i pagjumë i madh si kriminelë.

Pagjumësinë, thikën, revolverin
I ka tri armë ndofta çdo kusar;
Këto tri armë trëmbin, vrasin, therrin
Paçka se njëra s’nxjerr as gjak, as zjarr.

S’do mend në luftra vlen pagjumësia
Për luftëtarin fshehur në hendek
Dhe për atë që heq mbi harta vija,
Që shpesh i themi gjel apo strateg.

Pagjumësia rri me peshkatarin
Që rrjetat hedh e pret me ankth në det,
Apo me konstruktorin dhe shkrimtarin
Që natën gdhijnë e nata shpesh i vret.

Por unë flas për tjetër gjë me miqtë,
Për kurthet që pagjumësia sjell:
Të vete mendja drejt në ligësitë,
Kur zgjuar errësirën e përcjell.

Dhe miqve haptazi u them ta dinë,
Se ligësirat mpleksur lesh e li
Më shfaqen kur jetoj pagjumësinë
Dhe fillikat në tryezën time rri.

Dhe unë i bindur jam se sundimtarët
Pagjumësinë e çmonin si tabor,
Për kurthe mblidhnin natën oborrtarët
Dhe natën helmet fshiheshin në oborr.

Ndaj asnjeriu s’ia ndjell pagjumësinë,
Të mira nga kjo dreq sëmundje s’pres;
Jam i pagjumë i madh, jam me vetminë
Dhe natën orët njoh si një këndez.

Shkurt, 1996

*Titulli i origjinalit: “Revoltë ndaj pagjumësisë