Charles Bukowski: Nëse s’të përgjigjem, mbathja, ik…

charles bukowski nëse, poesi observerkult

eh sigurisht, në qoftë se nuk jam jashtë jam brenda
mos trokit nëse dritat janë fikur
ose dëgjon zëra ose atëherë
mund të jem duke lexuar Proustin
nëse dikush ma fut Proustin nën derë
ose ndonjë prej kockave të tij për çomlek,
duke qenë se s’mund të jap para borxh ose telefonin
ose atë çka ka mbetur prej makinës sime
ndonëse mund të kesh gazetën e djeshme
një këmishë të vjetër ose një sanduiç bolonje
ose të flesh në divan
nëse s’ulërin natën
ti mund të flasësh për veten
kjo është normale;

kohë të vështira po vinë për të gjithë
vetëm se unë s’po mundohem të krijoj familje
t’i shkolloj në Harvard
ose të blej toka për gjueti
unë s’rrah lart
thjesht përpiqem të mbetem gjallë
sa më gjatë të mundem

ndaj nëse ti ngandonjëherë troket
e unë s’të përgjigjem
e tek unë s’ka ndonjë femër
ndoshta kam thyer nofullën
e po shoh për një vizë
ose po gjëmoj pas fluturave të
tapicerisë sime

me një fjalë në qoftë se nuk përgjigjem
nuk përgjigjem, dhe arsyeja është
se nuk jam ende gati të të vras
ose të të dua, qoftë edhe të të pranoj,
do të thotë nuk dua të flas

jam i zënë, jam i çmendur, jam i lumtur
ose ndoshta po bëj lakun e një litari;
kështu që edhe sikur dritat të jenë ndezur
e ti dëgjon zëra
fjala vjen si frymëmarrje ose lutje ose të kënduar
një radio ose zaret që hidhen
ose të shtypur në makinë shkrimi-
mbathja ik, nuk është dita
nata, ora e duhur;

nuk është për shkak të injorancës së harbutërisë,
s’dua të lëndoj askënd, qoftë edhe një kandërr
por ngandonjëherë mbledh dëshmi të një lloji
që lypin klasifikim,

dhe sytë e tu të kaltër, nëse janë të kaltër
dhe flokët e tu, nëse të kanë mbetur ende
ose mendja tënde – ata s’mund të hynë
deri sa litari është prerë ose bërë nyje
ose deri sa të jem rruar në
pasqyra të reja, deri sa bota të ketë
ndaluar ose të jetë hapur
përngaherë.

Përktheu: Virgjil Muçi

*Titulli i origjinalit: Mos u end këtyre anëve por në qoftë se e bën…