Cikël me poezi të Vito Nikoliq: Në vend të lutjes për të dikurshmen

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga poeti Vito Nikoliq të përkthyera nga Nikollë Berishaj

NJË NATË ME DUBROVNIKUN

Në këto ditë të zeza të gjithë në rrethim jemi
Të gjithëve njëlloj na sulmojnë, ti o Zoti im,
nga toka dhe nga deti –gjithkund ku të vemi
Barut, barut, barut – dhe vetëm trishtim!

Askënd s’më lë të njoh tymi dhe terri
por sërish e ndjejë një urrejtje të vjetruar
që i pashpirti po derdh mbi ne, i panjeri
mbi gjithçka që ishim, o Zot i nderuar.

Është kohë e tij, të tij fishekët janë
por jona është vuajtja e fshehur në lot,
që ua kemi borxh të vdekurve, fëmijëve tanë
njëherë kur të guxojmë të qajmë në këtë botë.

Po Solinin tragjik pse ma kujtuan,
këtë metropol me sarkofagë të bukur,
që pas dymijë vjetësh ata e mbuluan,
me dhé, përgjithmonë për ta zhdukur.

As luftë e as flotë atëbotë nuk ekzistonte
as turma të dehura të tyre as tonat s’u panë
nga tmerri Solini do të mund të shpëtonte
por prapëseprapë të shpëtojë nuk e lanë.

E çka të pret ty, ti o Qytet Zotëri,
në këtë natë gjakprishur vëllazërore
kur gjakatarët punën e kryejnë në qetësi?…
mosozot të dalin dyshimet e mia prore…

(*shkruar në dhjetor 1991.)

PAMJE NGA FËMIJËRIA

O Zot, si e mbaj mend këtë fotografi
sa e gjallë më ruhet ajo në kujtim
-ia prenë kokën atij rrezikzi,
dhe një mizë ra mbi te si me qëllim.

Dhe kur nga bebëzat pa kthim u shua
një botë e tërë që u zhduk,
ajo mizë qetë mbi faqe iu lëshua
sikur asgjë s’kishte ndodhur u duk.

E atje aromë bari vinte prej toke
shushuriste vjeshta, zogu cicëronte
-gjithçka njësoj ishte, përpos asaj koke
me mizën shpërfillëse që në faqe pushonte.

Unë heshta derisa prej të tjerëve çdokush
me atë skenë lufte i ngopur u largua
njëri bërtiti ÇKA PRET TI VOGËLUSH!
ASGJË, i plakur në çast, prej meje u dëgjua.

DJALOSHI

Djaloshi vrau dallëndyshen, e djemtë e tjerë bërtitën:
-Do të të vdesë nëna… kush dallëndyshen vret i vdes e ëma!…
-Unë nënë nuk kam, – tha Djaloshi.
-E pra, do të të vdesë babai.
-Baba nuk kam.
-Po vëlla, motër?…
-Nuk kam as vëlla, as motër.
-Ama, askënd nuk ke?!
-Askënd.
Djemtë u hutuan. Çfarë fatkeqësie mund ta gjejë dikë, kur është aq fatzi?
Heshtja zgjati shumë, pastaj u lajmërua Djaloshi
Duke ledhatuar viktimën e vet
që nuk kishte më as ditë, as diell, as klithëm…
-Më vjen keq, dallëndyshe – tha me zë të ulët.

DHE PRAPË ËSHTË VJESHTË

Dhe prapë është vjeshtë
gjëmojnë përsëri
shirat e pakufishëm
mbi Nikshiq
sërish mendimi i vjetër ndjellazi
dhe përsëri – i vetëm je
ti, ore Nikoliq.
Dhe përsëri disa
letra të gjata –
letra dëshpëruese –
pa adresë,
por kurrkund një e dashur
kurrkund një shok
vetëm kjo vjeshtë
përsëri vjeshtë.

Po çka nëse
e shkrep atë fishek
nëpër këtë ballë budall’
e pastaj fillon
gjithçka nga e para:
jeta, vuajtjet
dhe përsëri – ky ballë?

Po çka nëse
nuk ka harresë as atje
Nëse kjo është vetëm
lojë e rrethit e amshueshme prore
Po çka nëse atje
nën dhé
dhembin sërish
të njëjtat trishtime njerëzore?


INTIME

Sonte kam shumë dëshirë dikush të më dashurojë
më duhet e butësisë së dikujt një larmi;
Sonte gjithçka do të harroj e tejkaloj
dhe në kraharorin qiellor të kthehem të rri.
unë isha i kafenesë, tjetërkujt si takoja
i padëshiruar si varrtari – isha i mjerë i urryer.
Sonte do të doja vetes – djaloshit t’i ngjasoja
dhe të më thonë sërish sa qenkam i vyer.

MOS QOFSHA MË

Mos qofsha më kur mos të dashuroj
se prej meje atëbotë asgjë s’do të mbetet

ndoshta vetëm si cung i djegur do jetoj
prej tërë kësaj vatre të madhe që po tretet  

BORA E PARË

Sonja, dil të bredhim nëpër terr,
të bredh, seç kam sonte dëshirë, çudi.
Sonja, dil dhe me vete merr
nën pallton tënde vetëm pak butësi.

Pak butësi, vetëm pak merr
vetëm një kafshatë për më të madhen uri
Sonja, dil të bredhim nëpër terr
Sonte qyteti mahnit me bukuri.

NË VEND TË LUTJES PËR TË DIKURSHMEN

Nganjëherë, ishja ime, ty të kujtoj
dhe diçka e ngrohtë në shpirt më shkëlqen
si nga një këngë e mirë e vjetër që këndoj
që rastësisht me zë të ulët shpërthen.

Ku do të jesh sonte, ti ishja ime,
athua diku ke thurur shtëpi,
apo ende, siç bëje dikur,
nëpër Beograd natën bredh ti.

Ende atë çudnarin kërkon ti
atë nga ëndrrat më të ngrohtat tua
atë që kërkoje kot së koti
edhe atë natë kur më takove mua.

Kërko vetëm kërko, bë gjurmime
ai një natë duhet, patjetër të vijë,
nga ëndrrat tua të bukura, e dashura ime,
në netët tua pa fije bukuri.

Siç këto këngë te ne tash vijnë
nga pyje të bukura të panjohura tona
ta trazojnë vrazhdë pagjumësinë,
në realitetin e hidhur të orëve të vona.

Nganjëherë kështu, ty të kujtoj
dhe diçka e ngrohtë në shpirt më shkëlqen
si nga një këngë e mirë e vjetër që këndoj
që rastësisht me zë të ulët shpërthen.

NINULLA

Fli, fli
mëkati im i vogël, ti
fli, turpi im i bukur,
për shkakun tënd më dëbuan
që rrobat e huaja mbi gardh t’i shtrij.

Më quajtën çka u erdhi për goje
dhe na mallkuan,
edhe mua bir, edhe ty
sikur ti të mos ishe fëmijë,
të nënës më të bukurit sy.

Fli, fli,
t’i rritesh nënës ti,
i madh si ato pemë
i fuqishëm si ato përqafime,
i bukur si ajo dritë hëne.

Fli,
turpi i bukur i nënës.

KËNGË E FUNDIT

I shtrirë në arkivol, i qetë, i tjetërsuar
deri në banalitet, deri në turp e dëshpërim,
disa mikesha në të zeza më patën vizituar
Ndonjëra u afrua dhe qau me rënkim.

Rreth meje janë ulur. Në heshtje e brishtësi.
Pleqtë flasin, kolliten dhe pinë duhan
Dhe m’i falin të gjitha me zemërgjerësi
Ato që, me gotë pranë, ndodhur më kanë.

Virtytet m’i qëndisin me seriozitet e mall
Barsoleta për mua i flasin pa ngurrim
(Duket se isha i përkryer, i rrallë
Ti, vdekja ime, ti, i vetmi gabimi im!)

I shtrirë në arkivol, i qetë, i tjetërsuar,
E përjashta dielli përditë shndrit pa nda.
Nuk di a është kush tjetër i pikëlluar,
Por pikëllimi im, vërtet fund nuk ka.


Vitomir Vito Nikoliq (Mostar, 27 prill 1934 — Podgoricë, shtator 1994) poet, gazetar dhe udhëpërshkrues malazias. Gjatë jetës botoi tri përmbledhje poezish, përmbledhjen e katërt post mortem ia botoi miku i tij, Rajko Babović.
Me prejardhje nga Nikshiqi, u lind në Mostar, ku babai i shërbente në ushtri. LDB ia ndërpreu fëmijërinë. Si dëshmitar i ngjarjeve luftarake, u plagos në eksplodimkin e një bombe, prej të cilës iu vra i vëllai dhe një shok. Babën ia pushkatojnë italianët, më 1943. Në bombardimin e Nikshiqit, më 1944, ai mezi shpëtoi. Pas përfundimit të luftës jeton nëpër jetimore. Sëmuret nga tuberkulozi.
Zhvendoset në Podgoricë dhe punësohet në redaksinë e Pobjedës. Shkatërrimin e Jugosllavisë, bombardimin e Dubrovnikut, rrëzimin e urës së Mostarit i përjeton shumë vështirë. Nuk pranon të bëhet pjesëtarë i propagandës luftënxitëse të gazetës amë dhe në shtator 1991 e largojnë nga puna. Vdiq më 1994 dhe u varros në Nikshiq.

ObserverKult


Lexo edhe:

(VIDEO) FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 3/ TAKIM POETIK DHE DISKUTIM ME NIKOLLË BERISHAJN