Cikël poetik nga Ana Kove: Prill në dëshir(ë)ore

ana kove

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Ana Kove:

Prill

Jetomë këtë prill
harlisu krejt si stina
nga gjembi i rreshkur
çeli ngjyrat
lakuriq
mbi gjethe shtrihu,
mesit të gonxhes buis
rrënjë peme vdis
e ringjallu i dehur
nga musht’ i trëndafilit!

O ajër amshimi
plot jargavanë
dhe lulka larushie;
e gjitha jam prill
çmendurake si muaji;
lëkurë e valë plot mornica,
që ma dridhin trupin
nga përtëritje premtimesh.

Mëkatare jam
nën dhuratën stolisëse,
që i lyp mbrojtje qiellit,
dhe lyp hirin tënd:
jetomë këtë prill,
ç’pret?!

Java e madhe

E mban mend atë prill
sa shumë duheshim,
të dielën e dafinës
s’di ç’ndodhi me ne;
u luta nëpër tempuj,
nën qiejt – kryq me re.
Pse joshesh më kot
nga çaste nën neon?
Eja, merr nga drita,
që kurrë s’perëndon!
Le të na magjepsë
si herën e parë;
sytë të na shkëlqejnë,
si argjend i larë.
Jam trupi ku kryqin
peshoje çdo natë;
je kalvar i ngrirë
nga mungesë e gjatë.
Jam qiriu i Pashkës
me flakë ndër duar,
pa ty s’kam ringjallje,
e Diel e amshuar!

Ngjyrë

Ngjyrë e magjisë më je
okër vjeshte në prill
parfum i gjakut të ndezur
qumësht buzësh
vajim i shenjtë misteri
që më rrëshqet nëpër trup
e më lëngështon gjer eshtrat;
aromë dafine nën sqetulla burri,
apostull shërues
për ty i marr malet
dhe fushë e pangopur
plot lule
plot nektar
plot bletë
më mbushen sytë…

Prill në dëshir(ë)ore

Në je pas dritës
dhe s’të shoh,
sytë më dalshin mbi duar
e ndriçofshin si herën e parë!
Në je pas dritës
dhe s’të prek,
duart m’u bëfshin litarë,
t’i varem trupit tënd
si kambanë shungulluese.
Në je pas dritës
dhe s’të mbërrij,
këmbët m’u shkurtofshin,
si ditët pa ty!
O ikonë amshimi,
largoma ahmën prej shpirtit
e ngjallmi sërish
dëshirat e prillta!

Sërish prill

Me zë shpirti po lutem:
heeej Prill,
nga trupi yt mbiva
me dhimbjen e lindjes
si buis sythi prej biskut të tharë;
aroma dhe ngjyra padurimi
presin kënaqësitë e pranverës,
diellin që fundbarkun përcëllon.

Sa shumë i ngjamë lajthitjes së muajit,
kur pa na pyetur bën ç’t’i dojë qejfi…
me ne, që s’dimë ç’duam.

Me zë shpirti po lutem:
Heeej prill,
prill, më duaj!

Ngjallje

Si lulëz e tharë e pres Ngjalljen
dritën grabis nga kujtimet
kur terri mbulon botën tënde;
brenda meje merr frymë
e po vdes të të shoh;
bashkë me ajrin
të t’i gëlltis sytë,
pa le të verbohem.

Si lulëz përjetësie pres Ngjalljen,
pres diçka përtëritëse
si Pashka…

Nën ullinj

U nxi edhe deti nga ky qiell gri,
retë s’i kthjell më lëngu i syve,
ai përvëlon rreth bebëzash
e mbi mollëza rrjedh i valë.
Tash retë mahisen si plagët,
zbrazin shi të njelmët prilli
mbi ullirin që vrau rrufeja
nën piskama kryqëzimi.
S’e ndjen frikën time, zemër,
mos vrugu ma përhit kurorën
që dikur ma vure mbi flokë,
mos gjethet majole
bëhen gjemba gjaku?
Mos ujërat më derdhen trupit
me hidhësinë e ndëshkimit?
Ngutu! Thirri zogjtë,
nën këtë hije pa pemë
t’ia thithim cicërimat
pranverës që ringjallet!

*(Nga vëllimi poetik në proces “Pjalme prilli”)

ObserverKult


Lexo edhe:

ANA KOVE: DASHURI ME CHE GUEVARËN

ANA KOVE: KUR LINDE TI, BIJË, LUTESHIM FSHEHURAZI!