Pyetësori i Prustit: Arben Prendi

arben prendi
Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Arben Prendi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Elemente të lumturisë janë të shpërndara në jetën tonë të përditshme, në gjërat e zakonshme dhe të pazakonshme. I përkryer është vetëm Zoti. Duhet të jemi në gjendje ta përjetojmë këtë lloj lumturie, e cila është e shkrirë në ekzistencën tonë. Sigurisht nëse presim të shkarkohet lumturia e përkryer si rrufeja nga qielli, mbesim pa kuptuar lumturinë e ditëve të zakonshme dhe jetës së përditshme: lumturinë që të fal krijimi i një poezie, dëgjimi i një kënge të bukur, përjetimi i një pikture të bukur, zgjimi në majën e një mali, përshëndetja me rrezet e para apo të fundit të diellit, buzëqeshja e fëmijëve të tu natën në gjumë apo lodrat e tyre gjatë ditës, dashuria apo dhembshuria e prindërve, të ecurit e përqafuar me njeriun që do, të menduarit për të gjitha këto dhe për gjërat e tjera që lidhen me jetën tënde dhe të të tjerëve…

Cila është frika juaj më e madhe?
Nuk e di, në të vërtetë. Ndoshta frika se mos vdes i ri dhe i lë fëmijët të vegjël, pa mbështetje dhe përkujdesje.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Përgjithësisht nuk admiroj askend. Më shumë prirem drejt admirimit të cilësive të veçanta nga njerëz të ndryshëm.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me asnjë. Secila qenie njerëzore është unike. Secila është e rëndësishme në vetvete. Rrethana të caktuara në jetë nxjerrin në pah cilësitë e karaktereve njerëzore.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Ndoshta natyra pak e mbyllur dhe të mos qenit sistematik në veprimtarinë e përditshme.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Shmangia nga përgjegjësitë dhe detyrat që kanë ndaj të tjerëve.

Në cilat gjëra e teproni?
Sipas rastit, punoj shumë dhe pastaj pushoj shumë…

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Vetëm nëse do të shpëtoja jetën e dikujt në rrezik.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Udhëtimi me këmbë. Udhëtimi në fshat, në natyrë, në fushë, në mal, të notuarit…

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Të shkueme e të harrueme!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që nuk kam pasur mundësi të kujdesem më shumë për shëndetin e babës dhe nanës. Ata nuk jetojnë më.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Letërsia dhe gruaja, fëmijët e mi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E ngatërruar, kryesisht për shkak të gjendjes sociale-politike në të cilën gjendet Shqipëria e këtyre kohëve.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të qenit më sistematik në veprimtarinë e përditshme.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Botimin e vëllimit “Vepra poetike I” (2018) dhe familjen time.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Asgjë. Ndoshta të kisha pasur mundësi të mësoja më shumë gjuhë të huaja.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Një pemë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Letërsia dhe familja ime.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Në rrafshin personal, mjerim i madh është të jetuarit pa motiv, në rrafshin social kur vendin dhe institucionet i drejtojnë të paaftët dhe hajdutët.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Këtu ku jetoj, në Shkodër dhe pjesërisht në fshat, në vendlindje.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Karakterin e qëndrueshëm dhe inteligjencën.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Hijeshinë, karakterin e qëndrueshëm dhe inteligjencën.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Janë shumë. Dino Buxati, shkrimtar italian i të ashtuquajturit realizëm magjik.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nuk kam heronj realë. Më shumë jepem pas heronjve letrarë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Poezia është e lidhur ngushtë me muzikën dhe pikturën. Kompozitor dhe piktor.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Me mendje të kthjellët dhe njerëz të familjes afër.

Cila është motoja juaj?
Bëj atë që mundesh!/Gazeta Observer