Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Armenida Qyqja:
VJESHTË E TREMBUR
Një mëngjes i ftohur pret
Që me natë, në parvaz,
Në heshtje, ftohtë e shohin xhamat,
Unë shoh përtej tyre, mëngjesit, të ftohtit,
Përtej reve atje lart, frontit të shtrënguar…
Shoh vjeshtën e trembur nga shirat…
Me vrap mendoj ty
Dhe me krahët e tu mbështjell veten,
Fort, gjatë, derisa,
Derisa nuk më dridhet më zemra…
Po vjeshtën, i dashur,
Kush do ta mbështjellë?
(Shtator 2023)
PAK PAQE
Rrahin çekanët ditë e natë,
Qelia e kohës, mbeti po aq e ngushtë
Dhe muret po aq të paepur,
Sa Athina përplasin në to grushtet e përgjakur?
Burgje burkash e dogmash,
Zeusësh që dhe dy mijë vjet pas Krishtit,
Frkikë kanë të humbi pushtetin…
Ah, s’ia mësoi dot botës as ai dashurinë!
Rrahin çekanët, ditë-natë,
Qelia e kohës, po aq e ngushtë…
Merrmë i dashur, merrmë!
Jam kaq e lodhur nga tërë kjo luftë…
(Shtator 2023)
PREHJE
Ëndërrova sërish supin tënd,
Dhe kokën time lëshuar mbi të,
Si ushtarë të lodhur pas një fronti të rënë,
Prehjen gjetën, më së fundi mendimet…
Nuk dua t’ia di më për humbjet, fitoret,
Matjet piramidale të suksesit,
Këtë luftë që di si të na vrasë pa plumba
Dhe na gënjen me gradat…
Të ëndërrova i dashur, me sytë hapur
Dhe veshët e mbyllur,
Nuk prisja dot deri sa dita të tërhiqej
Në prapavijën e saj, e mundur…
(Shtator 2023)
PËR TY DASHURI
Shkrova për ty, sërish,
Dhe pse ka me mijëra gjëra
Për të cilat duhet të shkruaj…
S’jam vetëm, jo,
Kështu bën një botë e tërë muhaxhirësh,
Mbështillet në gëzhojën e vet
Dhe bën sikur harron hallet, sëmundjet,
Bijtë autistë që shtohen dita ditës…
Harron borxhet
Dhe mes sirenash, vdekjen…
Askush s’i numëron më ditët e luftës
Atje në atë ç’ka ishte dikur Ukrainë!
Ca vende i zbrazin me zjarr e bomba,
E ca të tjerë, si vendin tim,
Me gazin e pangjyrtë të shpresës së helmuar…
Botë e paplëngtë dhe unë…
Një Jozef i shitur fare lirë, nga vëllezërit…
Mijëra gjëra për të cilat duhet të shkruaj,
Duhet! E di, duhet! Patjetër!
Por ja që shkrova për ty sot, sërish…
(Shtator 2023)
BIJËVE PLANGPRISHËS
Eh, Ankiz, duhet t’i falenderosh zotat,
Që dhe pse paganë, të mëshirshëm qenë,
Iku koha kur biri e mban në krahë atin,
Udhëve të botës nga endet pa Atdhe…
Të tepërt na i dolën ati dhe dheu,
Njeriut global që veç vetja i duhet,
Pa asnjë rrënjë që lidhur ta mbajë,
Pa barrën e eshtrave të plakura mbi supe…
Paganë qenë zotët e tu Ankiz,
Por të mëshirshëm fort, për besë!
Shokët e tu, po ruajnë sot në azil
Vendet e tyre, për bijtë plangprishës…
(Tetor 2021)
ObserverKult
Lexo edhe:
ARMENIDA QYQJA: DYZET PLUS…
Dyzet plus…digjej nata dhe ajri mes buzëve,
Veç heshtja hynte nga dritaret e hapura,
Ti nuk erdhe e as zërin s’më dërgove,
Të vetme më le, në shtegun pa dritë e pa ëndrra…
Si një fëmijë i harruar pas u ndjeva,
Pa lodrën e preferuar dhe krahët e tu…
Dyzet plus…po ç’punë ka mosha
Kur zemra mbi kohën galopon kështu!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ARMENIDA QYQJA: DASHURIA MBAN EMRIN TËND
Dashuria mban emrin tënd
Dhe pse “të dua” s’më thua,
Me krahët e tu ma rrethon qiellin,
Veç diell e zogj të ulen mbi mua…
Dhe kur nata bie e as një yll nuk ndriçon,
Nga fundi universit më nis rrahjen e zemrës,
Mes mijëra pulsimesh mbi terrin që shpon,
Udhë drite m’i shtron nëpër re ëndrrës…
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult