Cikël poetik nga David Boseta: Baladë trishtimit

david boseta

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga David Boseta.

SA HERË T’KAM AFËR

Sa herë t’kam afër,
t’rroku fort n’përqafimin tém
e koha nuk m’del me u knaqë
sa mendoj që prép ke me m’ikë,
e shpirti prép për ty m’dhémb.

Sa herë n’ikjet tueja mundohem t’kujtoj
nji puthje a nji përqafim,
e si për dreq
veç aromën e lkurës tande
un ruej t’vetmin kujtim.

Ah po,
edhe sytë,
ato sy që kam dashtë,
ato lumej jetet ku kam notu,
ata sy që m’kan dashtë,
dashninë prej tyne kam shiju,
ai shikim, i ambël në çdo takim,
në çdo ndarje i vrazhdë.

E un,
teksa t’shoh e vuej për ty e ambla jéme,
ti nget vrep ikjesh t’panumërta,
padrejtsisht lerg zemrës téme.

Në çdo ikje tham me vedi si ka mundsi,
ata sy ta kenë at forcë, at magji,
sa t’më mbâjnë t’burgosun përjetsisht
në at t’bekume dashni.

Sa herë t’kam afër
t’shtrëngoj fort n’gjoksin tém,
un jam msu me vuejt, por ç’faj ka shpirti jém?
Që n’heshtje vuen e mâ tepër m’dhémb.

POEZIA

Poezia, për mú
ásht thjésht nji çast,
nji çást magjik.
Ásht thârmi i nji shkndijet
që kristalizohet n’frymzim poetik.
Poezia gjindet kudo
në ájër, në natyrë, në çdo pjésë t’vogël
që plotson pazëllin e jetës tónë.
Mjafton me kenë i vëmendshëm
me fiksú at mikro-panoramë
që nji sy indiferent nuk e shef,
e, njàty ásht “sekreti”
njàty flen shkndija që rilind feniksin poetik.
Mjafton me pâ nji kabinë telefonike,
mrenda sáj receptori i varun n’fijen e përdredhun,
lkùndet kréjt kadálë n’ajrin e fjetun.
I pashpresë,
si ajo telefonatë e fundit kputun n’mes
që ndoshta ka ndâ
dy njérz që jánë dâshtë,
pa i thânë Të Du, Më Mungon, Të Pres.
Ndóshta ka ndâ nanën prej djalit që ka larg,
apo dy miq t’mirë, shokë fminijet
që njeni-tjetrit s’i flet.
Apo, dikënd që s’ka mújt
me i thánë M’fal, dikújt
Receptori nuk lshon zâ,
veç lkùndet i pájetë, n’pritje
se dikush tjétër ka me e përkdhélë,
e me zânin e âmel dikujt
me fjálë dashnijet ka me i dhanë shprésë.
E prá, mrenda nji kabinet aq të thjéshtë,
nji poezi t’bukur mundesh me gjétë.
Se poezia ásht
nji çast,
që vlen sa nji jétë.

PA DESTINACION

Me vedi mora veç nji valixhe,
u nisa edhe un, si shum të tjerë.
Sa randë peshoka malli në ikje,
rrugve t’kurbetit, pa asnji tabelë.

Kaloj shum kilometra vetmijet
eci ditë e natë, pa e ditë as vetë.
Ku fati jem më ndjek si hije,
më ndjek, por nuk më udhëheq.

Provoj shumë numra telefonash,
se nëpër botë kam shokë e miq.
Por në udhëkryqet e zhgënjimit,
asnji prej tyne nuk mu përgjigj.

Përtokë shkapeta telefonin
në qindra ashkla u shpërba.
Si shoqnija e pavlerë
që s’duhet gja.

Por jo, zhgënjimi nuk më theu
përkundrazi m’bani ma të fortë.
Me fatin tem luftoj i vetëm,
i vetëm ja kam dalë gjithmonë.

Rrugtimesh pa fund hapash zvarritun
ku mendja e zemra kanë vec nji qëllim.
Shpresa i nep jetë shpirtit t’zhuritun
të arrij t’ja dal me çdo kusht, me çdo çmim.

BALADË TRISHTIMIT

Në piano-barin e preferùem
u ula sònte, të pi nji gòtë.
Në tavolina, të gjithë t’shoqnùem,
por un i vetëm ndihem n’kyt bòtë.

Dikush këndon me zâ të ámbël
e, nji kitârrë sólo e shoqnon.
Balada e fámshme “Lulja e Majit”
u bá refren i ndâmjes tonë.

Nji lot i rândë braktisi synin
e, mrenda gòtës me vènë u zhyt.
Shija e hidhun që len trishtimi
asht sònte hélmi që po më mbýt.

Kristali i brishtë krejt lèhtë kërciti
gòta e vènës mu thýe ndër gishta.
Siç thèhet prej vetmijet shpirti
e, siç coptóhet e vrâme zemra.

Shum sý më kritikùen në heshtje
ndoshta mendùen se jam i dèhun.
Por asnji s’mundet me m’kuptùe
sa vùej sònte n’kujtime trètun.

Nji tjetër gòtë e mbusha plot
me fund e piva, me lot në sý.
Me vènë të hidhun e mbusha shpirtin,
por zemra bosh mbeti pa tý.

Në piano-barin plot me njerëz
un n’tavolinë,
pi me vetminë.
Dikush përbâllë m’buzqeshi ámbël,
por un bàna sikur s’e pâshë…

M’FAL ATDHEU JEM

M’fal atdheu jem,
që kurrë s’dita me t’dashtë,
siç bajnë disa poetë a shkrimtarë.
Me fjalë t’mdhaja,
metafora delirit,
si i kndon nana, djalit t’deshirit.

M’fal, pashë emnin e Zotit,
e m’beso,
se edhe un di me t’dashtë
por jo me hile e rrena, jo.

Un di me t’dashtë me shpirt,
me vujt me shpirt,
e, me të mbrojtë me shpirt.

Edhe n’kjoft’se prep hjedhin baltë mbi ty,
politikant horra që deri n’asht t’kanë grry.
Edhe n’kjoftë’se prej hallit
ka me t’lanë ma i fundmi zog shqiptarit,
un kam me ndejtë me ty.
E kam me t’dashtë ma fort,
t’betohem n’Zot!

Kam me t’ndejt ditë-natë te krytë,
tuj t’i fresku buzt e sytë
me uj krojesh,
tuj të mëkù si fminë e djepit,
me mjaltë hojesh.

Kam me ta ndezë çibukun
bri konakut
me gacat e fundit të oxhakut,
tuj t’këndu ma t’bukrën kangë lahutet
që armiqt alà i ban me u dridhë tutet.

E mandej,
kur i lodhun të rrejnë gjumi
trupin e coptuem kam me ta mblu,
me ma të shtrenjtën pëlhurë,
me flamurë.

E me za të lehtë kam me tu lutë
M’fal atdheu jem, m’fal
se un s’di,
me t’dasht ma pak.

HINE N’ZEMRËN TEME

Hine n’zemren téme,
M’tërbove, më çménde,
Lujte me mu sa dèshte,
U talle, u ngërdhèshe,
Hine veç me bá rromujë,
Pa mendu sa vuej,
Mandej ike,
si hije u tréte
Më vrave, pabesisht
kur deren shkapéte,
Derën e zemrës
Që hâpë e gjéte,
Derën e shpirtit
Që kurrë s’e déshte.
……………………………..

Por
i kshillë du me ta dhânë
o njiri pá jetë.
Mendo se kanë me t’lânë, vetëm ke me mbetë
Mendo se pa ndjenja askush n’botë s’ka me t’dáshtë
Por kanë me u tâllë sa t’jéshë e re
mandej kanë me t’hedhë jáshtë,
Në rrugë,
si idiote,
Aty ku asfalti
Asht i ftoftë si zemra jote.

ObserverKult

Lexo edhe:

DAVID BOSETA: MË DUAJ, ÇMENDURISHT, MË DASHURO!