Cikël poetik nga Emin Z. Emini: Eja sot e më duaj…

emin z. emini
Emin Z. Emini

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Emin Z. Emini:

EJA SOT

eja sot e më duaj
më dashuro me të gjtha flakët e zjarret e tua
gjakun e frymën ma digj

sot eja e më duaj
jepmë hirin e bimëve në oborr

eja sot
kokrrat e shegës të të shohin
të bukura të rriten
të piqen
me ty të ngjajnë

eja e më duaj sot
për të më vrarë ke kohë edhe nesër

E PAEMËR

asaj
nuk dija t’i vëja emër

thjesht e ndieja

ajo
qe muzika
e zotit

IKJA E SAJ

ajo mblodhi çdo gjë
edhe frymën e mbetur në ajrin e shtëpisë

aromën e lëkurës së trupit lënë shtratit
duarngrirë me temjan e tymosi

me buzëkuq i shkroi pasqyrës mbi fytyrë
s’do t’ma shohësh më surratin

tesha e kotesha i plandosi
në njërën nga dhomëzat e zemrës

mori ç’deshi
shkoi

në sofrën e vargut një vend i zbrazët
boshi

aq i vogël
sa s’e zë vetmia e madhe

gjithçka zgjerohet me trajtë kozmosi
poezia tkurret zhbëhet e bëhet asgjë

pa të

EKLIPS

ajo udhëton natën
ai ditën

udhëtimin e qielltë nisur kanë
para se zogjtë të çilnin zogj
para se uji të mësonte të rridhte tatëpjetë
para se njeriut t’i vinte era hudhër

ecin me shpirt ndër dhëmbë e ecin
trajektoret e tyre ndara
duku në blu
në paanësinën e pasosur t’i pjekin

sy më sy të shihen
buzë më buzë të puthen
dritë më dritë të shuhen

hëna e dielli

U BËMË QULL

asgjë e pazakontë
pasditën e prishtinës e lagu shiu i vjeshtës

sheshit të shtruar me rrezatim kanceroz
hapat e mi e të saj
ecnin krah për krah

ombrellat që mbanim në duar
pa na pyetur
pafajësisht u puthën

ne u bëmë qull

ObserverKult


Lexo edhe:

“FJALË TË BUKËTA”, LIBRI I RI I EMIN Z. EMINIT, TASHMË NË LIBRARI

Shtëpia Botuese Littera solli për lexuesit, librin më të ri të autorit Emin Z. Emini, “Fjalë të bukëta”.

Disa fjalë për librin:

Adem Gashi: Pas trilogjisë poetike të Emin Z. Eminit për Moirën mitike dhe, u mor vesh, shemrën e saj të ndodhur midis nesh, tashti sfondin e mitologjisë e ka veshur atllasi ekzotik i autoktonisë, ku Moira trupëzohet në Gruan-Kapedane të folklorit shqiptar, përshkuar nga një vello e erandshme, tërësisht e tejdukshme.

Gatesa lirike e Eminit, me një ornitologji të çuditshme, sado që përkëdhelshëm ngutet të na thotë se po na cicëron me fjalë të bukëta, ç’është e vërteta, buis nga myja e fjalëve dhe rrjedha na vjen me plot ritme, krejt dalldisëse dhe marramendëse…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU