Cikël poetik nga Entela Kasi: Babai mbledh gështenja në mal

entela kasi

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Entela Kasi, shkëputur nga libri Nëna e atit – Amidah the silent prayer, Buzuku, 2021.

Amidah, the silent prayer

Amidah, nëna e atit
Mbështjellë nga drita heshtur
Me kandilin ndezur shkonte tek bariu
Përherë e quante im zot
Dhe ai ime zonjë
Flokët e saj si një kurorë kallinjsh gruri
Kokës së bukur
Nën dritë yjesh
Ai mbante një kapë të zezë
Përherë
Të premteve mbrama
Të bardhë
Tash është koha të heshtim
Të dëgjojmë këngët tona
Toka jonë është prej qumshti dhe mjalti
Merri mollët nga duart e nënës
Mos e shqetëso time zonjë
Tash është koha të heshtim
Tre tinguj të tri kohëve thyer

Nëse bota është e egër, Anja…

Nëse bota është e vrazhdë, Anja
Lëkura e regjur nga kripë e ëndrrës është faqja
Ku do të shkruash historinë tënde, time, tonën
Do ta gdhendësh me ngjyrat e tokës, zjarrit, ujit
Tanë botën e lume krejt
Botën që derdhet e përhapet sall këtu ku jemi
E nëse oxhaku bie, Anja
Në vatër do xixëllojë prushi,
Drita e yjet do hyjnë kah gurët e qosheve të shtëpisë së gjyshit
E do zgjaten si duart e tij që mbështillnin
Duhanin mbi hirin e fletëve
Hana ka me ta shfaq anën tjatër
Mbështjellë n’mëndafsh fjalësh të nanës
Deri sa të bëhet e plotë në kupë të qiellit
Do të ndërrojnë stinët, Anja
Do të piqen shegët, portokallet, ullinjtë si sytë e saj të bukur
Me lëng jete
Mollët do të pikojnë nga degët e nuk do të thyhen pemët
Mbi kokën tënde të bukur do të çahen gështenjat e pjekura
Do mbetet ngjyra mbi flokët e tu përhapur nga era gjithkund
Do shohësh tokën e pluguar ku hidhet gruri
Farën n’gjumë të ëmbël nën plis
Mbuluar nga bora
Do të vallëzosh në akull balerina ime
E unë do të jem flutur diku rreth zjarrit
…njerëzit do ti duash ashtu si janë
Të vegjël, të hidhët, të trishtuar, të sëmurë, e të krisur
Do ti shohësh të gjitha Anja,
Do pish mjaltë e verë,
Do hidhërohesh, do të qash, do të rrëzohesh,
Do të biesh për tokë prej dhimbjes
Pastaj do të ngrihesh, do të ngjitesh lart për të qenë
Bijë, vashë, nanë e grua
Për të mbetur motër e fëmijë e qashtër si drita
E dashura e ambël e dashurisë së jetës
Nëse bota është e egër Anja
Lëkura e regjur e saj është faqja
Ku do gdhendësh jetën.

Gjurmë mbi gur

Ime gjyshe kur çelnin mollët lule të bardha nën kurorë argjendi si flokët e saj,
Tek burimi duke mbushur ujin për të pjekur kafen ulur mes lëndinës plot lule e bar,
Përballë liqenit të Ohërit,
në mal,
Me sytë tretur mbi re të bardha si mëndafsh i këmishës të saj në ditën e lumturisë
Pat thënë: – bijë, mjaltë i mjaltit tim, e vetmja ime këtu ku jemi,
Nëse nuk e ke takuar bishën asgjë nuk ke kuptuar nga jeta!
Bisha, nuk është ujk!
Bisha nuk është as vrasës kafshësh, gjahtar.
Bisha është njeri me pamje të zakonshme,
Kënaqësia e vetme e saj është vrasja e njerëzve, sepse është monstër.
Asaj nuk i dhemb kurrgjë,
as vetja. Kjo sepse e tillë është lindur. Po ta them: kur nuk ka më ç’të hajë i ulëret yjeve e Hënës, vetëm prej dritës së diellit nxihet, atëherë shkon e mbyllet në shpellë deri sa të bjerë nata,
Pastaj del e të thotë- dhe nata ra…
Por ti e ëmbla ime e di, nuk bie nata.
Thjesht perëndon këtu ku jemi a kudo qofshim sepse Dielli është përgjithmonë atje,
e toka rrotullohet rreth boshtit dhe Atij,
Ndaj ndërrojnë stinët.
Këtu kanë çelur mollët e andej bie borë
Ne jemi këtu, ti e vetmja me mua,
e ata tej pushojnë…
Ata tej, larg, përjetësisht.
E ata të tjerët, larg ku në këtë çast nuk shohin këtë vend ku jemi ulur unë e ti.
Dea tani po vërtitet rrotull një shtëpie prej druri, shkurt barkakë ose stallë për kuajt, që të mbledhë luledele duhet të pyesë rojën e kampit.
Noah, po ngarkon vagonët e mbase kurrë nuk del prej atje.
Më kupto,
Nuk ka dritë për ata, as ajër, ka vetëm vuajtje
E nëse kthehen, unë do bluaj kafen e ti do t’i shohësh të gjitha.
Atëherë do jesh gruaja e një burri, nëna e fëmijëve të tu, do jetë tjetër kohë ndërsa ky mal i njëjti mal e ky liqen i përjetshëm po këtu. Unë do kem shkuar andej nga bregu, duke pushuar e ndjerë dallgët.
Me gurët e bardhë nën tokë dhe unazën në gisht.
Do të jem me time motër,
Me tim vëllezër, me atin e nanën
Me tim shoq. Me krejt botën e lume.
Mjaltë I mjaltit tim,
Mbaji ndezur dritat e Menorah,
Bëje bukën e mirë,
Shto mollët, shegët e kuqe e mjaltin në shtëpi për të mbledhur bijtë.
E kur të vijë bisha, bisha është monstër jo kafshë,
sy më sy me të u shih,
ndiz dritën e këndo me zë të lartë psalmet tona,
Këngët e tët gjyshi,
vetëm atëherë ke me pa
Fuqinë e dritës.


me dorën mbështetur nga muri ku këndonim këngët në gjuhën tonë të vjetër
gishtat e tu të hollë
Do kenë lënë gjurmë mbi gur…
Vetëm atje!

Nesër, ani- nesër

Sundues, skllevër, mbretër,
Të tokës rrëshqitur kur bien, ashtu ngultas në asht njeriu,
Dhe qeshin, me një fashë të bardhë gojës,
Gjuhëlidhur të tjerët,
as zotërinj as shërbëtorë,
një sferë e rënë galaksisë, një atom që endet pa lidhje me lehtësinë e përmbajtjes së vetes,
Pastaj të tjerët e tjerë,
Një ushtri bretkocash ndërkohë, pa kohë pellgut e myshkut, në kor si i përbaltur tingull
Përmbyt, sundon, dritën.
Dhe heshtja, një gjuhë e lidhur flet në heshtje
Gjithçka që e pa syri i njeriut botës, asaj këtu ku jemi
Me shije metali nën qiellzë, shqisë me shije të baltës,
Tash miku im, bjer e fli! Është terr, në mundsh ëndërro, kohën kur ishim njerëz të bukur
Me shqisë, me shijen e mjaltit nën gjuhë,
Kur kishim sy me e pa dritën,
Kur kishim duar me e prek argjilën me i dhan krejt formën e vazos për me i shtu lulnajë andrrash,
Çka u ba sodit, ishte dje. Nesër , ani nesër
Sundues, skllevër, mbretër,
Ngultas në asht njeriu,
Si metal i ftohtë nën gjuhë,
As zotëri, as shërbëtor!
Përmbys, sundon, dritën…

Nuk mundesh të më kthesh sot në numër


Shifër ishte njeriu
Në trenat e mortit
Në dhomat e gazit
Shifër dhe vija
Plagë
Kur ti dhe jo vetëm
Sollët gjëmën
Im gjysh ka kujtesë që mbeti në letrat tona
Kujtesë ka edhe im atë
Ndërsa e shoh ende dhe tash
Se ti dhe jo vetëm
Do të jesh ashtu një mur i rrëzuar
A një figurinë dylli
Ndërsa jetojmë plagësh

Babai mbledh gështenja në mal


Asht shter uji kah burimi, tha ati
E drejtoi kokën kah mali
Tash bjer e fli!
Ke sy të lodhun ditësh si nana
Tash në vatër hiri, si sytë bojë hiri
Të shuar
Sy më sy i shoh në kornizë
E tash një fije drite hyn
Kah streha
E bie në lotin tim.

ObserverKult

Kliko edhe:

ENTELA KASI: ASGJË S’KA MBETUR VEÇ DASHURISË MIKU IM…

ENTELA KASI: PA NE, PERDET BIEN. LOJA MBARON. ATA NUK JANË!

REKOMANDIME LEXIMI NGA ENTELA KASI

POEZI NGA ENTELA KASI: ZË QË MË VJEN SË LARGU

“SIKUR TË VINTE GJYSHJA, NGA LART”, INTERPRETON ENTELA KASI