Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Loreta Schillock.
***
A t’ja lëmë harresës dhimbjen e kujtimit
të mos të tentojmë të rishihemi pranë nesh
në skutat e mëkateve të rishtëza
si thua…
A t’i largohemi ëmbëlsisë së vargjeve
të thurrura me fjalë dashurie
në ditarin e kyçur me puthje
si thua…
Thua të shuhemi pa shkëndin’ e fundit
të syve që gulçojnë kërshërinë në të afruar
drejt teje, drejt meje
si thua…
Thua të heshtim në venitjen e flakëzës
së kandilit ofshuar mbi dhimbjen e
lënë prej ndarjes si nga dy të panjohur
si thua…
***
nëpër vite vij
nëpër vite shkoj
në vargjet e rrema
ndal e t’përgëzoj
***
a do të isha e veshur me ëmbëlsi
po të mos ishe ti…
a do të quhesha e dashur
po t’mos më ledhatonte dashuria jote…
a do të isha unë te ti si ti te unë
po t’mos më zgjonin puthjet e mëngjeseve
nga harresa e të qenit me ty…
a do të isha unë te ti
si ti te unë…
a do të ishim ne të dy
ti dhe unë e unë me ty…
një ditë
në ardhje dhe ikje…
në mbetje
në harrim e kujtim…
***
e shoqëroj mbrëmjen me të kuqen verë
ti nga larg më thua mos u deh
lëmoj buzën
gjuhën
ah, por dehje nuk ndjej
e shoqëroj mbrëmjen me të kuqen verë
ti më mban meshë mbi pushtimin nga Dionisi
unë kthej kupën e parë
të dytën
e kështu me radhë
duke pirë me ty për ne
nga kupa e dashurisë
e në muzg e në agim dehem
bie në kllapi
e s’dua më të zhdehem nga ti
ObserverKult
Kliko edhe:
LORETA SCHILLOCK FLET PËR ANTOLOGJINË POETIKE SHQIP-GJERMANISHT “PËRTEJ HARRIMIT”
DOLI NGA SHTYPI ANTOLOGJIA “PËRTEJ HARRIMIT” (JENSEITS DES VERGESSENS)