Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Lulzim Haziri
Nokturn 1
e hëna si një titan tërhjek diellin mbi mal
duket e lodhur kotësish që hëna i fal
një fije drite ia vjedh, nga trupi ia nduk
drejt dritares ma gjuan të bërë shuk
është fija që bëri dallimin,
ditët që i emëroi pas krijimit
(para urdhërit – Bëhu!)
fije e mëndafshit e dalë nga vemja
para se koha ta bëjë flutur
ribëhem çdo ditë nga një pikë drite
e renditur si vesë në rrjetë marimange
e kap, e fus në sy si me pikatore
tjetri hapet me pika tjera të kësaj bote
me emra ndryshe nga ditët pas urdhërit
floku saj, zverku, aroma, koha…
të gjitha trajtat e pasqyrimit të dritës mbi ne.
Nokturn 2
si me qenë e para që do të shndëriste
ngutet kjo ditë me të sajat befasi
shpërfaqet si gota e qumështit mbi komodinë
tek jam esull e brenda kam zjarrmi
sërish kam filluar t’i numëroj e t’i pres
fijet e dritës që i kam peshqesh
them se bëj kështu t’iu jap në peshë
nga droja se mos më presin në besë
dritë, o shpirt, që përshkon gjithësinë
kalon nëpër ferr për të dhënë jetë
nuk qahesh kur t’shpërfill
i dhënë pas territ të kënaqësisë
që më rëndon krahëve si një faj jetim
më beko kështu tek jam lakuriq
me një gotë qumështi në dorë
duke të prit ty
Nokturn 3
dritë
që s’ke dalur nga dielli
duke qenë më afër tij
si e ardhur nga Mërkuri*
të ndjej të ftohtë e të nxehtë
si këtë trup femre që më është qep
butësisht duke i dhënë formë trupit tim
për të bërë të gjallë këtë mish
ti fle
me një mbërtheckë në këmishë
unë si një nano kirurg
mundohem të ta kthej zemrën që ma dhe
pa të zgjuar si nga një anestezi
ti ia ndien rrahjet
për t’ma fal sërish
- Mërkuri është planeti më i afërt me Diellin dhe një nga planetet më të nxehtë dhe më të ftohtë njëkohësisht
Nokturn 4
lyen drita majen e çatisë përballë
si një thikë bukën e mbume me gjalpë
gjithënjë e më vonë del mbas mali
e gjakoj si i unti vaktin
e pres i mbështjellë me çarcaf
t’më zhbirohet syve që ende pulisin natë
pa prit që kurmin përbrenda të ma e zbardh
si hutinit të qetë në zabelin e thatë
e pres vetëm për një të vetmin çast
të shtrihet prajshëm mbi flokun e saj
që bën gjumin e munguar të natës
pyll i errët që e fsheh për ta gjetur prap
shtrirë si një Ofeli e gjallë në rrungajë
kështu i strukur si hut me kokën mënjanë
pa pulit sytë se mos bëj zá
pa marr frymë mos më ndien se jam ba i gjallë
e ngrij këtë çast e bëj imazh
e kap me njerën dorë e fus në gji
me tjetrën shtrëngoj çelësin
të ndryshkur nga djersa
çelësin e zemrës së saj
gjithnjë e më vonë del drita mbas mali
aq sa zgjohem ta pres i pari
ta shoh si lind mbi flokun e saj
ta përcjell i fundit si mysafirin e dehur
ngushëllim në pije që nuk gjeti
Nokturn 5
dritë e vonshme polare që perëndon shpejt
shtrat i gjerë i ndrequr nga drunjtë e Laponisë
dhe ky kurm ulur si statujë në skaj
që s’di a është e premte apo e martë
jam zgjuar herët apo kam huqur alarm
jam lindur këtu apo jam vetëm kalimtar
bën nxehtë në dhomë apo ndjej acarin në asht
shumëçka është ndryshe dhe çdo gjë më rri tamam
bryma qëndis peizazhin polar në xham
e gjësendet e hedhura nëpër dysheme
janë veset që s’më shkoqen as në këtë skaj
ku qetë i kanë shkrirë në rregulla e rend të paqtë
s’bëzaj
asgjë s’bëzan
as vullneti për t’i vënë gjërat në vendin e vet
për t’iu dhënë formë si në një valixhe të paketuar për Wizzair
vetëm ndej peshën e trupit mbi moshën e butë si ky shtrat
mallin që duhet mbledhur me secilin send gjithandej
aromën e kafesë që mungon në këtë dalldi
siç më mungon çdo gjë që s’është në këtë dhomë
siç më mungon ti.
Helsinki, 8 nëntor 2019
ObserverKult
Lexo edhe: