Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Musa Vyshka, i cili sot u nda nga jeta:
Erdh koha që të vdesim…
Mund të më thuash ti një ditë, për dreq,
“Erdh koha që të vdesim!”
Unë do të them i qetë: “S’është keq
Sikur dhe ca të presim!”
Vërtet që pema jonë në rrënjë u kalb,
Po bie dalëngadalë.
Po ne, pa rënë, zgjasim kokën prapë:
“A çelën gjethet vallë?!”
Janë gjethet tona, tonat, sigurisht,
Nga trungu ynë janë.
Mbi dashuritë e tyre përjetësisht
Pishtarin tonë mbajnë!
Nga dashuria jonë u përflak
Një dashuri e re
Dhe duam ne a s’duam, sadopak,
U bëmë Promethej
Pastaj ti mund të thuash prapë, për dreq,
“Hajde të dy të vdesim!”
E do të them i lumtur: “S’është keq!
Nuk kemi më ç’të presim!”
Nuk di: të dhimbsesha apo më doje
Në fund të arkës… një këmishë e vjetër.
Është vetë ajo e s’mund të jetë tjetër.
Ajo, praruar me mijëra ylberë.
Kurseva plot një verë për ta blerë.
E prita ditën të ma shihje ti,
Por, kur e vesha, qielli krejt u nxi.
Ti pas rrëkeve heshtur më shikojë.
Nuk di: të dhimbsesha apo më doje.
Ai shikim i heshtur s’di ç’më tha.
Rrëke e fundit mbi këmishë ra.
E shoh aty, të heshtur, krejt të kalbur,
Por mua flokët sot më janë zbardhur.
E shoh dhe s’di ç’të bëj me të tani:
Ta djeg apo ta vesh, të dal në shi…
Mbrëmë me ty, sonte pa ty
Mbrëmë me ty, sonte pa ty!
Çfarë t’i them hënës që na pret të dy?
Çfarë t’i them shelgut që do ulë dy degë,
Përmbi kokat tona me gaz t’i përpjekë?
Si do rrijnë bashkë kjo natë kaq e ngratë
Me natën që shkoi, me natën e artë?
Mbrëmë me ty, sonte pa ty!
Çfarë t’i them hënës që na pret të dy?
O dashuri! O dritë e kësaj bote
Ti fundi je i pritjes që s’ka fund,
Je prehja e shqetësimit që s’qetohet,
Sapo të shoh mërzia krahët shkund
Trishtimi i trishtuar larg largohet.
Aq shumë të dashkam sa as vetë s’e di,
O dashuri! O dritë e kësaj bote!
Sa herë dal në pasqyrë, për çudi,
Veten kërkoj, më del fytyra jote!
Mos e kthe kokën pas
(Mikut tim, Fatos Arapit)
Mos e kthe kokën pas edhe në qofsh i fundit!
Do të të vijë turp nga gjurmët që mbolle pa lavdi.
Mos i jep dorën kurrë dinakut që të mundi!
Mos qaj, nëse ke dhembje ! S’të mëshiron njeri.
Mos e kthe kokën pas! Asgjë s’ke lënë pa parë!
Ato, që dot s’i bëre, janë tretur përgjithnjë.
Një dashuri të shkelur a një premtim të vrarë
Do t’i kesh pas si hije e s’i largon dot më.
S’do ta mësosh dot kurrë tradhëtinë që të mundi!
Nga mijëra pikëpyetje qielli me zjarr u mbush.
Edhe kur ta kuptosh, që je përherë i fundit
Duhet ta dish përjetë që pas të ndjek dikush.
ObserverKult
Lexo edhe: