Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Naxhije Gashani:
DASHURISHT
Me brushën tënde ngjyrë blu
ngjyron qiellin tim me shi
befas i vesh një kostum të verdhë
reve
Pastaj ato nisin të vallëzojnë nën
notat e një pentagrami pranverak
Ti ecën drejt kopshtit tim të trëndafiltë
U merr erë petaleve të çdo gëzimi timit
Kurrë nuk bëhesh erë
e të fluturosh shtigjeve të ikjeve
Ti qëndron
Nuk le t’u bie tis monoton çasteve
Kurrënjëherë s’i vë korniza lirisë
Thellësisht, shpirtërisht, dashurisht
ti njeh portet e ndjenjave
Qetësisht, butësisht, ëmbëlsisht
di t’i vësh pentagrameve dëshirat
e mia të ruajtura
arkave me dryrët e vjeshtave
Ti m’i zgjon ëndrrat e harruara
Këngët e mia të pakënduara
Ti fati im blu
Agu i atyre netëve me hënën kapërdirë
palëve të qiejve të murrmë
*
NJERIU E GURI
Shikoj nëpër fytyrat e lara
vjeshtave
pikën e vlimit të dhimbjeve
nuk e di
s’e mora vesh kurrë
Sa forcë i duhet njeriut
të ngre flamujt e bardhë
e të dorëzojë para
breshërisë gri
Lumturinë
*
DIKUR NANA VALLËZONTE
Shpesh e kujtoj se si vallëzonte nana
duart e saj shtriheshin lartësie
sikur krahë pulëbardhash
më bëhej sikur me vallëzimin
merrte krahët fluturimit
kapte ëndrrat e (pa)realizuara,
e fshikullonte retë e tubuara
në kaltërsinë e qiejve
buzëqeshjet tona ngjyronte
në sytë e diellit
jetët tona bekonte
dikur duart poshtë lëshonte nana
kënga mbaronte
jeta thërriste nanën
ajo vraponte
vallëzimin nana s’e kujtonte
s’e linte koha ta kujtonte
*
PEIZAZH ËNDËRRIMI
Pranvera m’i dha krahët
edhe një copë qielli syve u bie
kur ti del e e hedh spirancën detit
e më pret
Ngre dorën ballit të gjerë
horizontit blu shtron degët
e afshta gjelbroshe
sinonim mal(l)esh që thërrasin
etshëm në shkrirje llavash
dalë shtratit të përcëllimit
Varka jonë prej duarsh tua
të pambukta
vazhdës rrëshqet mbi petale
shpresash
qielli piqet mes syprinës së kallur
të detit
e ngjyrat njëjtësohen pasqyrave
të shpirtit
Qielli i syve tu zbret kaltërisht
dritës së syve të mi
uji shkrihen ndjesitë
poshtë flakadanësh
si botë nënujore që nuk çanë
kryet për bregun
Më thuaj tash
mësomë t’i ngre velat e anijes
tok me ty
erërat nga vijnë
qeshjet si lindin e rriten
fytyrës sate
edhe fjalën dalur avujsh
të shpirtit
Merr qiejt e syve të mi
Tash kam qiejt e syve tu
*
FJALËT E BABËS
Gurë të skalitur i kishte fjalët
baba
gurë që ndërtonin kulla të thënash
për t’i bërë ballë të nesërmes
e pyeta shumë herë ku i ruante ato
ruhen thoshte ai
nga secila ditë e lindur
dhe e perënduar zëshëm
të pambukta i kishte fjalët baba
ato e dija që i mbante kopshtit
të shpirtit
i çelnin si lule
shpërndanin aromën e trëndafiltë
çasteve kur frynte erë jugu
fjala e tij hapte portat e pranverta
të dhembshura i kishte fjalët baba
atëherë kur frynte vjeshtë
e nisnin t’u binin koret plagëve
të tija
sytë i notonin liqeneve të lotëve
buza që dridhej ia shembte qëndresën
dikur zhgrehej në vaj si fëmija
të heshtura shpesh i rrinin fjalët
babës
seç u binte tis i verdhë pikëllimi
kur prilli linte gjurmën e fundmë
ballë varrit të të vëllait
dhimbjet e babës ngrinin murana
trishtimi
të ftohta iu bën një ditë fjalët babës
të fundme
të largëta
të vdekura
qetësisht iku baba
fletë – fletë na i la fjalët
petë – petë u shtrua dhimbja
Baba iu shtua dritës
vrapoi tek e vërteta
*
PRANVERË SUEDEZE
Pranvera këtu ka zbritur parmakëve copa dielli
Krahë pulëbardhash që rrapëllojnë kaltrisë së lumit Nissan
Ditënet që ulën në vendin e njëra-tjetrës
E petale lulesh ngado që sheh njeriu
Veçse aromë lulet sikur kopshtit të nanës nuk kanë
Shiu bie e në shpejtësi çastesh ylberon dita
Degëlisash gjelbroshe sikur kërcejnë nga dritare pikturash e bien ndanë
Shtigje idilike ku merr frymë paqja
Lugje të blerta ngjasim absolut me mrize zane
Butësisht fllad i lehtë të mbërthen lehtas
Veç kurrënjëherë nuk ngjason me prekje nane
Det kaltrosh e gjiut të tij portet me anije që vezullojnë bardhësie
Togje zogjsh që pushtojnë qiejt blu të çdo ane
Kulme antike që frymojnë mes qytetërimi të hershëm
e ura që shtyjnë në përqafim brigjet
Çdo gjë shkrihet në harmoni jete
Veç asgjë nuk resh ndjenje sikur ai prehër nane
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA BARDHYL ZAIMI: UDHË QË HUMBEN NË SHKURRE