Cikël poetik nga Pjerin Ndreka: A bahet dashni me maskë?

pjerin ndreka

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Pjerin Ndreka.

I ARRATISUNI

Kur ikë ti, jam unë që hupi në pyllin e murrtë.
E shikjoj qiellën prej xhamit,
yjet m’mshehen mbrapa resh.
Nata, ma shpejt vjen se ikë;
Diellit ia shof veç prendimin,
m’bahet se i rrjedh gjak prej plagsh.
E di,
deka asht veç prrallë.
Asht mërzia-buka e përditshme;
Jam i ngimë, por e ha përditë.
Bota filloi me mu njallë në kufijt e syve t’mi,
të rritun prej pritjes s’giatë,
kur u prezantove ti në andrrat e mia t’lagta.
Syni yt hap dyert e mia;
Jo, hap dyert e burgut tem.
Tesh jam unë i arratisun,
po a bahet dashni me maskë?!

RE QE E ÇAN VETIMA

E ktheva kryet kah ti e m’u ngri qafa n’erë.
Reja e pahajr m’i lshoi në sy dy pika shi.
Nji fshamë që m’erdh prej shpirtit u nis po mbet në derë,
në gojë, deshta me thanë, s’mujta me e kapërdi.

Si erdhe? Prej kah dole? A prej fotografisë?!
Dallndyshe që vjen n’prill, kërkon pemën për çerdhe.
Unë, tokë e thame shkrumb, plasë zemra prej vetmisë,
ti, re që e çan vetima, vlagën në buzë ma derdhe.

FJALE NE FJALORIN E DRITAVE

Kam ra me fjetë n’shtratin e nji andrrës;
gjithçka kërkoj ruhet n’rrudhat e nji dëshirs,
mbrenda refleksit t’ksaj natë vere.
Bashkë me ajrin thithi dëshira që s’ua di emnin.
Asht stina e puthjeve,
e si mos me u dashunue me yjet!
Fluturo pak ma poshtë
se s’mund të shof prej dritares.

Kërkoj nji fjalë n’fjalorin e dritave,
nji fjalë që t’mund të rri vetëm për vetëm me te,
e t’shkruej dialogët qiellorë.
Kjo që po m’ndodh mue a ka nji fjalë të vetën?!
Deri t’a gjej
tesh t’shkruej fjalë të holla
si hala pishe.

KËRKOJ SHERR ME DJALLIN

A mund t’a kalosh detin e andrrave t’mia,
të ndalesh n’dritaret e shpirtit tem?!
Lundroj n’qiellën e fshamave t’përditëshme,
tu kërkue lirinë me t’dashtë ty.
Dashnia që i vuni botës flakën,
dogji çdo të keqe mbrenda meje.
Kush e shpiku formulën e lotit t’njelmët në sytë e dashnorve,
apo ai që ndërtoi nji vorr të stërmadh
nën altarin e pendesës?!
Sa ftyra të vrame nuk mund t’dënesen
prej frigës s’lotit ?!
Unë nuk trembem se e di që nuk ka kthim mbrapa.
Kërkoj sherr me djallin që asht mbrenda meje,
po e fitova luftën,më vjen drita e syve.

MUNGESA U BA LOT

Malet i kcyen në shpinë njeni- tjetrit
me shijue vjollcën që nxjerr kryet prej ferrës.
Harrova moshën në nji strajcë leshi;
trupin msheha n’dhe me u ba shpirt në qiellë.

Në m’daç si në andrrën që shof tesh sa net,
merre frymën teme e ma kthe të valë.
Me duer plotpërplot me kangë të pashkrueme
bi n’leqet e nats e t’futem në frymë.

Syni që pat shpresë u fik pa e pa hanën
e dielli prendoi dhe e la në terr.
Me erë të blinit u njom dashnia eme,
me erën e tij u thij pa hypë në kalë.

Mungesa u ba lot e m’ngujoi nën strehë;
piklat tesh i’a njehi me t’rrahnat e zemrës.
Nji Jo si nji thikë i preu në rrajë.
Më kujto, El’da, e për mue mos kjaj.

ObserverKult

Lexo edhe:

PJERIN NDREKA: KUR BJEN N’DASHNI…

PJERIN NDREKA: UNË JAM TU T’LANË ME M’DASHTË…