Cikël poetik nga Zhaneta Barxhaj: Ngërdheshje djalli!

zhaneta barxhaj

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Zhaneta Barxhaj.

Xhubleta

Gjashtë xhubletat e jetës tënde,
ku i çove grua?
Vallë i trete dhe i lave
me kripën e lotëve derdhur?!
Mos ndoshta djalli t’i gëzojë,
si gjashta rrethuar në ar gishtit tënd?!
Apo në diell i tere, i dogje, i vyshke,
si këmbanore të braktisura?!
Vallë mola t’i breu,
duke prit rradhën e të mirës,
rradhën e të mirës mas të mirës,
që nuk erdhi kurrë?!
Grise pra, damkën e gjashtës
mbi shpinën tënde grua!
Ngrihu dhe hidhi tej
gjashtë xhubletat e jetës tënde.
Hidhi…
Njësoj si teshat e të vdekunve.

Krokas


Sot, në shënimet për veten,
shtova fjalën “ Krokas”.
Po, ndjeva krokamën time,
herët me avitjen e agut, pak pas zgjimit.

Ndjeva mbi kurrizin e shtypur gungaç,
çukitje tingullore, krak- krak- krak.
Ishin kockat e mia,
të zhbëra nga ostoporoza e hershme.

Ndeza televizorin me ngjyra,
të daravisja këtë dreq tingulli krokëllitës.
Nuk ish e thënë, kutia zëfolëse,
transmetonte dokumentarë sorrash,
krau- krau- krau…
Mësova gjithë ciklin e tyre,
të bashkëjetesës dhe shumimit.

Me mbrëmjen në sy, u shtriva të fle.
Por, qëllova pa fat.
Kukuvajka zuri të këndojë në dritaren time.

Vrikthi u ngrita.
Te shënimet e vetes, erdhi koha të shtoja
fjalën e parë dhe të fundit “Krokas”,
që vdekja ma nisi mbles kësaj dite.
U shtriva.
Kukuvajka ende këndon mbi kokën time.

Mallkimi

Një zog pa kokë
kërleshet me qimet pubike
të kohës së tashme.
Sjell prej së shkuarës
mallkimin e mbartur
të burgosjes në kafaz.
Fluturon sipër meje,
dhe nga fundi i pusit të tharë
dëgjoj përplasjen e krahëve
tingull i një tik- taku të vrarë.
Nga kjo hapsirë e ngushtë rrethore,
si gryk, si grop, si gop,
ndjej pikat e gjakut të tij
që më lagin lëkurën.
Bëhem qull.
Uji nis të rrjedh gjithandej.
Ngadalë më vjen tek gjunjët,
tek beli, tek supet
dhe më përmbyt.
Zogu krrokat sipër meje.
Lëshon pendët e fundit
dhe prish magjinë e mallkimit.

Arrati


Vrimat anësore të anijes,
pikonin ndryshk arratie.
Dola në bashin e saj 
e zbrita sytë.

Qielli poshtë meje,
ish nuancuar në grijeshile.
Majat e çative tjegull kuqe
ja shtonin ngjyrosjen kësaj nate.

Rrëmbeva shkallët e lëvizshme.
Ca shkallë të holla, të gjata.
Ku fundet dhe fillimet,
u ndrinin si gjysëm sfera çengeli.

Me tërsëllim i ngula mes çative,
duke soditur shpërhapjen e tyre,
si tullumbace ditëlindjeje
lëshuar nga duar miturake.

Me këmbët si shkopinj hollakë,
si rrezet e një mëngjesi të ngathët,
u çapita ngadalë drejt majës
me përthyerje kockash dhe krahësh.

Ngjitesha dhe shihja poshtë.
Frika e rënies,
frika e humbjes së koordinatës
më bëri sa një kokërr lot.

Kur arrita në gjysmën e shkallëve,
hëna më rrinte një krah larg.
U zgjata… u mbërtheva pas gjysmë drapërit,
që kosiste qetë- qetë natën,
dhe qava.

Ashtu i varur,
me një krah në hënë,
një krahë e dy këmbë në shkallë,
lëshova spirancën e mbërritjes,
në qëndrën e arratisjes.

Shpirti dheut


I shkova në hell
retë cipëplasura të mëndjes,
aty i përcëllova
mbi shkarpat e kalbësisë.
Duke i vërvitur në tërbim
i pashë tek shkrinin dhjamt’
i pashë tek kullonin shi.
Agonia e shpirtit të dheut zgjat,

zgjat sa kjo natë që bëhet shekull
dhe në shekuj dhimbjen mbart,
dhimbjen që e bëmë tempull.

Gjumë i lagur


Sonte paskam frikë
të fik dritën dhe të fle.
Një ndjesi shiu,
më lumëzohet në brendí
dhe më lag gjumin.
A mund të përqafohet
një gjumë i lagur?!
Rrënqethem,
mbledh këmbët si fetus,
në pritje të përshtatjes
me lëngun amiotik.
Sërish shi.
Diell,
thaje gjumin tim të lagur!

Gjama

E madhe àsht gjama e mëkatit,
që bjen e nuk ndalet kso ane.
U ndryshk e u shkërmoq hekuri i kobshëm
nën tingujt e mbrame.

E madhe àsht gjama e pushtetit,
që sillet e kcen kso ane.
Herë ha mishin e shpesh shpirtin
nën trysnin e P-së së madhe.

Sa lehtë bjerret shpirti këtu,
sa lirë kushtoka jeta!
Po liria ku àsht vallë?!
Ku shkoi e u zhduk ajo marroke?

Turra e drurëve përkundruall
ngroh turrmën që e dogji të gjallë.

Cibun përjetësie

Erdha dje pranë teje
me sytë tek e nesërmja.
U mbështolla rreth parzmores,
si cibun përjetësie.
Vesha fermelenë pa mëngë
të vdekjes së vajzës.
Torra në bobina zjarri
fijet e arta të vetes.
Sot, përpëlitem…
mes ngjalljes dhe vdekjes

Ngërdheshje djalli


Ti po fle.
Ke mbyllur sytë ëndrrave të tua,
dhe nuk e di çfarë sheh.
Të vjedh prej meje gjumi
dhe ma bën natën gri.

Më fiket drita, shikimi më venitet,
hojeve të pritjes.

Dhe pres mëngjesin,
me sytë e enjtur nga lotët e mallit,
me buzëqeshjen e mekur 
nga ngërdheshjet e djallit.

E di çfarë më tha ai teksa flije?!
Më tha, se përgjuar kish ëndrrat e tua.
Se ti lozje dhe qeshje me një dritëhije,
se bëje dashuri me një kumrie.
Se aty, mbi lulediellin e vargjeve që më dërgove u përqafove.

Tani dielli po lind,
do kthehesh prapë tek unë,
është rradha ime për gjumë.
Por, ti mos dëgjo djallin, ai nuk ma sheh ëndrrën.
Por, dhe po e pa,
ti dëgjo zemrën.

Dromca

Dromcat e shpirtit të tij,
shkëputen nga toka e më arrijnë.
Më kapin prej flokësh
e duan të më heqin xarrë.

M’u në fyt më fusin thonjtë
e më mekin frymën.
Uh! Nxirë e sterosur,
marr ngjyrën e duhmës së hukatjeve të tij,
mbi qelqin e syve të fikur.

Ah! Jam ulur mbi një kokë.
Rastësisht, padijeni, por pikërisht
në vertikalen time,
dergjet thellë koka e prerë…

Të dy jemi bërë si skaje drejtëze.
Tërheqim e tendosim
me dhunë njëri- tjetrin.
Ah! Më shemb kjo dijësi,
por s’kam ç’bëj,
do vazhdoj të ulem mbi kokën e tij.

Do kacafytemi gjatë mik,
ndaj, pak mëshirë.
Nuk është faji im,
që ti le kokën nën mua
e unë ulem mbi…

Ndaj, ma liro pak fytin.
Mblidhi dromcat e tua,
ngecur fijeve të mia
dhe më ler të frymojë.
Pak ajër mik… të lutem pak ajër!
Është koha ime…

Qava


Qava.
Mezi prita të qaj si vjeshta,
kur dera u mbyll pas meje.
Ashtu qetë, shtruar,
si çapitjet e takave
mbi trotuarin e lagur.
Eca ngadalë,
njësoj si kjo stinë pa stinë
ditëve të mia.

Ndala me sytë përdhé.
Qorrazi shkela mbi dërrasat e vjetra,
të barit vetmitarë.
U ula dhe porosita kafe.
Ndoshta kafen më të gjatë
të kohës boshe.
Atë po pi ende…

Si? Ti nuk e beson?!
Eja pra, në rrugën e askundit,
në barin e dytë djathtas.
Nuk ngatërrohesh mos ki frikë.
Nëse nuk më gjen mua,
do të gjesh vetveten…

Arna


Kokla- kokla përi
bërë nga këputje duarsh,
gjilpërës shkoi sërish.

Tërhiq e mos këput,
mbi buzë ma qepi puthjen.
E pastaj me majën e mprehtë
shtynte brenda plasave
koklat që mbeten sipri,
duke më kërcitur dhëmbsh.

Buzë qepur puthjesh
i bluajta ndër dhëmb sa i treta.
Mbylla sytë e hundët,
që mos t’i ndjeja hidhësinë
kaptimit të kafshat koklës…

Tash,
puthjes nuk i duken má arnat,
madje…quhet krejt e re.

ObserverKult

Lexo edhe:


ZHANETA BARXHAJ: A FSHIHET DASHURIA?