“Çmimi i sivjetmë për letërsi shpërfaq pavarësinë e Akademisë për të sjellë emra të rinj”

muhamet hamiti krimet

Profesori i gjuhës angleze, Muhamet Hamiti, ka folur në Express Intervistë për fituesen e çmimit Nobel për Letërsi, Louise Gluck.

Ai thotë se përshtypje i bëri dhënia e çmimit një autoreje të poezive klasike.

“Është poete shumë e njohur dhe e mirë, por mua më bëri përshtypje për dhënien e çmimit se kjo poete shkruan për poezi gati klasike. Poete që ka erudicion dhe që këtë e kthen në gjuhë dhe diskurs poetik që në shikim të parë për lexuesin që nuk ka shumë njohuri për të, ta kuptoj, kurse ata që kanë njohuri e shijojnë atë në rrafsh tjetër. Autorja ka botuar 12 përmbledhje poezish.”, ka thënë ai.

Hamiti ka thënë se çmimi këtë vit për një shkrimtare amerikane emri i së cilës nuk ishte përfolur shumë për këtë çmim, tregon pavarësinë që ka Akademia Suedeze në zgjedhjen e një fituesi dhe sjelljen e emrave të rinj.

“Kjo tregon për pavarësinë e saj sepse ka një juri profesionale dhe me recensentë të brendshëm merr edhe të jashtëm dhe sjellë emra të rinj”, tha ai.

Ai thotë se skandalet si ato që u përfolën, të rrjedhjes së emrit të fituesit të çmimit apo ndarja e nobelit për austriakun Handke i cili u kritiku për mbështetjen ndaj kriminelit serb Sllobodan Millosheviç si dhe skandali seksual i para dy vitesh, e kanë luhatur pak prestigjin e Akademisë.

“E ka luhatur pak dhe komiteti duhet ta ketë parasysh që ta ruaj integritetin e çmimit dhe ta japë atë për opusin e një autori të madh. Vendimi i sivjetmë mendoj se shkon kësaj rruge”, tha ai.

Ai thotë se jo gjithmonë varet nga popullariteti i shkrimtarit për të fituar këtë çmim.

“Jo domosdo ata që janë në kulme të vlerave. Njerëzit shpesh e relativizojnë opinionin, ndryshojnë opinioni nga njeriu i thjesht nga eksperti”, shton ai.

Ndërkaq, u përgjigj edhe rreth mundësisë së marrjes së çmimit për Letërsi nga shkrimtari Ismail Kadare. Ai nuk sheh shumë gjasa që me veprat e shkruara vitet e fundit të jetë fitues.

“Është përmend më shumë prej nesh prej dëshirës. Por në gazeta të huaja nuk e pash emrin e tij. E kam të vështirë ta besoj se ndodh tash, ndoshta në 1990 do mund të ishte në këtë elementin politik, tash ka shkuar kohë, është lakuar emri i tij. Nuk mund ta dijmë, por të shihet gjasat më të mëdha do duhej t’i kishte në vitet e 90-ta. Letërsia e tij e shkruar në ato vite është më e mirë se ajo e shkruar më vonë”, ka përfunduar ai.