Çun Lajçi: Gjelin e babës e shita për pantolla

Ishte viti 1963. Muaji maj!
Bora ishte shkri katundit tonë, ishte përvjelë, siç thoshte mixha Ali, deri n’Lug t’Zharit.
Ajo pranverë ishte e hershme, e mirë, e livadhet u mbushën shpejtë me lule. Unë po e përfundoja tetëvjeçarën, e vllau që shërbente si polic n’Prizren, po m’priste me m’regjistrua n’shkollën e mesme, të Normalës.
Mësues m’u ba ky Çuni i Shekës, e m’u kthye n’Drelaj, n’shkollën e vet, me i dhanë mësim Demës, vllaut tim t’voglit.
Andrra t’bukura ishin këto për majin e vitit 1963 e për djaloshin e ri, që hala pantollanat i kishte të zhgunit plot harrna!
E di se maji ishte, dhe nji javë para Bajramit t’Vogël.
I thashë nanës, se babës s’kisha çka me i thanë, ai kurrë n’punë shteti s’pat qenë, e paret s’kishte ku me i marrë, prandaj i thashë nanës, se ajo i kishte do pula, edhe tre gjela. E luta si për gjak, me shkua n’Pejë bashkë, me shitë njenin gjel, e me i ble nji palë pantollana për Bajram, edhe me m’qëllua për Prizren, kur t’shkoj n’shkollën Normale!
Ia pashë nji djalit, e fort me pelqyen. Ishin bojë cinke, shumë të ngjashme me këto xhinset e sodit.
– Thojshin nuk ka nevojë m’u hekurosë, e na, edhe ashtu nuk e kishim atë hekurin, që mbushej me prush, e thashë, këto qenkan taman për mua!
Por pesë ditë nana s’foli me mua. Rrinte fort mazun!
Unë ma s’i thashë, veç e këqyrsha gjelin e madh, me tri pupla n’kaçurotë.
Ishte shumë i bukur, prandaj e merrsha me mend, se nanës po i dhimbset, edhe djali edhe gjeli, e po heshtë!
S’kishte faj, ishte e vetmja pasuni e saj, por edhe zani i sakt për babën, për me ditë, se kur asht koha me falë namazin e sabahit.
Unë nuk i thashë për pula, se ato bajshin vé, e vetë na e knaqshin shpirtin, kur na i përzhitke, por për njenin gjel i thashë.
Dorën n’zemër, e dinte ajo, se vetëm ai gjeli i bukur ban pare, se këta dy tjerët ishin t’çkalafent e pa pupla n’kaçurotë. T’ vegjël si pulat, e vakt e pa vakt knojshin!
E babës i duhej zani i fortë dhe i sakt, për orën katër e gjysëm t’sabahit!
Unë i kisha pas thanë t’hanën, prandaj nana e shkretë kishte pasë heshtë deri të shtunden, taman pesë ditë, se t’shtundeve ishte pazari i madh.
I tha babës, vnoja samarin dorisë, se po bie n’Pejë me Çunin, me shitë gjelin e dy pula. Po blej hargj për Bajram edhe do pantolla për djalin, se ka me shkua n’Prizren!
Hej more Zot, sa t’shamet i hangër nanë shkreta për mua.
-Qysh po don me m’lanë pa sahat?
– Qyshë muj me ditë se u ba vakti me falë sabahin?
– Çfar kaurreshe je ti që po ma shet gjelin e sabahit?
Menxi e shkreta e bindi, për dy gjelat tjerë, se kanë me knua, e kanë me ia nxjerrë gjumin, e s’ka me humbë kurrë namazin e sabahit.
Eh, skamje he babë!?
S’mujta nji fjalë me folë, as deri n’Pejë, as kur e shiti gjelin, as kur i bleva pantollat!
Samunin ma bleu por pa qebapa, se veç do t’hekurit i mbetën!
Kur u nisem grykës përpjetë, thashë me vete, po me ba mos me knua ata dy gjelat tjerë, e mos me falë baba sabahin, pasha t’madhin Zot e rreh konop t’laktë, e ka me i thanë; hup për Martinaj kaurreshë bre, he kurrë sytë mos t’i pafsha!
Jo, s’u gëzova hiç, se deri n’mëngjes nuk fjeta, tue pritë a po knojnë gjelat dhe e po çohet baba m’u falë?!
Kur e kam ndie zanin, e kur e kam pa babën tue marrë abdes, krejt Rugova mu ka ba e imja!
Për pantollat iu kallxoj nji ditë tjetër, se po i mësheli sytë, s’po muj ma me durua pa gjumë!

Dardani, 11.05.2020
ObserverKult