Çun Lajçi: Nji dinar për shpirtin e babës

Çun Lajçi bubulina


Duhet t’kem qenë nandë vjeç. Po them duhet! Sepse ishim nandë fëmijë që s’dishim kur kemi lind, s’i dishim ditëlindjet. Ditët, vitet e muajin e lindjes. Nanë e babë ishin t’pa shkollë, por t’regjun me mësimin e jetës!
Lokja dinte vetëm kur asht nata e madhe, se duhej me qitë hallëv. Baba i tregonte kur i bie Bajrami e kur Ramazani. Kur i bie Hamsini e kur Arbaini! Bile edhe kur ndrrohet hana.
Ndoshta i tregonte hoxha, që dilte çdo t’premte n’xhaminë e Drelajve. Po them ndoshta, sepse ai të gjitha luftat e veta i kishte mbajtë mend, pos ditëlindjet e fëmijve t’vet.
Edhe burgun n’Kullën e Sheremetit. Edhe luftën me Arseninë. Edhe luftën n’Velikë. Edhe takimin me Azem Bejtën n’Galicë. Bile edhe fjalët që ia kishte thanë kur ia ka dhanë dorën: A po na bashkohesh ta ruejmë Çakorrin, a po na hanë morrat?
Fjalën e kishin pasë për hafijet. Spiunët, monafikët shqiptar, që punojshin me shkaun! Ishte koha e Tifosë, si sot e Covidit, e morrat bash i kishin pas mbytë. Zhuga përhapë n’tana anët!
Por n’cilin vit lindi Çuni s’e dinte as ai as ajo.
Senja e ujës asht kanë. Kaq m’thojshin.
E kur ju thojsha, po cili vit asht kanë, m’thojshin: Qatherë de kur s’kishte drith e bylmet boll.
Ec e merre vesh unë i vogli!
Po, nandë vjeç isha, se isha n’klasën e dytë t’fillorës. Këte e di, se me nji vit vonesë m’ka çua nana n’shkollë. Bora që kishte ra nji javë përpara, ishte ngri, ba akull mbas dy ditësh. Se ra nji shi i prajshëm mbas borës e fill mbas shiut nji erë e ftoft erdhi nga Çakorri dhe e bani Zoti xham. Baba rrshqiti n’oborr, dhe e nemi, e troi e s’la fjalë t’keqe pa folë.
Si duket hini n’gjynah se shtatë ditë su çua nga shtrati. Nuk fliste as nuk gjemonte, por nuk çohej. Nana na thoshte i ka pa andërr shejtanat e me hesap po don me iu marrë goja.
Unë afrohesha e ia preksha kryet. Thojsha t’ia largoj dreqnit që i kanë hi n’krye se ndoshta çohet e ulet të oxhaku. Isha mësua me pa tue pi duhan e tue i ra lahutës!
Le mos e prek, bërtiste nana. Ka dashtë m’u përzi n’punë t’perendisë. Shaj shaj, se qeshtu t’i çon Zoti gazepet i thoshte.
Unë s’disha çka ka, por m’kishte hy droja se lahuta po don me mbetë shkret.
Merre qet harrën m’tha nana e shko të vorret. Afër xhamisë asht nji vorr me tela. Aty leje, n’Tyrbe!
E lidhi nyje tri herë dhe ma shtini n’grusht. Kur e shtrengova mu duk si pullë e rrumbullakët.
Shko m’tha, dhe kah t’kthehesh, mos i ço mendët se kush ka me marrë, shkavell a zhavell, se m’shkon sevapi bihurda!
Asnjenën fjalë s’ja mora vesh. Por gati i theva kambët n’She të Dardhave, se ishte ngri prroni e kamba-doras mu desht me kalua.
Tri ditë s’mu hoq nga mendja, se çka kishte n’harrën. Kur e mbarova klasën e katërt e dveta: Lum nana, çka çove n’tyrbe për shpirtin e babës!
Nji dinar lum djali m’tha dhe m’përqafi.

Dardani, 10.02.2021

ObserverKult