Çun Lajçi: Ti kurrë s’ke me ditë për vdekjen time

Poezi nga Çun Lajçi

Ti kurrë s’ke me ardhë si vajzat tjera të varri im
ti kurrë s’ke me qajt mbi gurin gri e fotografinë s’ke me puthë
vitet s’ke me i numërua as përvjetorët as ditëlindjet
si vajzat tjera për babën s’ke me thurë vargje
se kurrë s’ke me m’pa tue i mbyllë sytë
kurrë s’ke me m’pa tue u plakë
e buçeta lulesh s’ke me m’pru të kryet
as foto të varri s’ke me ba me celular
e kurrë s’ke me i publikua ardhjet n’pranverë
n’dimën as n’vjeshtë
e kurrë s’ke me i fshi lotët mbi rrasë mermeri
siç i kam fshi unë tash e sa vjet
Ti kurrë s’ke me ditë për vdekjen time moj e mirë
siç marrin vesh vajzat tjera
e dhimbje s’ke me pasë kur t’ma mbulojnë trupin me dhe
siç pata unë atë buzëmbramje tue ra borë
kur grushtin e mbusha dhé e s’mujta me ta hudhë mbi arkivol
Sa mirë qe kurrë s’ke me ditë a jam gjallë
sa mirë që kurrë s’ke me ditë a kam vdekë!

ObserverKult

bubë

Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI: ATË NATË… KUR PO JEPTE SHPIRT N’VETMI IME BIJË…

Po mundohesha me thanë diçka me artin tim thjeshtak, në nji sallë me shumë pasqyre e drita, dikund n’Bronx, ku shqiptarët gjetën strehë tash e njiqind vjet, t’ikunit nga titizmi e enverizmi!

T’luftave t’para e t’luftës se fundit! Edhe ata t’skamjes! Por, edhe të zhdjergunit e mi rugovas, t’ardhunit për nji jetë ma t’mirë e për do dollarë, n’katundet maje t’krepit!

E kisha shtrëngua përmjetin me shokën e vekut e kryet e kisha pshtjellë me shallin qefin. Bërthekua e kisha xhamadanin e lidhë me toja opangat lëkurë lope…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU