Dashamir Malo: Pranverën e thërras me emrin tënd

1.

Thonë se
sot do të ndodhë
eklipsi i diellit
unë them
s’ka hënë
që e mbulon diellin
tënd.

2.

Në syrin tënd të kthjellët
shoh pasqyrimin e kësaj bote.

3.

Qysh kur të njoha ty
pranverën e thërras me emrin
tënd.

4.

Shkruaj emrin tënd
dhe gjuha ime
bëhet hyjnore.

5.

Ti lë përherë pas
një shtjellë të bardhë
në të cilën mbyten
vetëm ata
që dinë të notojnë.

6.

Duhet të kesh diçka diellore,
vërtet.
Ndryshe,
si ta shpjegoj ndryshimin e kursit
të Tokës dhe rrotullimin e saj
rreth teje?!

7.

Prej gjelbërimit të syve
të tu
zë fill
lulëzimi i pranverave.

8.

Jetoja me imazhin tënd
magjepsës
jetoja
deri në momentin
që u bëre reale.

9.

Në rrugën
ku koha treti dhe gurët
ti
kalon si dikur.

10.

Ti je aty përherë,
në qendër dhe rrezeartë,
ndërsa unë ka kohë që bëj
udhën që bën
luledielli.

11.

Ti ke qenë këtu në të katra stinët
një flamur i blertë shprese
thjesht ne nuk kemi dashur
të të vëmë re.

12.

Kalove bregut
e kaltra e hijes sate
kaltëroi detin.

13.

Erdhe kësaj ane,
ia more gjithë ngjyrat
perëndimit
dhe ike.
Dua të takoj
atë,
njeriun që pa lindjen i pari.

14.

Gjelbërim i katër stinëve
gjelbërim
ti
edhe hijen e ke
të blertë.

15.

Dimrit si ke dimëruar,
këtij vendi ku je kotur,
dhe vjen bregut kaonik
këtë mbrëmje e përlotur?

16.

Hodha farë ugareve të tua.
Ti, tokë e dëlirë, e bekuar,
më mirëprite
në çdo stinë.

17.

Ka ngjyrë të kuqe, heroike këtu,
të kaltër të panënshtrueshme,
të blertë shprese, të hirtë pendimi,
të bardhë gëzimi,
pak të zezë brengosëse,
veç mungon ngjyra jote,
ngjyra jote, që vesh me purpur gjithçka.