Më pëlqen të gjej
atë që nuk është gjetur
menjëherë, por qëndron
brenda diçkaje të një natyre tjetër,
në prehje, e dallueshme.
Pendë pulëbardhëze të tejdukshme, të fshehura
në mishin e bardhë; kockat e sepjes
të cilat i heq dhe i shtroj
kockë pas kocke mbi dërrasën e kullimit-
të bëra në formë konike si për shpejtësi,
për të tejshpuar zemrën, por të thyeshme, lëndë
që e mohon ndërtimin. Ose një frut tropikal
i mbështjellë me një lëkurë të ashpër kafe, brenda
ngjyrëtrëndafilí-qelibar dhe fara:
fara një gur prej druri, e gdhendur dhe
e pastruar, ngjyrë arre, e formuar
si një arrë braziliane, por e madhe,
aq e madhe sa për të mbushur
pëllëmbën e uritur të dorës.
Më pëlqen kërcelli i lëngshëm i barit që rritet
brenda fletës më të madhe të palosur të rrumbullakët,
dhe shkëlqimi i verdhë i gjalpit
në hullizën e ngushtë nga i cila lavdia e mëngjesit
shpalos të kaltrën dhe freskinë në një mëngjes të nxehtë.
Përktheu: Irena Dono
*Titulli i origjinalit: “Kënaqësi“