Dëgjo ç’ëndërr, shpirt i ëmbël,
Moj e bukurisë hyjneshë,
M’u fanit se isha mbrëmë,
Tok me ty, gjer në mëngjes.
Në një kopsht të mrekulluar,
Po shëtisnim ne të dy.
Lart në qiell ndrisnin yjet
Dhe i numëroje ti.
Unë u thoja, flisni yje,
Ka mes jush ndonjë aty,
Të ndriçojë andej, së largu,
Siç pranë meje këto dy sy.
Pa më thoni, keni hasur,
Flok’ e vetull më hyjnor,
Këmbë e duar si lastarë,
Dhe vështrim kaq ëngjëllor?
Po ky shtat i llahtarisur,
Që pyet kush ta shikojë:
Gjersa është engjëll i stisur,
Pse s’ka krahë të fluturojë?
Në ç’do puthje, shpirt i vogël,
Që më jepje m’ ëmbëlsi,
Çelte gonxhe trëndafili,
E na binin përmbi sy.
Për gjithë natën gonxhet çelnin,
Gjersa rrezja në agim,
Na ndriçoi të dy së toku,
Me të verdhëtin vegim.
Kjo qe ëndrra, shpirt e dritëz,
Tash, veç ti e ke në dorë,
Të jetë e vërtetë një ditëz,
A, të tretet si dëborë.
Shqipëroi: Arqile Garo