Dhori Qiriazi: Ti ndofta do shkosh…

Poezi nga Dhori Qiriazi

Ti ndofta do shkosh prej meje e etur
në rrugë të tjera, dashuri të tjera!
Si hirin e djegur do shpërndajë era
netët jetime që shkuam pa fjetur.

Ti do të shkosh prej meje në botë
pa ankth të zakonshëm, pa fjalë të prera,
pa hije mendimesh, pa lotë e të tjera,
gjithmonë e dashur, gjithmonë e ngrohtë!

1963

———————————-

LEXO EDHE:

“TË DUA! MENDOHU, TË DUA!”, POEZI NGA DHORI QIRIAZI

Të dua!
Mendohu!
Të dua!
Kapërcej udhëkryqet e jetës,
kapërcej shiritat e bardhë të rrugëve të asfaltuara
me këto fjalë të përjetshme: “Të dua!”

Oh, si janë qiejt tanë të kaltër,
më të butë se mëndafshi i deteve mesdhetare!
Atje ndizen me miliona yje natën,
ndërsa unë, në kupolë të tyre, kam shkruar:
“Të dua!”

Mbi rërën e plazheve kam shkruar: “Të dua!”,
Mbi dyert e kabinave: “Të dua!”,
mbi granitin e maleve: “Të dua!”
Dhe kam zbritur poshtë hendekëve
dhe livadheve të gjelbra plot lule: “Të dua!”;

Pranë kallamave fërshëllonjës
dhe pranë lëvorfeve të drurëve shekullorë kam shkruar: “Të dua!”
Mbi velën e kuqe të banderolave,
ku shkruhen gjëra të rëndësishme me germa të bardha
unë shtoj me mend edhe këto fjalë:
“Të dua, të dua!
Mendohu,
të dua!”