Unë nuk di të dua ndryshe

letër dashurie

Poezi nga Enertin Dheskali

Unë nuk mund të të dua ndryshe!
Ndaj mos më shaj për këtë dashuri,
Unë dashuroj siç dashurojnë vetëm poetët,
Shkoj me ty deri në marrëzi
Dhe kthehem duke t’i puthur ndjenjat,
Me llavë të çmendur pasioni…

Unë nuk mund të të dua ndryshe,
Përveçse kështu,
Aq sa një ëndërr do të dukej realitet,
Dhe realiteti do të çmendej nëpër ëndrra…
Duke luajtur simfoni të ëmbël puthjesh,
Në trupin tënd të bukur si copëz ylli,
Që drithërohet si gjethe vjeshte,
Si një tel kitare,
Nën duar të çmendura nga pasioni…

Unë nuk mund të të dua ndryshe,
Përveçse si një stuhi e ngrohtë,
Që t’i zhvesh të gjitha mendimet dhe ndjenjat,
E të bën të drithërohesh pa fund,
Nën rrebeshin e puthjeve dhe ledhatimeve.

Unë nuk mund të të dua ndryshe,
Përveçse si një përrua i ftohtë,
Që bie mbi kurmin tënd,
Si uji mbi gurët e etur në zhegun e korrikut,
Që i shkrin të gjitha stinët brenda shpirtit,
E të kthen në zjarr pasioni,
Mbi retë e bardha të përqafimit…

ObserverKult


Lexo edhe:

ENERTIN DHESKALI: UNË PERËNDI NUK JAM, POR TË DUA SI NJË ZOT…

E dashur, unë do të shoh edhe përtej qiejve,
Kur të kesh nevojë për mua, vështrimin ngrije lart,
Buzëqeshjen time do ta gjesh atje mes reve,
Unë perëndi nuk jam, por të dua si një zot…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult