Diferencimi zhanror i prozës poetike në thjerrëz të Donika Dabishevcit

donika dabishevci

(Donika Dabishevci, Proza e poetizuar, botoi Instituti Albanologjik)

Aspektet e diferencimit zhanror të prozës poetike dhe shkrimtarët shqiptarë

Nga Ardian Haxhaj

Studimi i prozës poetike dhe trajtimi i prozave poetike të autorëve emblematikë shqiptarë që e kanë kultivuar prozën poetike, paraqet një sfidë të veçantë studimore për secilin studiues teoriko-letrar dhe kritiko letrar, për faktin se vetë sintagma “prozë poetike” semantikisht ngërthen në vete dy e më shumë përbërës zhanrorë, dy e më shumë përbërës tipologjikë. Kësaj problematike studimore i shtohet edhe mosdiferencimi i plotë që teoritë letrare klasike, por edhe teoritë letrare bashkëkohore i kanë bërë deri më tani këtij binomi letrar.

E studiuesja Donika Dabishevi, duke i marrë për bazë gjithë këta përbërës të padiferencuar teorikë, i është qasur trajtimit të prozës poetike në disa rrafshe dhe për këtë i ka ndihmuar edhe vetë lënda e autorëve që i kanë kultivuar prozat poetike: Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Martin Camaj dhe Mihal Hanxhari.

Vetë letërsia mund ta bëjë jetën e pavarur në kuptimin e abstrahimit të secilës teori mbi të, hipotetikisht mund të funksionojë edhe vetëm si formë refleksioni, si shprehësi emocionale, mendimtare, madje edhe filozofike. Megjithatë studimet letrare kërkojnë metoda dhe qasje trajtuese që në disa rrafshe duhet të kenë një rrjedhë logjike, jo vetëm të nocioneve, por edhe të përkufizimeve.

Kështu, studiuesja Dabishevci mundohet t’i shkoqitë përbërësit teorikë mbi binomin “prozë poetike”, gjithnjë duke u munduar t’i japë një rrjedhë logjike, në këtë rast, shkencore, e parë në disa plane. Letërsia botërore njeh raste të shkrimit të shumë dromcave letrare që tashmë mund t’i diferencojmë edhe si “proza poetike”, dhe kjo jo vetëm nga shekulli tetëmbëdhjetë e këndej, por shumë e shumë më herët.

Kështu, sipas meje, proza poetike, e shënjuar kryesisht përmes emocionit dhe ligjërimit lirik haset edhe në shkrimet teologjike, haset në shënimet epistolare të shumë mbretërve dhe kronikave në të kaluarën e largët, që emocionet i zbrazin pak a shumë në këtë formë të ligjërimit. Sidoqoftë, studiuesja Dabishevci i ka marrë në konsideratë së pari teorikët e letërsisë që janë marrë së pari me diferencimin zhanror të prozës poetike. E vështruar me llupën e një studiueseje që citueshmërinë dhe parafrazimin nuk e përdorë për formë, por për përmbajtje, shqyrtimi i nocioneve të teoricienëve dhe studiuesve të letërsisë, si; Tzvetan Todorov, Gerard Genette, Rene Wellek e Austin Warren, Jacques Derrida, Roland Barthes e Jane Feuer, Gregory Castle e Rallph Cohen e të studiuesve të tjerë, mundëson që qartazi të diferencohet zhanri i prozës poetike, si zhanër, edhe pse i ndërmjetëm, por që qëndron si zhanër i veçantë.

E fokusuar në shkrimin e prozës poetike në letërsinë shqipe, studiuesja Dabishevci i përzgjedhë për studim pesë autorë që, në aspektin historik, janë nismëtarë të prozës poetike në letërsinë shqipe: Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Martin Camaj dhe Mihal Hanxhari. Prej të gjitha krijimeve, te Faik Konica, studiuesja Dabishevci i ka diferencuar si proza poetike pesë prej tyre: “Malli i atdheut”, “Bora”, “Dita e verës”, “Anës liqenit” dhe “Në liqen”, të cilat janë shkruar e botuar në vigjilje të shekullit të njëzetë.
Analiza e këtyre pesë prozave poetike është bërë që nga shenjat referenciale që i bëjnë këto tregime të quhen si proza poetike, e deri te qasjet e diskursit dhe të motiveve, që i shquajnë këto proza poetike të Konicës në krahasim me autorët e tjerë.

Te Mid’hat Frashëri, studiuesja Dabishevci ndalët kryesisht te libri “Hi dhe shpuzë”, ku të pesëmbëdhjetë prozat poetike trajtohen herë nga këndvështrimi i narracionit, respektivisht të pozicionit narratorial dhe i emocionit semantik që e mbartë, e herë për nga diskursi dhe stili, që e dallon Mid’hat Frashërin nga të tjerët.

Te Ernest Koliqi në plotësi identifikohen të gjithë përbërësit e prozave poetike të librit “Pasqyrat e Narçizit”, që është një prej librave më të konsoliduar të Koliqit, por njëherazi edhe në prozën tregimtare shqipe në përgjithësi. Duke qenë mirë të diferencuara si proza poetike, madje të cilësuar si të tilla edhe në vetë shënimin e Koliqit që i quan si “poemtha në prozë”, studiuesja Dabishevci i shkoqit edhe përbërësit simbolikë dhe metaforikë që i përmbajnë këto proza poetike, por i analizon edhe teknikat narrative, si dialogun e monologizuar, monologun e dialogizuar, përafrimin e pozicionit të narratorit me idetë e vetë autorit etj.

Dy autorët e tjerë, Martin Camaj e Mihal Hanxhari, po ashtu analizohen në disa këndvështrime, duke u munduar t’i shquaj afrimet stilistike-gjuhësore (Camaj-Koliqi) dhe veçantitë e motiveve te secili autor.

Kur flet për librin “Dranja” të Martin Camajt, studiuesja Dabishevci e përkufizon atë si prozë poetike, edhe pse kjo vepër është e shkruar në formë të madrigalit. Një qëndrim të këtillë Dabishevci e merr, siç shkruan “pasi që ‘Dranja’ me njërën këmbë është kah poezia e me tjetrën në prozë, atëherë edhe emërtimi prozë poetike është zgjidhje kompromisi”.

Një përkufizim i këtillë të lë të kuptosh se studiuesja mundohet t’i tejkalojë përkufizimet e të tjerëve, për të dhënë vlerësim autorial dhe këso lloj përkufizimesh vërehen edhe në shumë raste të tjera, sidomos kur flet për stilin autorial. Mihal Hanxharin, i njohur si krijues dhe me vepra të botuara vetëm dy dekadave të fundit, studiuesja Dabishevci e fut në mesin e autorëve më emblematikë që e kanë kultivuar prozën poetike. I shquar kryesisht me trajtimin e motiveve thellësisht personale, Hanxhari analizohet në këndvështrimin e trajtimit të motiveve, që kësaj here autorja i trajton me diskursin e kritikës ekspresive.

Veprat e të pesë autorëve shqiptarë të paraqitur në këtë studim, analizohen edhe në aspektin metakritik, ku studiuesja i analizon edhe studiuesit e tjerë që kanë shkruar deri me tani për veprat e këtyre autorëve dhe kjo ia shton peshën trajtimit shkencor që u bëhet veprave të këtyre autorëve të cilësuara si proza poetike.

Libri me studime i Donika Dabishevcit “Proza e poetizuar” mund të cilësohet si një studim i konsoliduar teorik dhe kritiko-letrar, për një zhanër ende të diskutueshëm siç është proza poetike dhe për veprat e autorëve shqiptarë, që për shkaqe ideologjike nuk kanë qenë të zakonshëm në kuptimin e botimit dhe të leximit, por që janë zëra të veçantë për fillet e modernitetit në letërsinë shqipe.

Vetë fakti se studiuesja e ka marrë për trajtim një temë ende të diskutueshme shkencërisht dhe i ka trajtuar veprat e autorëve dikur të ekskomunikuar, tregon për sigurinë shkencore dhe pedanterinë e renditjes së fakteve letrare, se si duhet të trajtohen temat që janë vështirë të trajtueshme shkencërisht.

ObserverKult

Lexo edhe:

EROS E THANATOS NË POEZITË E DONIKA DABISHEVCIT

EROSI I GJËMSHËM , analizë nga kritiku Ahmet Selmani, librit me poezi të Donika Dabishevcit, “Kam me ardhë si deka”

ANA E ERRËT E ARTIT, parathënie e librit me poezi të Donika Dabishevcit “Dashnisë së nji nate”, nga Ag Apolloni

“KAM ME ARDHË SI DEKA”- GUXIMI I “ÇMENDUN” I NI GRUEJE, NË KOSOVËN E NARRATIVËS SË ODËS SË BURRAVE

E PASHMANGSHMJA FANTASTIKE E DASHURISË TE DONIKA DABISHEVCI