Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtarja, Dije Demiri Frangu.
– Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
-Gjithmonë mendoj se kjo ka ndodhur kur kam qenë pesë vjeçe, kur këlyshi i vogël i shtëpisë më ka kapur për fustani, e unë kam klithur se qeni don t’mi hajë lulet e fustanit. Deri sa ishin gjallë, janë qeshur me këtë frikë timen gjyshërit e edhe prindërit e mi.
– Kur ratë në “grackën” e saj?
-Kur shkruaja, besoja se fjollat e borës s’kanë frikë të bien në tokë e as në flokë, se ato vetë fluturojnë dhe se fluturat nga to fluturimin mësojnë. Ato ngjashëm si unë te dajat e në shkollë shkojnë…kështu nisa të mendoj se në poezi e siguroj një qetësi….ishte klasa e tretë dhe një vjershë në rubrikën “Cicërimat e para” në “Pionieri”, ishte gracka “fatale”.
– Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
-Asnjëherë. Nuk ndjehem as sot, vetëm e ndjejë se nuk jam vetëm, se jam me ndonjë ide, me ndonjë fantazi dhe se po të kisha laps, edhe udhëve do të shkruaja poezi. E ndjejë se po eci vazhdimisht me një forcë të brendshme që me jep krenari.
– A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
-Jo. E di, haha. Shkruaj se në disa gjendje e momente s’mund të rri pa shfry, s’mundem se pëlcas nëse nuk shkruaj, ose piskas.
– Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
-Pakujdesi ndaj menaxhimit të poezisë. Disi e mbaj pak si shumë të disiplinuar, nuk e reklamoj shumë, nuk e ekspozoj shumë, nuk e shti në vallet me tupan. Ndaj, më don dhe asnjëherë s’më largon. Dhe e dua, e mbushi poezinë ding dashni, ose nuk e bëj të gjallë. Duhet ushqyer me energjinë tënde reale, duhet dekoruar me figura poezinë, ajo ka lindur skofiare.
– Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
-Ato që i thonë njerëzit që e duan të bukur botën dhe jetën. Që nuk i duan vetëm për vete bukuritë. Kam dashur t’ ju them se, në shkrime mund të frymojë gjithçka shlirë e mirë, vetëm duhet ditur për t ‘ju dhënë shpirt. Mendoj, duhesh bërë një me të. Ndryshe, brenda poezisë ndjehet dështimi.
– Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
-Shumë. Sa i pafund është universi i njeriut! Nuk thuhen kurrë të gjithat nga asnjë krijues. Bile, as nuk duken e as nuk ndjehen kurrë të gjithat. Kjo, sepse jeta zgjedh një spektër të saj për individin. Unë ende s’i kam rënë Oqeanit as me not as me anijen Oasis… përjetimet, shëtitjet, eksplorimet, zgjerojnë gamën e shkrimeve, e shumica e krijuesve tanë bëjmë një jetë të reduktuar nga këto përparësi.
– I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
-Më shumë muzës, ajo ta sjellë kafenë e poezisë. Pastaj, ti mund ta sheqerosësh, ta mbushësh mjaltë, qumësht ose ta lësh sade. Në rast se ke pasur një takim me muzën, ajo pastaj kërkon takime tjera, se ka dëshirë të merresh me rrebet e saj, ta llastosh, ta joshësh. Muza është eliksir, është armë, është qumësht që të ushqen, është mike e ndonjëherë është një qenie e pamëshirshme. Dosido, është një pasuri, një zot i vogël i bukur, që t’mbronë nga vetmia, depresioni, mërzia, thjeshtë sadoqë të fut herë-herë errësirave, shpejtas të nxjerrë në fushën plot diell. Me muzën çdoherë je shumë e fortë, disi si me Zanat.
– Sa jeni sistematike në të shkruar?
-S’jam fare. Gjithsesi, e di që jam kaotike në shumë sfera. Kurrë nuk e di kur do të shkruaj, as çka do të shkruaj. Me ditë më ngërthen një shqetësim e për një çast e bëj monument-poetik. Ndodhë, nisi diçka dhe e mohoj duke e lënë në harresë. Pas një kohe e gjej si një gjymtyrë të ngelur në fushëbetejë, e marr dhe i krijoj edhe pjesët e tjera të trupit, duke e bërë të plotë.
– Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtare apo jo?
-Besoj se po, sepse mendoj të qenurit poet, është sikur të qenurit ai-ajo që je. S’ke si i ik kodit tënd gjenetik, inercionit të qenies tënde. Po, nuk është edhe keq të jesht poete. Mendoj.
ObserverKult
Lexo edhe:
DIJE DEMIRI FRANGU: KACAVJERRË NË MENDJEN E SHEKSPIRIT
DIJE DEMIRI FRANGU: DO TË VINË SHINA E SHIRA E NE DO TË DUHEMI